“Objektivi i integrimit të shqiptarëve në Europë, duhet të tejkalojë interesat e partive politike”
Flet Nicholas Cannon, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri
“Shqipëria i mbijetoi krizës ekonomike që ka pushtuar vendet e tjera. Britania e Madhe si një prej vendeve të Bashkimit Europian është e interesuar që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Shpresojmë që kjo të ndodhë këtë vit”
Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon vlerësoi ekonominë shqiptare si të qëndrueshme dhe se ajo i mbijetoi krizës ekonomike që ka pushtuar vendet e tjera duke thënë se e shikon këtë si një kontribut të menaxhimit ekonomik të vendit.
Gjatë një vizitë në qytetin e Gjirokastrës, ku mori pjesë në një aktivitet kulturor, ambasadori Cannon ka deklaruar se, “Britania e Madhe si një prej vendeve të Bashkimit Europian është e interesuar që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, dhe ne, shton ambasadori, shpresojmë që kjo të ndodhë këtë vit”.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar theksoi se Shqipëria duhet ta shikojë çështjen e anëtarësimit si objektiv dhe duhet të përqafojë atë si një objektiv kombëtar. Ky objektiv duhet të tejkalojë interesat politike.
“Unë mendoj që për vendin, për partitë politike e për parlamentin ky prioritet nuk ka qenë aq prioritar. Pa dashur të jem oponent i çështjeve të brendshme të vendit dhe problemeve të klasës politike dua të them se nëse ky është një objektiv duhet ndjekur si i tillë nga të gjithë”, theksoi ambasadori Cannon .
“Shqipëria duhet të bëjë reformim të sistemit të drejtësisë, të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, këto të parashikuara qartë në 12 kriteret e integrimit në BE”.
Sipas tij, këto janë pikat kyçe që duhet të plotësohen në kohën kur Shqipëria është në pritje të marrjes së statusit kandidat.
“Ajo që ka të bëjë me çështjen e drejtësisë këtu, korrupsionin dhe rastet specifike që gjykohen, gjithashtu edhe çështjet e krimit të organizuar hyjnë tek 12 kriteret, të cilat duhet të plotësohen për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne mendojmë se këto kritere të vendosura nga Komisioni Evropian kanë nevojë ende të plotësohen. Këto janë aspekte të rëndësishme të kritereve dhe të gjitha vendet anëtare janë të interesuara të shikojnë më shumë progres rreth këtyre çështjeve. Reforma Zgjedhore ishte një pikë kyçe dhe tjetra sigurisht ka qenë çështja e imunitetit të deputetëve dhe gjithashtu imunitetit për gjyqtarët. Kjo është një çështje që ka kërkuar një konsensus të gjerë, ndërsa konsensusi i mëtejshëm do të jetë në interes të klasës politike. Ndaj këtyre aspekteve anëtarët e BE janë shumë të vëmendshëm dhe të dyja këto çështje duhet të marrin zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë në mënyrë urgjente për t’i paraprirë vlerësimit të ardhshëm që do të vijojë nga BE”, nënvizoi ai.