Benedikti XVI: Do të shkojë për vizitë në Liban, megjithë rritjen e tensionit prej ekstremistëve
Shpresa e Kishës maronite libaneze, e eksponentëve të ndryshëm të kishave lokale, e krerëve të krishterë e myslimanë të moderuar, që e duan dialogun, është që Papa të shkojë në Liban, sipas parashikimit, nga 14 deri më 16 shtator. Nga ana tjetër, ashpërsimi i krizës siriane dhe ndikimi i saj në vendin e kedrave, shkakton vështirësi të njëpasnjëshme në realizimin e këtij shtegtimi apostolik. Gjatë orëve të fundit, patriku maronit libanez, Bekara Raji, autoriteti më i lartë kishtar i vendit, duke komentuar ndeshjen me armë ndërmjet përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit sirian al Asad në Tarabulluz, tha se kjo spirale dhune e lufte është e papranueshme. Tarabulluzi, vazhdoi imzot Raji, nuk mund të bëhet një fushë beteje për shkak të ndarjeve, që varen nga kriza siriane. Ai nuk është qytet i ekstremizmit fetar. Edhe eksponentët myslimanë, në favor të vizitës së Papës, po bëjnë të gjitha përpjekjet për realizimin e saj. Për momentin, udhëtimi do të bëhet, siç ka deklaruar zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, por natyrisht, Vatikani e ndjek gjendjen hap pas hapi. Qëndrimi i Selisë së Shenjtë konfirmohet edhe nga kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Zhan Lui Turan, i cili, duke shprehur një mendim për “pranverën arabe”, deklaroi se ajo do të japë rezultate të mira pas disa kohësh, për shkak se historia shkon drejt shoqërive më demokratike, por nuk do të kemi përmirësime në afate të shkurtra.
Ndër shtegtimet apostolike të papëve, ka një precedent. Në vitin 1994, për shkak të luftës në Bosnjë-Hercegovinë, Papa Gjon Pali II anulloi udhëtimin e tij në Sarajevë. Kësaj radhe, zëra si ai i jezuitit Paolo Dall’Oglio, njohës i thellë i gjendjes në vendet arabe, flasin për rreziqe të mëdha për sigurinë e Atit të Shenjtë. Nga ana tjetër, nëse Hezbollah, e ashtuquajtura “partia e Zotit” në Liban, nuk arrin të kontrollojë grupet e veta të armatosura, kuadri i përgjithshëm bëhet delikat. Megjithatë, diplomacia vatikanase vazhdon të punojë për ta çuar Papën në vendin e kedrave.
Në Siri, dhunohet kryeipeshkvia greko-katolike e Halebit/Selia e kryeipeshkvit metropolit greko-katolik në Haleb është dhunuar e plaçkitur, ndërsa në qytetin sirian vazhdonin ndeshjet ndërmjet opozitës dhe trupave besnike të presidentit Bashar al Asad. Kryeipeshkvi, imzot Zhan-Klement Zhanbar, ndihmësi i tij dhe disa meshtarë arritën të iknin disa orë para se të ndodhte ky episod, të enjten e kaluar. Sipas bashkësisë katolike lokale, autorët janë njerëz të grupeve, që duan t’i japin bazë fetare luftës në Siri. Vihet re rritje e numrit të milicëve islamikë vahabitë e salafitë, që vijnë nga Çeçenia, Pakistani, Libani, Afganistani, Tunizia, Arabia e Libia. Qëllimi i tyre është të sjellin kaos, shkatërrim e të paralizojnë jetën shoqërore. Katolikët sirianë shpresojnë që popullsia të mos bjerë në kurthin e tyre.
Të krishterët e Pakistanit mobilizohen për shpëtimin e Rimsha Masih/Filloi dje një javë e rëndësishme e delikate në Pakistan, ku drejtësia duhet të prononcohet për lirimin e Rimsha Masih, vajzës 11 vjeçare të krishterë, në burg që nga 16 gushti, për djegjen e disa faqeve të Kuranit. Ministri i Brendshëm i ka kërkuar policisë të mos e lirojë vajzën, për shkak se mund të rrezikojë jetën e vet dhe të familjarëve, nëse lëviz lirisht. Gjithsesi, çështja do të shqyrtohet duke filluar nga dita e nesërme. Ndërkaq, të krishterët e Pakistanit mobilizohen për të kërkuar lirimin e plotë të saj. Edhe në Evropë, nga Roma në Londër, pakistanezët e krishterë kanë filluar një fushatë me parrullën “Të shpëtojmë Rimsha Masih”. Shoqata e Pakistanezëve të Krishterë në Itali ka vënë në dispozicion një adresë e-maili, ku mund të shkruhet në mbështetje të një peticioni për t’iu dërguar presidentit pakistanez Ali Zardari. Adresa është . “Kush është fajtor – pyesin të krishterët. Ata që kanë hedhur faqet e Kuranit, të cilat i ka djegur më pas Rimsha, apo vetë vajza e vogël?”