“Banda e Lushnjes”; Rrëzohet kërkesa për përjashtim të trupit gjykues
Rrëzohet kërkesa e avokatëve të të pandehurve të “Bandës së Lushnjes” për përjashtim të trupit gjykues, atij që është duke i gjykuar. Kërkesa është konsideruar si e pabazuar në ligj dhe për këtë arsye është rrëzuar nga një tjetër trup gjykues që e ka shqyrtuar si kërkesë. Avokatët pretendonin në kërkesën e tyre se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Marsela Balili merrte vendime të njëanshme, duke pranuar gjithë kërkesat e prokurorëve dhe rrëzuar kërkesat e avokatëve. Për këtë arsye, ata nuk pranojnë që çështja të vazhdojë të gjykohet nga të njëjtët gjyqtarë. Por, nuk ka qenë i të njëjtit mendim trupi gjykues që ka marrë në shqyrtim kërkesën, të cilat i kanë konsideruar si të pabaza pretendimet dhe për pasojë kanë rrëzuar kërkesën. Ka qenë një vendim i seancës së të premtes që acaroi situatën mes gjyqtarëve dhe avokatëve, të cilët vendosën të kërkojnë përjashtim të trupit gjykues pas pranimit nga togat e zeza të kërkesës së prokurorit Trenova, për të lexuar deklarimet e disa dëshmitarëve që nuk ishin të pranishëm në seancë.