Ligji për të cilin ia vlen ta zhbësh kabinetin maqedonas
Për shkak se shoqëria jonë është e dalldisur aq shumë pas numrave, statistikave dhe operacioneve tjera aritmetike në politikë, atëherë mund të vijmë në përfundim se obligimi kombëtar dhe politik në mënyrë të barasvlefshme i takon edhe BDI-së edhe PDSH-së, por obligimi moral më së shumti i takon BDI-së, gjegjësisht liderit të saj Ali Ahmetit, pasi ai gjithmonë thirret në titullin ushtar dhe në nocionin luftë. Në rast se ai nuk bën përpjekje maksimale për miratimin e këtij ligji, kjo do të ishte një dezertim në kohë të paqes, në fakt do t'i linte në baltë bashkëluftëtarët e tij. Çdo nismë shoqërore llogaritet se është e suksesshme në rast se ajo arrin nëpërmjet akteve juridike të institucionalizohet nëpër organet, institucionet dhe institutet e shtetit. Procesi i institucionalizimit, nismës shoqërore i siguron vazhdimësi deri në momentin kur faktori kohë e llogarit si të absolvuar. Kur çështja kryesore e nismës shoqërore absolvohet, atëherë vazhdimësia transformohet në përjetësi në formën e faktit historik, i cili mund të ketë përdorim të shumëanshëm. Nisma për përpilimin dhe miratimin e një Ligji për Statusin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës (konfliktit të armatosur) të vitit 2001 ka kohë që përflitet, por si duket të gjithë u ikin ndërmarrjeve të akteve konkrete. Në opinion publik është krijuar përshtypja se ligji duhet të ketë kryesisht karakter social. Gjithsesi se duhet të pajtohemi me këtë, por ama ky lloj ligji në vetvete përmban edhe tri dimensionet tjera të cilat janë pengesë për palën maqedone, ndërkaq sikurse të ishte në pyetje vetëm sfera sociale atëherë pala maqedone as që do ta kontestonte miratimin e një ligji të këtillë. Sikurse të kërkohet një zgjidhje tjetër me akt nënligjor, ku kësaj kategorie njerëzish do t’u jepej lëmoshë mujore, atëherë e gjithë lufta e vitit 2001 për status të barabartë të shqiptarëve në këtë shtet do të diskreditohej. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se asnjë shqiptar i kësaj pjese nuk ka vdekur për bukë (sot më askush nuk vdes për bukë, por vdes për luks), andaj një lëmoshë e tillë për ata që sakrifikuan do të ishte vërtet fyese. Dimensionet tjera Është më se normale që kategoria e familjeve të dëshmorëve dhe statusi i invalidëve të luftës duhet të rregullohet fillimisht në sferën sociale. Jemi te vetëdijshëm se ky dimension është stërmadhuar dhe problematizuar me tendencë të caktuar. Por le t`i shohim tri dimensionet tjera të miratimit të një ligji të këtillë. Dimensioni i parë është ai juridik. Në rast se do miratohet ligji, atëherë palët në konflikt do ta fitonion barabarësinë në aspektin formalo-juridik. Kjo ndoshta nuk ka shumë rëndësi tani, por ama për të ardhmen miratimi i këtij ligji do të ishte një referencë për historinë. Gjithashtu me përfitimin e barabarësisë në konflikt edhe në aspektin formalo-juridik termi terrorist do të binte nga përdorimi apo askush më nuk do t'i referohej deklaratës fillestare të Robertsonit se kryengritësit janë kriminel. Dimensioni politik do ta mbronte më së miri karakterin dhe shkaqet e luftës. Kështu do të binte në ujë hipoteza se lufta u bart nga Kosova, gjithashtu shqiptarët edhe në aspektin politik do ta kërkonin trajtimin e barabartë si bashkësi etnike, me këtë Kosovës do t'i