Kryetari i PD-së së Tiranës pritet të zgjidhet pas 28 qershorit
Burimet bëjnë të ditur se ekziston dhe mundësia e shtyrjes së zgjedhjes së kryetarit të PD-së së Tiranës pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë që rolin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës deri në zhvillimin e zgjedhjeve, sipas Statutit, mendohet se do ta mbajë deputeti Aldo Bumçi, i cili gëzon dhe mbështetjen e kryetarit të partisë.
Krerët më të lartë të selisë blu mendojnë të ndërpresin dhe procesin zgjedhor që ka përfshirë strukturat e partisë. Sipas burimeve mendohet se zgjedhjet, për shkak të vonesave të deritanishme, mund të sjellin çorientim në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet në parlament. Konkurrenca e madhe, veçanërisht për postin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës, e cila është dhe zona elektorale më e rëndësishme në vend, mendohet që në vend që kjo degë të bëhet gati për zgjedhjet parlamentare, krijon përçarje të anëtarësisë dhe dobëson angazhimin e bazës në organizimin e fushatës zgjedhore. Kjo mund të sjellë dhe mungesën e organizimin të duhur të PD-së për fushatën e ardhshme zgjedhore. Deri tani, ndryshe nga zhvillimet e partive opozitare, PD-ja ende nuk e ka ngritur shtabin elektoral dhe nuk ka gati asnjë të dhënë për fushatën elektorale.
Deri tani janë vetëm disa degë të PD-së që kanë mbledhur Kuvendin dhe kanë zgjedhur kryetarin e ri. Sipas burimeve nga selia blu, janë zgjedhur kryetarët e degëve të PD-së në rrethin e Përmetit, ku kryetar është zgjedhur Arian Kasa në Tepelenë, Bujar Kapllani në Kolonjë, Viktor Duro në Devoll, Gëzim Demolli në Korçë, Gjergji Papa në Shijak, Dardan Domi, Miti Tapia në Partos, Ardian Kollozi në Vlorë dhe Luçiano Boçi në Elbasan.
9 Maj 2009