Benedikti XVI: Krishtërimi nuk është “udhë e rehatisë”, por ngjitje e vështirë

Krishtërimi nuk është ‘udhë e rehatisë’, por ‘ngjitje e vështirë’, që nuk mund të realizohet, nëse nuk beson në ngjalljen e Jezusit, ngjarje që i jep kuptim shpresës së krishterë. Këto janë disa nga pohimet e frymëzuara nga Letrat e Shën Palit, që përshkuan katekizmin e Benediktit XVI mbajtur dje paradite gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Jeta e krishterë do ta humbiste krejt kuptimin, pa ngjalljen e Jezusit. Benedikti XVI shprehu dje të njëjtën bindje, që pati dymijë vjet më parë Pali i Tarsit: mësimi i tij dhënë bashkësive të para të besimtarëve - shpjegoi Papa - niset gjithnjë e në çdo rast nga ky çast zero i fesë: varri i zbrazët, dëshmitarët që, duke hyrë aty, prekin gurët e fashat, Jezusi që u duket këtyre dëshmitarëve pas vdekjes së tij. Që këtu - asokohe për Palin e sot për ne - nis çdo hap i të krishterit drejt shpresës së vërtetë: “Në këtë ngjarje gjejmë zgjidhjen e problemit të shtruar nga drama e Kryqit. Vetëm Kryqi nuk do të mund ta shpjegonte fenë e krishterë, madje do të mbetej tragjedi, që do të tregonte se jeta është krejt pa kuptim. Misteri i Pashkëve duhet parë në faktin se ky i Kryqëzuar u ngjall në të tretën ditë, sipas Shkrimeve - kështu dëshmon tradita parakristiane. E këtu është edhe çelësi i kristologjisë së Shën Palit: gjithçka sillet rreth kësaj qendre gravitacionale’. Por në ç’mënyrë e kumton këtë mister ‘apostulli i madh’, siç e quan Papa? E pse për të është një temë kaq vendimtare? Katekizmi në Sheshin e Shën Pjetrit u përgjigjet pikërisht këtyre dy pyetjeve. Shën Pali - pohoi Benedikti XVI - e kumton Krishtin duke u nisur nga fjalët e traditës, së cilës i qëndron gjithnjë besnik. U përgjigjet pyetjeve konkrete të të krishterëve të parë, dyshimeve të tyre. Kështu mund të themi se kumtimi i Shën Palit është ‘teologji e jetuar’. E këtu Papa, specialist i teologjisë, bëri një digresion mbi rolin e teologjisë moderne: “Teologu, predikatari, nuk krijon vizione të reja të botës e të jetës, por është në shërbim të së vërtetës së transmetuar, në shërbim të faktit real të Krishtit, të Kryqit, të Ngjalljes. Detyra e tij është të japë ndihmesën që sot, pas fjalëve të lashta, të kuptohet realiteti i “Hyjit me ne”, domethënë realiteti i jetës së vërtetë”. Duke respektuar zinxhirin e traditës, të nisur nga Apostujt e parë, Shën Pali arrin ta paraqesë ngjalljen e Krishtit si ‘përmbledhje’ të Ungjillit e si ‘pikë kulmore’ të udhës së shëlbimit. E kjo mënyrë kumtimi na shtyn - vijoi Benedikti XVI - të pyesim ‘pse ngulmon kaq shumë mbi këtë ngjarje’. Sepse - u përgjigj Papa: “Risia e ngjalljes qëndron në faktin se Jezusi, i lartuar nga përvujtëria e jetës së tij tokësore, paraqitet si Bir i Hyjit, të cilit i është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Ngjallja zbulon kështu përfundimisht identitetin e vërtetë dhe madhështinë e jashtëzakonshme të të Kryqëzuarit. Dinjitet i pakrahasueshëm e tejet i lartë: ‘Jezusi është Zot!”. E gjithë kjo - tha në përfundim Papa, duke iu drejtuar turmës - na çon në përfundime shumë të rëndësishme për jetën tonë të fesë, sepse jemi të thirrur të marrim pjesë në të gjithë ngjarjen e vdekjes e të ngjalljes së Krishtit. Jemi të thirrur për një shpresë, e cila kalon nëpër udhën e një impenjimi të madh: “Teologjia e Kryqit nuk është teori – është realitet i jetës së krishterë. Të jetosh në fenë e Jezu Krishtit, të jetosh vërtetësinë e dashurinë, nënkupton vetmohimin e përditshëm, nënkupton vuajtjet. Krishterimi nuk është udhë e rehatisë, përkundrazi, është ngjitje e vështirë, e ndriçuar nga drita e Krishtit e nga shpresa e madhe që lind prej Tij”. Në përfundim të katekizmit e të përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI u ndalua në mënyrë të veçantë tek misteri i vdekjes, të cilin Kisha e kremton këto ditë. Ky mister - u tha Papa të rinjve - nuk duhet t’ju trishtojë, por t’ju nxisë ta vlerësoni plotësisht rininë tuaj, duke u orientuar gjithnjë më shumë drejt vlerave shpirtërore, që nuk humbasin kurrë. Të sëmurët, Papa i ftoi të mos e humbasin besimin në Krishtin, me bindjen se në çdo situatë jemi gjithnjë në duart e tij. Të sapomartuarve, në përfundim, Benedikti XVI u kujtoi se perspektiva e jetës së pasosur duhet të jetë inkurajim për ta ndërtuar familjen, të udhëhequr nga Krishti e nga Ungjilli i tij.
