E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Nnuk mund të kuptohet Shkrimi i Shenjtë, nëse harrohet frymëzimi hyjnor i tij

07-05-2011 / Gazeta 55

Shkrimet e Shenjta nuk mund të kuptohen, nëse harrojmë se ato janë frymëzuar nga Zoti: ky ishte thelbi i mesazhit të Papës për asamblenë e përgjithshme të Komisionit Papnor Biblik, kryesuar nga kardinali Uiliam J. Levada. Punimet e asamblesë vazhdojnë në Vatikan, me temën “Frymëzimi dhe e vërteta e Biblës”. Benedikti XVI thekson edhe një herë atë që ka shkruar në Këshillimin Apostolik “Verbum Domini”. “Interpretimi i Shkrimeve të Shenjta, duke harruar ose duke lënë mënjanë se nga janë frymëzuar, nuk merr parasysh karakteristikën e tyre më të rëndësishme e më të çmuar”, që është “prejardhja nga Zoti”. Pavarësisht se fjalët e njeriut mund të jenë me bukuri e thellësi të jashtëzakonshme, në Shkrimin e Shenjtë, ato pasqyrojnë Fjalën e Zotit. Hyji, shpjegon Papa, na e drejton fjalën për të zbuluar vetveten e për të na e bërë të njohur misterin e vullnetit të Tij, si edhe planin e shëlbimit për mbarë njerëzimin. Prandaj, impenjimi për të zbuluar gjithnjë e më shumë të vërtetën e Librave të Shenjtë duhet të na çojë natyrshëm në njohjen gjithnjë e më të madhe të Zotit e të vullnetit të Tij. Benedikti XVI u tërheq vëmendjen atyre teologëve, që kërkojnë mekanikisht të vërtetën absolute, ose thellohen më kot në një frazë, apo shprehje, të shkëputur nga konteksti. Kuptimi i drejtë i Shkrimit Shenjt, vazhdon Papa, kalon përmes “unitetit të historisë së Zotit”, në të cilën elementet e veçanta sqarojnë e hedhin dritë mbi njëri-tjetrin, duke ia hapur kështu rrugën kuptimit të krejt tekstit. Së fundi, Benedikti XVI shprehu vlerësimin e tij të lartë për punën e Komisionit Papnor Biblik në nxitjen e njohjes, të studimit e të pranimit të Fjalës së Zotit në botë.
Mision përmes veprave bamirëse: Benedikti XVI falenderon “Papal Foundation”/Kisha është misionare për natyrën e vet: kështu u tha sot paradite Benedikti XVI anëtarëve të “Papal Foundation” (Fondacioni Papnor), shoqatë bamirëse amerikane, themeluar në vitin 1990 nga kardinali Xhon Krol. Fondacioni mbështet dioqezat në vështirësi, sidomos në vende të goditura nga varfëria, lufta e fatkeqësitë natyrore.
Papa e vlerësoi punën e Fondacionit si një kontribut të rëndësishëm për misionin e Kishës përmes veprave të bamirësisë, duke nënvizuar se projektet e tij kanë për qëllim zhvillimin e përgjithshëm të njeriut. Pra, jo vetëm ndihma ekonomike, por edhe inkurajimi i aktiviteteve apostolike në dioqeza e në kongregatat fetare në botë. Fondacioni i kushton kujdes të veçantë formimit të krerëve të ardhshëm të Kishës dhe mbështet veprimtarinë e Selisë së Shenjtë: “Në këtë mënyrë, ju dëshmoni se Kisha është misionare për natyrën e saj. Fondacioni lindi si mjet për t’i treguar solidaritet praktik pasardhësit të Shën Pjetrit në kujdesin e tij për Kishën universale”.
E më pas, Papa uroi: “E jetofshi këtë impenjim ndaj idealeve të Fondacionit si shprehje të privilegjuar të impenjimit tuaj si të krishterë në Kishë e më përpara akoma, në botë”.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI kujtoi fjalët e Këshillimit Apostolik postsinodal “Verbum Domini”: “Është përgjegjësia jonë ta përçojmë atë që kemi marrë, në sajë të hirit të Tënzot”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›