E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qyteti Studenti” dhe “Rruga e Elbasanit” shkrihen në kampus universitar

“Qyteti i Studentëve”, përveç funksionit të kampusit, me Planin e Ri Rregullues parashikohet që të kthehet në zonë mikse. Në këtë projekt kësaj zone i jepet një zhvillim duke e fuqizuar si “Qytetin e Studentit” ashtu edhe fakultetet përgjatë “Rrugës së Elbasanit”, ku përveç funksionit të tij QS-ja do të jetë edhe zonë mikse.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, gjatë procesit të dëgjesave publike për Planin Rregullues të Tiranës ka vijuar konsultimet publike me banorët e njësive 1, 2 dhe 3. Gjatë prezantimit të planit Rama është fokusuar në çështjet kryesore që prekin territorin e këtyre njësive.

Plani i Ri Rregullues është i ndarë në tri faza, ku e para do të jetë rikualifikimi i Parkut të Liqenit dhe zonave përreth, në fazën e dytë do të ndërhyjmë me një projekt të madh po për Parkun e Liqenit. Ndërsa faza e tretë përfshin ndërtimin e Unazës së Madhe, ku në mënyrë të veçantë përfshihet zhvillimi i zonave të rëndësisë së veçantë që do të ecë paralelisht me pjesët e tjera të qytetit, në ato territore ku aksesi ekzistues është i mirë dhe suporti i sektorit privat në arritjen e objektivave është i mjaftueshëm.

Liqeni artificial

Parku i Liqenit në Tiranë do të kalojë përmes një procesi rikualifikimi, i cili do të transformohet në një zonë me një mjedis shumë më cilësor, me rrugë të shtruara, me ndriçim, me të gjithë aksesorët e tjerë të domosdoshëm të vendosur dhe me një numër shumë të madh pemësh të reja, të disa llojeve.

“Ky projekt është tashmë i përfunduar dhe së shpejti do të fillojmë me ndërhyrjen e parë në Parkun e Liqenit, i cili jo vetëm do të pastrohet nga disa ndërtime të paligjshme të mbetura aty, por edhe do të rikualifikohet, duke mos krijuar më as edhe një lloj ndërtimi”, - u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Do të jetë një hapësirë e madhe natyre brenda qytetit në funksion të gjithë atyre që duan një hapësirë pa makina, një hapësirë ku do të ecet lirisht, një hapësirë ku të ketë korsi për vrapuesit, korsi për biçikletat, hapësirë për këmbësorët, për të moshuarit, për fëmijët, me kënde pushimi dhe kënde argëtimi.

Në fazën e dytë do të ndërhyhet me një projekt të madh, por tërësisht të mundshëm, të risistemimit të pasqyrës ujore të Parkut të Liqenit, e cila do të ribëhet nga e para, me një infrastrukturë të modernizuar, me plazhin urban që do të bëhet aty ku sot është diga e Liqenit.

Banesa sociale

Kryetari i bashkisë, Rama, shpjegoi se në këtë plan do të integrohet edhe programi i ndërtimeve sociale. “Do të startojmë me projektin e ndërtimit të banesave sociale dhe të fillojmë një proces serioz dhe njëkohësisht afatgjatë. Ne jemi të gatshëm për të sistemuar familjet në nevojë për strehim, ne jemi në gjendje që të fillojmë këtë proces dhe të fillojmë t’u përgjigjemi atyre që prej kohësh presin për të marrë një strehë”, - u shpreh Rama.

Për qytetarët është vënë në dispozicion adresa e e-mail-it tiranaplan@tirana.gov.al ku priten të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me Planin e Ri Rregullues

Çfarë parashikon plani për njësitë bashkiake 1, 2 dhe 3

1. Në këtë territor parashikohen të krijohen 7 sub/qendra të rëndësishme.

a. Fuqizohet “Qyteti Studenti” dhe fakultetet përgjatë “Rrugës së Elbasanit”. (kampus dhe zone mikse).

b. Territori në veri të Sanatoriumit parashikohet si një zonë zhvillimi (zona rezidenciale 3 kat dhe funksione sociale).

c. Profarma do të kthehet në zonë mikse.

d. Porcelani do të kthehet funksione mikse dhe pasurim i polit kulturor të Kinostudios.

e. Kryegjyshata dhe ish-stallat dhe Poligrafiku ruajnë funksionin ekonomik, ndërsa territori i lirë në jug transformohet në një pol atraktiv për zonën.

f. Struktura e stallave, sot të degraduara, mendohet të transformohet në minibutikë që do të integrohen me zhvillimin e propozuar të zonës. Këtu synohet të ruhet gjelbërimi i dendur i këtij territori.

g. Zona tek Kombinati i Autotraktorëve: Kjo zonë, ku pronësia është në pjesën më të madhe e Bashkisë së Tiranës, ka filluar të zhvillohet me një projekt ambicioz që synon të krijojë një lagje model, me të gjitha lehtësirat publike të nevojshme. Zhvillimi i propozuar në fazën e parë synon të zhvillohet dhe në fazat e mëtejshme.

h. Zona e fundit është një territor sot i lirë në të cilin synohet të orientohet zhvillimi drejt krijimit të një lagjeje rezidenciale, me kualitet të lartë, ku të gjejnë hapësirë dhe rezidencat e ambasadave apo fondacioneve të huaja që punojnë në Tiranë.

2. Këto zona të rëndësisë të veçantë shoqërohen nga gjelbërimi.

a. Rehabilitohet Parku i Madh i Tiranës.

b. Të krijohet dhe facilitohet aksesi me parkun e Farkës dhe të Dajtit.

c. Të krijohet parku përgjatë lumit të Lanës dhe përrenjve të tjerë që ekzistojnë në territor.

3. Në të gjitha territoret e reja për zhvillim është marrë në konsideratë morfologjia dhe karakteri ekzistues i zonës.

4. Krijimi i lidhjeve të shpejta të zonave – promovim i transportit alternativ, ndërtimi i Unazës së Madhe.

5. Përshtatje e zonave të prodhimit dhe lidhje e tyre me transportin publik.

6. Transformimin e ish-zonave industriale të degraduara në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj.).

7. Krijim i parqeve në zonat e reja për zhvillim (rreth 20-30% e zonës si hapësirë kompakte).

8. Sistemim të hapësirave publike, në zonat tashmë të formuara.

9. Ristrukturim urban, hapje rrugësh të reja në brendësi të blloqeve etj.

10. Rikualifikim urban, arredim urban në zonat informale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›