Edi Rama sulmon drejtësinë: “Do kthejmë gjykatat popullore”

Me një logjikë staliniste, Edi Rama ka shpërthyer dje ndaj sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar se do ta shkërmoqë krejt shtetin e do t’i prishë institucionet, nëse do lejohet të vijë në pushtet. Ai foli për “gjykime publike”, të cilat të kujtojnë gjykatat popullore të diktaturës enveriste
Nuk mund të rrinte pa folur Edi Rama dje pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ndaj të akuzuarve për ngjarjet e 21 janarit. Këtë edhe bëri. Foli. Foli sikurse ka folur edhe për aksidentin e rëndomtë të Kosta Trebickës, për rrugën e Kombit, për Gërdecin…, etj…, etj…
Por ndryshe nga të folurit e mëparshme, dje Edi Rama bëri një hap më përpara në këndvështrimin e tij ndaj drejtësisë.
Ndërsa më herët Edi Rama ka folur nga pozitat e prokurorit, duke dhënë “verdiktin” e tij edhe për Kosta Trebickën, edhe për rrugën e Kombit, edhe për Gërdecin, por edhe për 21 janarit, duke premtuar aty-këtu edhe ndonjë dekoratë apo titull nderi të tipit “dëshmor”, dje ai “i vari vetes në qafë për të tundur edhe këmborën” e gjykatësit.
Këtë e tha shkoqur, kur paralajmëroi “procese publike (gjyqësore), pas 23 qershorit 2013 (sigurisht në qoftë se ai do të vijë në pushtet), me shumë gjasa nëpërmjet rikthimit të “gjykatave popullore”.
Duke hapur një parantezë këtu, kujtojmë se “gjykatat popullore”, dikur para vitit 1990, ishin gjykime “të hapura”, që zhvilloheshin kryesisht nëpër lagje e blloqe banimi. Trupi gjykues e të quajturave “gjykata popullore”, përbëhej nga “gjyqtarë”, që si formim të tyre në fushën e drejtësisë, kishin arsimim të tipit, këpucar, kovaç, marangoz, traktorist, karrocier, punëtor komunaleje etj..., etj... Ndërsa “të akuzuarit”, e “të gjykuarit”, ishin kryesisht të rinj me prirje “dekadente”, apo edhe ndonjë femër, që ushtronte të drejtën e saj për të filtruar apo pasur ndonjë marrëdhënie seksuale...
Këtë lloj drejtësie paralajmëroi Edi Rama dje me paralajmërimin për “procese publike (gjyqësore)”, duke i veshur vetes petkun e “kryegjyqtarit popullor”...