Ben Çeta, "Qytetar Nderi" i Durrësit
Është vlerësuar nga Bashkia e Durrësit me titullin e veçantë “Qytetar Nderi”, mjeku dhe intelektuali që vuajti burgjeve të diktaturës komuniste, njëri nga kardiologët më të njohur të qytetit të Durrësit, Beniamin Çeta (ose siç e thërrasin miqtë dhe qytetarët, doktor Ben Çeta). Atij i është dorëzuar titulli "Qytetar Nderi i Durrësit" në një ceremoni tepër të veçantë të organizuar nga Bashkia e Durrësit në ambientet e teatrit “A. Moisiu”. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, të gjithë krerët e tjerë vendorë, kolegë të Çetës që janë njëkohësisht emra tepër të njohur të mjekësisë shqiptare, bashkëvuajtës të doktorit në burgjet e diktaturës, artistë, politikanë dhe qytetarë të Durrësit. Titulli “Qytetar Nderi” i është akorduar kardiologut të mirënjohur me konsensus të plotë nga Këshilli Bashkiak i Durrësit pak ditë më parë. Beniamin Çeta, 71 vjeç, është propozuar nga një grup intelektualësh të qytetit të Durrësit për të marrë këtë titull. Titulli në fjalë i jepet doktorit me motivacionin "Për merita të veçanta në shërbim të komunitetit dhe kontributin e dhënë në fushën e kardiologjisë". Në këtë ceremoni pjesëmarrësit kanë shprehur nderimin dhe respektin më të thellë për doktor Beniamin Çetën i cili gjatë gjithë jetës së tij është shquar për humanizmin e lartë dhe sakrificat e jashtëzakonshme në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve jo vetëm të Durrësit, por nga i gjithë vendi, sepse siç u theksua në takim, dr. Çeta i ka trajtuar të gjithë pacientët e tij njësoj dhe jo duke u nisur nga pozitat apo gradat. Vetë doktori me modestinë që e karakterizon, u shpreh plot emocion se ai është munduar të bëjë më të mirën në shërbim të njeriut sepse zemrat janë të gjitha njësoj dhe nuk bëhet dallim për to. Dr. Beniamin Çeta ka hyrë si mjek thuajse në të gjitha shtëpitë e durrsakëve, duke fituar admirimin e bashkëqytetarëve për punën e përkushtuar dhe që ka pasur si shpërblim të vetëm respektin e pamatë të tyre.