“PS-ja, një sërë deklaratash që janë autogola”

Flet Ylli Manjani, anëtari i kryesisë së LSI-së
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani ka deklaruar se për çështjen e imunitetit qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë dhe do të jetë se ajo duhet të ishte zgjidhur kohë më parë, si 10 vjet më parë apo sot.
Në një prononcim për mediat, anëtari kryesisë së LSI, ka theksuar çështja e imunitetit parlamentar duhet të ishte zgjidhur sepse PD-ja dhe PS-ja kanë ndërhyrë dy herë në Kushtetutë në tre katër vitet e fundit. Draftet kanë qarkulluar që vitin 2008, ka pasur përmirësime reale.
Ndërsa mazhoranca ka deklaruar iniciativën për referendum dhe opozita për negociata në shtator për çështjen për të votuar heqjen e imunitetit duke e kushtëzuar me ndryshime të reja kushtetuese, juristi Manjani theksoi se Partia Socialiste ka nxjerrë në formë propozimesh të cilat në fakt janë një autogol.
“Partia Socialiste ka nxjerrë një sërë deklaratash që janë autogola. Deri më sot Rama ka thënë në mënyrë të përsëritur që nuk do të bëjmë gabimet e mëparshme dhe nuk do të ndërhyjmë në kushtetutë shpejt e shpejt. Dhe tani kërkon që të shpejtohet me ndryshime më shpejt sesa shpejtësia”, theksoi Manjani.
Sipas tij, “të ndryshohet Kushtetuta, në këndvështrimin tim profesional, sidomos për çështje të kësaj natyre (kufizimi i Imuniteti, krerët e gjykatave, kryeprokurori) duhen të paktën dhe 2 vjet të tjera sepse duhen pasur diskutime, tryeza, debate të gjata. Ndaj kur të gjitha palët janë dakord, sipas PS, që të hiqet imunitetit, pse nuk e heqin?”.
Anëtari i kryesisë së LSI-së nënvizoi apelin për axhendën e integrimit të faktorëve politikë.
Ndërsa në lidhje me akuzat e opozitës marrëveshjen e ujërave me Greqinë, anëtari i kryesisë së LSI-së Manjani, deklaroi se s’duhet të bëhet spekulime politike të brendshme kur në mes janë interesat të shtetit shqiptar përndryshe do të ishte politikë antikombëtare. “Politika e jashtme e shtetit shqiptar nuk duhet të paragjykohet dhe nuk mund të përdoret për interesat politikës së brendshme sepse kjo është spekulimi më i madh antikombëtar. Dhe në qoftë se kriteri për këtë çështje është ai çetave fanatike që bëjnë deklarata në emër të popullit, në emër të vendit, si kriter i patriotizmit. Absolutisht jo, sot patriotizmi është gjë tjetër. Sot patriotizmi do të thotë një qytetari që beson dhe respekton shtetin”, theksoi Manjani.