Kultura, çështja emergjente e kryeqytetit të ri
Për të pasur një ide sesi është jeta kulturore (letrare, artistike, pamore, etj.) në Tiranë mjafton të imagjinoni një hurdhë. Një hurdhë që po bëhet përditë e më e vogël, por gjithmonë me të njëjtin numër peshqish. Dhe kështu është një pellg gjithmonë i turbulluar. Dhe është lehtësisht e imagjinueshme çfarë ndodh brenda saj: bëhesh pis në shpirt. Në muajt e verës atmosfera që të ofron kryeqyteti shqiptar, nuk është aspak e këndshme dhe e larmishme me aktivitete kulturore. Në vende të tjera të Europës përgjatë sezonit veror, zhvillohen dendur veprimtari kulturore, që veç të tjerash, kanë për qëllim edhe tërheqjen e turistëve, edukimin dhe argëtimin. Por në kryeqytetin shqiptar ndodh krejt e kundërta. “Fajin e ka Saliu”, thotë opozita.
Këto ditë jeta kulturore në kryeqytetin shqiptar është “narkotizuar” sepse është ende pa u certifikuar Basha. Ky qytet i pa-hipotekuar si i banueshëm denjësisht është një skelet pa shpirt, me pak hapësira për t’u rritur, për të gjetur ushqim dhe për të gjetur energji të reja, aq të nevojshme për të prodhuar ide. Në qendër të mendim është fjala “poiesis” të veprosh për të krijuar diçka: është shkëndija e idesë, shenja që ndryshon jetën.
Mirëpo refleksi i jetës së përditshme të një qytetit si Tirana, është turbullira. Në çdo aspekt të saj gjërat janë dukshëm të turbullta, dhe kurrë të qarta. Në mëngjes diell, në drekë zagushi dhe pasdite shi. Paqartësia shtohet edhe më shumë kur shikojmë rrotull se ka më shumë kafene sesa librari, biblioteka dhe galeri. Kuptohet vetiu se është e vështirë të kesh më shumë librari sesa kafene, por kur konstaton se hendeku midis këtyre dy institucioneve është aq i thellë dhe i largët, njësoj si largësia e tokës me diellin, atëherë merret vesh se kemi një problem të jashtëzakonshëm për të zgjidhur. Si artist Edi Rama ia doli me sukses, që në 11 vjet ta kthente Tiranën në një konvikt gjigant, ku i vetmi aktivitet kulturor ishte ai ekonomik, ai i pallateve shumëkatëshe.
Sakaq, i vetmi që ka premtuar një politikë kulturore është dhe mbetet Lulzim Basha, i sapo laureuar Kryebashkiak. Nëse Tirana do të jetë qyteti i 100 mijë studentëve, patjetër, që infrastruktura kulturore ka për të qenë një prioritet futurist në katër vitet e ardhshme. Të presim. Paraprakisht ndërtimi i një Biblioteke Universitare do të shëronte plagët e rënda që ka marrë dituria - dhe përjetësia - në këtë qytet. Ka shumë prej atyre, që presin një ndryshim, një impuls të ri të jetës, në Kryeqytet. Premtimi i Lulzim Bashës për ndërtimin e një Biblioteke të madhe Universitare në Tiranë ishte një sinjal inkurajues e i mirëpritur për mijëra qytetarë, studentë dhe studiues të kryeqytetit. Një bibliotekë që do të mbajë peshën e virtytit qytetar sepse biblioteka konservon jo vetëm kujtesën, por edhe zhduk përgjithmonë të parëndësishmen. Biblioteka është miniera e librave ku gjendet pasuria e çmueshme e dijes njerëzore. Në Oksident ekziston një parametër kulturor, pasja e një biblioteke për çdo 10-15 mijë banorë. Mendoni vetëm për një moment sesa deficitarë jemi në këtë aspekt, kur kemi pothuajse 800 mijë banorë dhe kaq pak biblioteka. Prandaj oferta për ndërtimin e një tjetër biblioteke në Tiranë është pro-europiane dhe ndihmon afrimin e qytetarin me librin e me dijen. Të çmosh dijen do të thotë të jesh një hap përpara.
Sidoqoftë, për ne Lulzim Basha është rikthimi i kësaj shprese shumë të dëshiruar e shumë të votuar në Tiranë. Përzgjedhja qytetare është bërë dhe ka ardhur koha që zotimet e bëra përgjatë fushatës elektorale të kenë sa më parë një nisje, pavarësisht kleçkave ligjore. Sepse Sfida e Bashës për mbajtjen e premtimeve është sfida e së ardhmes.