Bashkia e Oksfordit fshin të gjitha referimet që kanë të bëjnë me Krishtlindjen - ateizëm i pathemeltë/Bashkia e Oksfordit të Britanisë Madhe ka vendosur të heqë me ligj çdo referim të Krishtlindjes. Të gjitha festat me 25 dhjetor e vijim do të hyjnë tash e mbrapa në të ashtuquajturat “Festime të dritës dimërore”. Qëllimi sipas autoriteteve të kësaj bashkie britanike është që të ridimensionohet jehona e tepërt që ka kjo festë e krishterë në krahasim me fetë e tjera. Kundër këtij vendimi protestuan menjëherë jo vetëm anglikanët dhe katolikët, por edhe hebrenjtë e myslimanët. “Besimtarët myslimanë dhe ata të besimeve të tjera - pohoi Këshilli mysliman i Oksfordit - e presin me padurim Krishtlindjen, një festë e veçantë që nuk mund të fshihet me një të rënë të lapsit”. Mbi këtë vendim të bashkisë së Oksfordit që ngjalli shumë diskutime, në mikrofonin e Radio Vatikanit u shpreh Imzot Xhanfranko Ravazi, president i Këshillit Papnor për Kulturën.
“Dëshira, sipas mendimit tim, nuk është aq ajo e arritjes së rivendosjes së një dialogu në atë mënyrë që të shmangen shpërdorimet, teprimet e veprime e padrejta, por më tepër, ajo e shuarjes deri në atë pik aq sa të zhduket çdo identitet personal, çdo histori që është pas nesh, e jo të vendoset kurrë dialogu i vërtetë. Dialogu i vërtetë ndërtohet përmes identiteteve; prandaj, në këtë rast, unë mendoj se nuk bëhet fjalë vetëm për një ekstravagancë, por së fundi edhe për një mohim të vetëdijshëm - nuk e di deri në ç’pikë - të një madhështie që e kemi pas nesh, e cila e ndërton vetë fytyrën e identitetit. Është një frazë e poetit të madh anglo-amerikan Eliot, i cili thoshte : “Nëse ne lejojmë që të veniten tiparet tona të krishtera, atëherë, në fund, ne nuk humbim vetëm vetveten, por humbasim edhe fytyrën (identitetit) tonë”. Lidhur me identitetin e krishterë dhe rrezikun se pse po avancon në botë kjo valë e re indiferentizmi, ai u përgjigj: “Ndërsa në të kaluarën, kur luftohej prania e shenjave fetare, kjo gjë bëhej me argumente, madje deri edhe me dëshirën që t’i kundërvihej një sistem alternativ, tani, shpeshherë, ky avancim i mohimit është bërë një lloj vale e pangjyrë, e mjegullt, po synohet futja e një elementi kaq të rrjedhshëm e të paqëndrueshëm që është edhe karakteristika e shekullarizimit aktual. Zoti nuk mohohet, por injorohet krejtësisht e prandaj edhe impenjimi baritor bëhet edhe më i ndërlikuar, sepse përballë një mohimi, mund të sjellësh argumente, kurse përballë kësaj lloj “loje të shoqërisë”, të pangjyrë, të pa aromë, të pashije, kemi, në fund të fundit, vetëm pamundësinë e reagimit. Tani ne nuk kemi më ateizmin në kuptimin e fortë, ndonjëherë dramatik si në të kaluarën. Tani ne kemi indiferencën, mospërfilljen. Kjo indiferencë hollon ngjyrat e çdo gjëje, zbeh i nxjerrë bojën, e së fundi, ndoshta e pengon njeriun edhe t’i bëjë pyetje vetvetes - siç bëjnë të gjitha fetë e mëdha - mbi temat themelore, tema kryesore që vijnë e shkrihen brenda një atmosfere kaq të pavlerë e të pathemeltë.
...