Bençivenga do hakmarrje, Shkumbinit e përzuri nga Shqipëria
Mirel Josa nuk do të jetë trajneri që do të pasojë të Agustin Kolën, të dorëhequr nga drejtimi i Tiranës pas dështimit në Kupën e Shqipërisë e që lëshoi një mal me akuza kundër lojtarëve që i stërviti e drejtoi jo pak, por 16 javë kampionat, nga dhjetori i vitit 2008, kur boshnjaku Blaz Slishkoviç barazoi 2-2 në derbin e Partizanit, çka solli edhe shkarkimin e të katërtit trajner të huaj që ka drejtuar Tiranën nga viti 1994, duke filluar me hungarezin Miklosh Temeshvari, boshnjakun Enver Haxhiabdiç dhe italianin Leandro Menikini.
Pikërisht një ndihmës i Menikinit e i Kolës, italiani Mauro Bençivnega, do të jetë bashkëtrajneri i Tiranës për tri javët e mbetura deri në përfundim të sezonit, misioni i të cilit, së bashku edhe me drejtorin sportiv Alban Tafaj, do të jetë fitimi i titullit kampion, që i mungon Tiranës nga sezoni 2006-2007.
Vendimi tashmë u zyrtarizua edhe nga presidenti me rotacion i bardhebluve, Refik Halili, ku sipas marrëveshjes formale ish-ndihmësi i Fabio Kapelos te Roma dhe ish-futbollisti i njohur i Tiranës do të drejtojnë së bashku 23-herë kampionët, me qëllimin e madh për të mos mbetur për të dytin vit pa trofe. Bençivenga, trajneri i tretë sezonal i Tiranës (edhe sezonin e kaluar të mbyllur pa trofe drejtuan tre trajnerë Starova, Hafizi e Mema), do të drejtojë zyrtarisht në fushë e stërvitje, ndërkohë që formacionin do ta bëjë së bashku me Alban Tafajn.
Tirana do të përballet të shtunën me Shkumbinin (tashmë pa asnjë objektiv në këto tri javë) dhe historia e Bençivengës ka një lidhje të çuditshme me skuadrën peqinase. Në sezonin 2005-2006, Bennçivenga ishte ndihmës bashkëkombasit të tij, Leonardo Menikini. Të dy u detyruan të braktisnin Tiranën pas barazimit dramatik e befasues 4-4 në “Selman Stërmasi” me skuadrën peqinase, edhe pse bardheblutë në atë moment ndodheshin në vend të dytë, si edhe në këtë kampionat. Pikërisht, ndaj Shkumbinit do të drejtojë për herë të parë në Shqipëri, Mauro Bençivenga.
Një javë më parë, në të 30-tën, Shkumbini humbi 2-1 me Vllazninë në fushën asnjanëse të “Roza Haxhiut”, një ndeshje që u përfol për një lëshim të mundshëm të peqinasve ndaj shkodranëve. “Virtualisht” në letër përballja konsiderohet e lehtë për Tiranën, por trajneri i tretë që ka drejtuar një skuadër në Shqipëri, pas Ticano Gorit (Erzeni e Partizani) e Leonardo Menikini (Tirana), përveç tri pikëve kërkon të lajë edhe një “hesap personal” ndaj skuadrës që e detyroi të largohej brenda 24 orëve nga Shqipëria.
9 Maj 2009