Studentët e bllokuar në Trieste, nisen sot
TIRANE- Priten të kthehen sot në Shqipëri studentet e bllokuar prej 3 ditësh në portin e Tristes në Itali për shkak të anulimit të vizave nga ambasada hungareze. Studentët do të nisen rreth orës 13:00 nga Porti i Triestes për t’u kthyer në portin e Durrësit. Në reagimin e Ministrisë së Jashtme pas publikmit të lajmit të NEWS24 theksohej se udhëtimi i studentëve të disa universiteteve private në Tiranë ishte ndërmjetësuar dhe organizuar nga një agjensi private e udhëtimit. Vizat janë marrë në ambasadën e Hungarisë në Tiranë, ku agjensia kishte paraqitur programin e udhëtimit dhe rezervimet e hoteleve në Slloveni dhe Itali. Ambasada e Hungarisë, pasi ka dhënë vizat, ka marrë njoftim nga hotelet se janë kontaktuar nga agjensia, por rezervimi ose nuk është bërë efektiv ose më vonë është anulluar. Për pasojë ambasada e Hungarisë ka anulluar vizat dhe ka njoftuar kufirin që të mos lejojë hyrjen në territorin italian.Në këtë mënyrë 157 studentët janë mbajtur që prej orëve të para të mëngjesit të së mërkurës në portin e Triestes ndërsa është parashikur kthimi i tyre në Shqipëri.
(s.g/BalkanWeb)