Rama, frikë në rritje nga afrimi i zgjedhjeve

Ankthet e kryesocialistit me afrimin e 23 qershorit po përfundojnë në veprime histerike, si ai i thirrjes së ndërkombëtarëve, nën etiketën staliniste “Atdheu në rrezik”. Frika e humbjes s’po shkakton vetëm probleme shëndetësore, por edhe probleme të stabilitetit të procesit zgjedhor. Megjithatë kjo frikë, s’po e ndalon makinën elektorale të 99-shave të presin karrierën e atyre socialistëve që s’u shkojnë sipas avazit
Ndërsa data e zgjedhjeve të 23 qershorit po afron, për Edi Ramën makthi dhe frika po shënon rritje. Për këtë gjendje të rënduar të Edi Ramës, nuk është tregues aq gjendja e tij e depulesës në Burrel, se sa akrobacitë e tij, për të “legjitimuar” humbjen..., nëpërmjet alibisë në formë vello, që po mundohet të endë.
Ky makth dhe kjo frikë duket se janë bërë më intensive në këto javë të para të vitit 2013, përderisa edhe intensiteti për parapërgatitjen e alibisë së radhës të tij, për humbjen e radhës të zgjedhjeve të radhës, korrespondon me këtë periudhë kohore.
Fillimisht për alibinë e tij tentoi të përdorë anëtarët e KQZ-së, të zgjedhur e votuar me “bekimin” e tij. Debati për ndarjen e mandateve dhe refuzimi i Denar Bibës & Co, por votimin e kësaj ndarje, u nxit, përkrah dhe pompua nga Edi Rama & Co, për ta cilësuar këtë një tentativë “për vjedhje votash”. Jo vetëm kaq, por për të bërë sa më të besueshëm këtë tentativë të tijën për alibi, përballë makthit dhe frikës së tij, dërgoi Damian Gjiknurin në një takim me disa përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë për t’u ankuar për (mos)ndarjen e mandateve nga Denar Biba & Co.
Gjërat vazhduan rrjedhën normale dhe këtë ndarje mandatesh e mori në dorë Parlamenti. Përsëri Edi Rama filloi të ankohej, por në një mënyrë “hap mbrapa”, duke nëmur Denar Bibën & Co, pse nuk votoi ndarjen e mandateve që fillimisht edhe Edi Rama nuk e dëshironte, por që më pas “ndërroi mendje”. Sërish edhe pas futjes në lojë të Parlamentit, refreni ankimues i Edi Ramës ishte “po na vjedhin votën”.
Këtë sjellje prej qaramani nuk e ka kursyer as përballë të tijve, të cilët përballë optimizmit të natyrshëm të cilin ata duhet të shohin edhe te udhëheqja e PS-së në prag të zgjedhjeve, duhet të demoralizohen nëpërmjet ankesave të Edi Ramës të tipit “të blindojmë votën”. Se çlidhje ka, bie fjala, Qazim Sejdini apo Baftjar Zeqo me “blindimin e votës”, një dreq e merr vesh. Se po të ishte se këta dhe të tjerë anëtarë të Asamblesë së Kryebashkiakëve Socialistë kanë lidhje me “blindimin e votës”, atëherë Edi Rama të paktën të çlirojë pengmarrjen e integrimit të Shqipërisë në BE, në emër Vangjel Ndrekos, “blinduesit të votave” në qarkun e Fierit dhe “t’ia varë këtë këmborë ëpr të tundur” Baftjar Zeqos...
Por përpos sjelljes së Edi Ramës për tu ankuar “vend e pa vend” për “vjedhje votash” si alibi për humbjen e zgjedhjeve, atij (Edi Ramës) i nevojitet edhe “ndërkombëtarizimi” i kësaj alibie. Dhe si më mirë se sa shfrytëzimi i pos-takimeve me ndërkombëtarët mund ta bëjë Edi Rama këtë..., duke “i shitur” këto takime si “shprehej shqetësimi për fatin e zgjedhjeve”.
Duke folur diku pas një takimi për “mos cenim të votës”, diku për “lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve”, apo diku tjetër edhe për “farsa elektorale”, Edi Rama keqpërdor takimet me ndërkombëtarët për të “betonuar” alibinë e humbjes së tij në 23 qershor 2013.
I gjendur në kushtet kur programi i PS-së ofron paga për policët në vitin 2017, ato që ata i marrin që prej vitit 2005..., apo më keq akoma, i gjendur në kushtet e një fushate vjellje-vreri ndaj shëndetësisë, por i duhet “të lërë veten në duart e saj”, sikurse në Burrel dy ditë më parë, saktësisht i gjendur pa një program serioz, të ndryshëm nga ai i hartuar nga Pjerin Ndreu, apo Ilir Beqja..., Edi Rama, vërtet gjendet në një gjendje të rëndë debulese, përballë së cilës as mjeku i Spitalit të Burrelit, Hasan Ceni nuk ka çfarë ti bëjë, qoftë apo jo ky edhe kryetari i degës së PS-së në këtë qytet...