hiqej referenca e shtetit gjenerator të konflikteve të armatosura (atë që dëshiron Serbia ta prezantojë nëpër botë). Ndërkaq dimensioni historik, ndoshta edhe më i rëndësishmi për nga vlera reale, konsiston në faktin se me këtë de jure do të pranohej se shqiptarët prej vitit 1945 e deri në vitin 2001 kanë qenë të diksriminuar dhe ky diskriminim ishte shkaku kryesor i plasjes së luftës dhe jo ndonjë shkak tjetër i sajuar nga qendra të caktuara politike. Në rast se do t'i rradhitnim këto dimensione për nga rëndësia e tyre reale ata do të reshtoheshin në këtë mënyrë: dimensioni historik, politik, juridik dhe social. Përgjegjësia e miratimit Miratimi i një ligji të këtillë është obligim kombëtar, moral dhe politik për të dy subjektet politike shqiptare. Për shkak se shoqëria jonë është e dalldisur aq shumë pas numrave, statistikave dhe operacioneve tjera aritmetike në politikë, atëherë mund të vijmë në përfundim se obligimi kombëtar dhe politik në mënyrë të barasvlershme i takon edhe BDI-së edhe PDSH-së, por obligimi moral më së shumti i takon BDI-së, gjegjësisht liderit të saj Ali Ahmetit, pasi ai gjithmonë thiret në titullin ushtar dhe në nocionin luftë. Në rast se ai nuk bën përpjekje maksimale për miratimin e këtij ligji, kjo do të ishte një dezertim në kohë të paqes, në fakt do t'i linte në baltë bashkëluftëtarët e tij. Kurse deri më tani asnjëra parti nuk ka shpreh gatishmëri serioze për ta miratuar këtë ligj, madje edhe në gjashtë pikat e marsit të PDSH-së, në katër pikat e rradhitjes përmendet termi ligj, kurse kur vjen puna te statusi dëshmorëve, fjala ligj zëvendësohet me togfjalëshin zgjidhje e statusit. Në rast se do ta bënim një përmbledhje reale të veprimeve partiake në lidhje me këtë çështje do të vinim në këtë përfundim: 1. Kjo çështje është përdor vetëm për marketing medial ose parazgjedhor, 2. Këtë çështje nuk mund ta zgjidhë një parti e vetme, por nevojitet bashkëpunim i të dy partive shqiptare dhe 3. Për këtë ligj ia vlen të dilet nga qeveria por me kusht që partia shqiptare në opozitë (cila do qoftë) mos të vrapojë të hyjë në qeveri. Për tu përmbushur përfundimi i dytë dhe i tretë, duhet patjtetër të dy liderët e partive politike shqiptare fillimisht të komunikojnë e më pastaj edhe të kohabitojnë politikisht njëri me tjetrin, në rast se kanë mundur të komunikojnë Xhon Kenedi me Hrushçovin (komunikim që u vendos pas krizës së raketave në Kubë) për çështje të interesit botëror, përse të mos mundin të komunikojnë këto dy liderët tanë provincial?! “Ekspertët juristë” Tetova ka dy universitete, ku në kuadër të këtyre operojnë dy fakultete juridike. Këto fakultete përveç karakterit arsimor që e kanë, me siguri se duhet të bartin edhe përgjegjësi shoqërore. Deri më tani këto dy fakultete nu kanë ndërmarrë asnjë nismë juridike, e cila do të ishte në interes kombëtar. Si për shembull le të përpilonin një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe apo le të ndërmarrin një nismë para Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e atyre dispozitave ligjore të cilat i favorizojnë nënat maqedonase gjatë lindjes së fëmijëve, (nuk mund tatimet e shqiptarëve ta inkurajojnë fertilitetin e maqedonsave), por si duket këto ekspertë juristë i mbajnë titujt e magjistrave dhe doktorave vetëm për tu mburur nëpër kafeteritë e ndyra të lagjeve. ...