E Diel, 1 Nëntor 2026

"Apollon ‘09", festivali pa çmime të para

Gara teatrore në festivalin e aktrimit në Fier është mbyllur pa fitues. Edicioni i tetë, "Apollon ‘09", në ceremoninë e të shtunës nuk ka kurorëzuar aktorin dhe aktoren më të mirë të festivalit, këtë vit i cilësuar edhe si ndërkombëtar. Përballja e tetë trupave është finalizuar mbrëmjen e së shtunës, ku juria ka dhënë verdiktin vetëm për tri çmime. E kryesuar nga aktorja Ema Andrea, me anëtarë kritikun e teatrit, Adriatik Kallulli, dhe regjisorin austriak, Christian Papke, juria ka vlerësuar me çmimin e aktorit joprotagonist aktorin italian të trupës së Mantovës, Nicola del Buono, për interpretimin e tij në shfaqjen "Virgjili dhe dashuria". Çmimi i aktores joprotagoniste ka shkuar për Ilire Vinca Çelaj, për interpretimin e saj në shfaqjen "Dejzilen" të trupës së Teatrit Kombëtar të Prishtinës, me regji të Agron Myftarit. Tinka Kurti, e cila në këtë festival është ngjitur me interpretimin e rolit të dados në pjesën "Filumena Marturano", me regji të Albert Mingës, ka marrë çmimin e karrierës. Ceremonisë i ka munguar entuziazmi i duhur edhe për mungesë në sallë të tri aktorëve të vlerësuar nga juria. Organizatorët e kanë justifikuar mungesën e tyre me angazhime të tjera teatrore. Ndonëse nuk pritej, juria nuk ka zgjedhur asnjë emër për të marrë statujën e Apollonit të artë. Aktorja Ema Andrea, e cila ka kryesuar jurinë, është shprehur se aktorët e roleve kryesore nuk e përmbushnin nivelin artistik për të merituar këtë çmim. "Vetë festivali ka pretendime për cilësinë artistike dhe ne si juri kishim pretendimet tona", ka theksuar Andrea. Kërkesat e jurisë nuk janë kënaqur as nga pjesëmarrja e aktorëve të trupave të huaja, që këtë vit zotëronin gati gjysmën e programit. "Ishte autoriteti i jurisë, së cilës pjesëmarrja e Christian Papke i jep nivele ndërkombëtare, që gjykoi se për çmimin "Apolloni i artë" nuk kishte kreativitete që të përligjnin kërkesat e festivalit. Vetë festivali kërkon që të kapë standarde evropiane dhe ky veprim në vetvete tregon kërkesën që kemi për nivelet artistike", shprehen organizatorët e festivalit, Adonis Filipi dhe Klajd Marku. Në fakt, mungesa e niveleve të interpretimit, si një festival që i adresohet posaçërisht kësaj cilësie, do të duhej të vinte në diskutim përzgjedhjen e trupave pjesëmarrëse për këtë vit, por edhe për edicionet që vijnë. Për më tepër që ambicia e organizatorëve e shpalli edicionin e tetë si ndërkombëtar. Në përgjigje të këtij argumenti, Filipi shprehet se përzgjedhja e trupave nuk mund t‘u përgjigjet gjithnjë kërkesave dhe shijeve artistike që ata duan të ngjisin në skenën e festivalit. "Ne synojmë në standarde gjithnjë e më të larta për këtë festival aktrimi, por të sjellësh në Fier një trupë shumë të mirë teatrore, duhet t‘u plotësosh kërkesat financiare. Ndërkohë që fondet e dhëna për këtë festival vazhdojnë të jenë të cunguara", thekson regjisori. Në vazhdim të mendimit, ai beson se gjithsesi trupat në konkurrim nuk janë jashtë konceptit të kohës, duke përmendur pjesën e Teatrit Kombëtar të Tiranës, "Filumena Marturano", "Virgjili dhe Dashuria" e trupës së Mantovës, "Histori të pista" të trupës rumune e të tjera. Vënia në diskutim e nivelit aktorial nga ana e jurisë, e shtyn Filipin ta quajë këtë vendim një lloj provokimi edhe për kritikën e teatrit. "Kritika duhet të jetë më e aktivizuar. Nëse duhet t‘i ikim konformizmit, duhet të ketë më shumë bashkëpunim", thekson Filipi. Aktorët e karrierës, të pranishëm gjatë ditëve të festivalit, si aktorja e njohur Drita Pelingu, pavarësisht diskutimeve të cilësisë, në mungesë të festivaleve të tilla teatrore, ato pak që organizohen i sheh si një "dritare" ku mund të ballafaqohen zhvillimet e reja teatrore. Edicioni i tetë i festivalit të aktrimit, "Apollon 2009", u çel mbrëmjen e 27 prillit në teatrin "Bylis" të qytetit të Fierit dhe përfundoi mbrëmjen e 2 majit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›