E Diel, 1 Nëntor 2026

Pisha: “Vllaznia? Dinamo është një ekip serioz”



“Bomberët” e Vllaznisë e Dinamos kanë shënuar gjatë 30-të javëve të deritanishme nga 46 gola në portat kundërshtare, por në dy përballjet direkte midis tyre këtë sezon, Dinamo ka shënuar një “gol të vockël” më shumë në portën kuqeblu: dy gola Dinamo (Smajli me autogol, Plaku me penallti) dhe 1 gol Vllaznia (Dhembi). Por, ajo që vlen me shumë para përballjes së tretë të tyre sezonale në kampionat, është fakti se Vllaznia me 60 pikë të grumbulluara renditet e para, me plot tetë pikë më shumë se Dinamo e vendit të tretë. Në dy vizitat e fundit në “Loro Boriçi”, si për kampionat (java 17) ashtu dhe për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, Dinamo ka dalë fituese: 0-1 për kampionat (gol me penallti në minutën e 88-të nga Sebino Plaku) dhe 1-2 në Kupë (Sinani për Vllazninë, Sefa e Plaku për Dinamon). Historia e marrëdhënieve miqësore midis dy skuadrave sezonin e kaluar, tolerimet respektive për kupë (Vllaznia u bë fituese e saj) e kampionat (Dinamo u shpall kampione), duket se u prishën pas eliminimit në tavolinë të Dinamos, pas një vendimi special unik i Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, edhe pse blutë ishin kualifikuar me lojë (2-1, 0-0). Dinamo, që vetëm matematika e ndan me një pikë nga shkurorëzimi zyrtar si kampione në fuqi, nuk arriti të përmbushë asnjë nga objektivat sezonalë, edhe pse në drejtim pati dy nga trajnerët më të zotë: trajnerin e Kombëtares U-21 të Kroacisë, Zlatko Daliç e 3-herë kampionin si trajner (me Tiranën), Shkëlqim Muçën. Me vendin e tretë të garantuar dhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës, Dinamo ka në dorë kampionatin, të paktën virtualisht vendos ajo për titullin kampion. Blutë do të përballen në javën e 31-të me Vllazninë në Shkodër, e një javë më pas, në të 32-tën me Tiranën në kryeqytet. Në kampin dinamovit nuk e mendojnë aspak tolerimin ndaj Vllaznisë, pasi sipas tyre, Dinamo e nisi me seriozitet e dëshiron ta përfundojë po kështu kampionatin. “Në Shqipëri dyshohet për gjithçka. Ne do të shkojmë atje në Shkodër për të luajtur futboll dhe për të bërë më të mirën tonë. Vllaznia është në një moment të mirë dhe mund të fitojë, por le të flasim pas 90 minutave. Gjithsesi, ne na mungojnë disa lojtarë titullarë si Allmuça e Sefa”, -tha për mediat sportive kapiteni i Dinamos, 32-vjeçari Arjan Pisha. Elbasanasi po luan sezonin e tij të tetë me blutë (në total 219 ndeshje, 8 gola), përveç 6 sezoneve me Elbasanin (119 ndeshje, 2 gola) e 2 kampionateve me Tiranën (54 ndeshje), që e çojnë numrin e tij në 392 ndeshje, pa përfshirë ato në kupe e në kompeticionet ndërkombëtare.

Java e 31-të
(09.05.2009)

Tirana-Shkumbini
Vllaznia-Dinamo
Bylis-Besa
Apolonia-Teuta
Flamurtari-Partizani
Lushnja-Elbasani

RENDITJA

Vllaznia 60
Tirana 59
Dinamo 52
Shkumbini 44
Teuta 44
Besa 40
Flamurtari 33
Partizani 33
Elbasani 31
Lushnja 31
Apolonia 29
Bylis 28

Java e 32-të
(16.05.2009)

Dinamo-Tirana
Vllaznia-Lushnja
Shkumbini-Bylis
Besa-Apolonia
Teuta-Flamurtari
Partizani-Elbasani

Java e 33-të
(23.05.2009)

Tirana-Vllaznia
Bylis-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Flamurtari-Besa
Elbasani-Teuta
Lushnja-Partizani

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›