E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja e dilemave të Uashingtonit në Lindjen e Mesme

07-05-2011 / Nga Richard A. Falkenrath (Foreign Affairs)

A ishte Bin Laden pjesa më e lehtë?

Të dielën, Osama bin Laden u godit për vdekje nga trupat speciale amerikane në një operacion të zhvilluar në Pakistan. Vrasja e bin Laden ishte e drejtë dhe një veprim shumë i nevojshëm, që duhet marrë si një kënaqësi paksa e zymtë dhe jo si një ekzaltim.
Vdekja e tij pati përzierje globale që janë edhe të mprehta, edhe komplekse – mbase kjo do t’ia ndërlikojë më shumë jetën politikëbërësve amerikanë në luftën dhe kërcënimin ndaj grupeve terroriste.
Nuk ka asnjë arsye të presim që kërcënimi islamik terrorist të pakësohet, si rezultat i vdekjes së tij. Bin Laden prej një kohe të gjatë ishte liruar nga kontrolli taktik i komplotit global terrorist, e përçuar kjo nën banderolën e al Kaedës, organizata terroriste që e krijoi më 1990.
Ai u përfshi më planifikimin dhe drejtimin e sulmeve të al Kaedës më 1998 kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzania, në sulmin e vitit 2000 kundër ambasadës amerikane në Jemen,  dhe padyshim, edhe në sulmin e 11 shtatorit të vitit 2001.
Pas agresionit të fortesës së tij në Afganistan dhe fluturimit për në Pakistan në fund të vitit 2001, u bë krejt e qartë për të se shpëtimi i jetës së tij varej nga kufizimi i kontakteve të tij fizike me botën e jashtme, në minimumin e mundshëm.
Planifikimi dhe drejtimi i komploteve pas 11 shtatorit nga ana e al Kaedës, siç ishte bombardimi i një metroje në Londër në korrik të 2005 dhe komploti kundër fluturimeve amerikane më 2006, kundrejt Londrës, iu deleguan një vargu komanduesish operacionalë, por asnjë prej tyre nuk jetoi gjatë.
Bin Laden u bë i njohur vetëm si një zë pa trup në një regjistrim me video apo në një imazh jo të qartë në një video të rastësishme dhe aspak profesionale.
Edhe në këtë rol bin Laden ishte një keqdashës, një frymë e gjallë në një dyzinë komplotesh terroriste dhe këtë rol ai madje e luan edhe tani, pas vdekjes.
Al Kaeda pësoi metastazë në një lëvizje të pazhvilluar të decentralizuar terroristësh islamikë dhe celulash kudo në botë.
Në të njëjtën kohë, largimi i bin Laden nga ekuacioni i terrorizmit mund të komplikojë operacionet globale amerikane në luftën kundër terrorizmit, po ashtu edhe çështjet e perceptimit në politikën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.
Shumë nga tiparet më të rëndësishme të një programi efektiv kundër terrorizmit – rekrutimi i agjentëve, përdorimi i njëanshëm i forcave vdekjeprurëse me rrezikun e humbjes indirekte dhe frika, marrja në pyetje dhe nganjëherë interpretimi i dyshimeve janë të papëlqyeshme politikisht dhe të rrezikshme nga ana ligjore, po ashtu edhe jopopullore.
Edhe pse e paprecedent, kjo shkallë e koordinimit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera, si Arabia Saudite, Egjipti, Malajzia, Kenia e shumë të tjerë, të cilat më parë kishin një pikëpamje skeptike, pse jo edhe antagoniste, politika e jashtme amerikane ishte historikisht e pazakontë.
Ka shumë mundësi që vdekja e bin Ladenit ka për t’u konceptuar si fundi i viteve të arta të luftës kundër terrorizmit, si një dekadë rravgimi në politikat globale, ku qeverisjet kombëtare bashkëpunuan si kurrë më parë në luftën kundër kërcënimit transnacional.
Është më se e vërtetë që Pakistani ishte vendi ku u fsheh kohët e fundit bin Laden dhe ithtarët e tij të al Kaedës, pasi u shpëtuan forcave amerikane dhe angleze në Afganistan.
Sidoqoftë, Pakistani ishte për al Kaedën një strehë e sigurt, deri më 2008, kur presidenti Xhorxh Bush humbi durimin dhe besimin te vullneti i qeverisë pakistaneze dhe tek aftësia për të marrë përsipër al Kaedën, kështu që autorizoi veprime të drejtëpërdrejta kundër al Kaedës dhe ekstremistëve të tjerë brenda Pakistanit.
Goditjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shtuan nga 4 në vitin 2007 deri në 33 më 2008; ky ritëm u rrit edhe më shumë tashmë në kohën e Obamës, nga 53 më 2009, deri në 118 më 2010 (të dhënat vijnë nga fondacioni Amerika e Re).
Ndërkaq, bota e sekretit në mësymjet e komandës amerikane në Pakistan nga bazat amerikane në Afganistan nisi të dilte në shesh.
Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pakistan nuk kanë qenë popullore mes elitës së pushtetarëve pakistanezë apo edhe vetë popullit, veçanërisht kur goditjet amerikane nisën të kishin objektiv grupet ekstremiste pakistaneze.
Edhe pse militantët nga këto grupe siguruan strehë dhe trajnim te disa operativë të al Kaedës, do të kishin edhe më pak, nëse ambiciet operacionale do të shkonin përtej Azisë Jugore.
Qeverisë pakistaneze mund t’i duhen edhe pak javë për të marrë veten nga çoroditja prej pranisë së gjatë të bin Ladenit edhe jashtë Islamabadit, por ka pasur edhe dyshime për këtë dhe mbase kjo do të çonte në intensifikimin e kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga cenimi i sovranitetit të Pakistanit.
Uashingtoni, nga ana e tij, do të gjejë vështirësi në shpërfilljen e këtyre thirrjeve, ashtu siç kanë rëndësi edhe interesa të tjera jetësore amerikane në Pakistan, siç është siguria e arsenalit të armëve nukleare të Pakistanit, aftësia për të risiguruar forcat amerikane në Afganistan prej qyteteve me dalje në det në Pakistan dhe stabiliteti në marrëdhëniet indo-pakistaneze.
Vdekja e bin Ladenit do të ndikojë në luftën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan, po ashtu. Kjo dekadë e gjatë nisi ta shpartallonte al Kaedën, një synim ky, që pati mbështetje të thellë politike.
Por tashmë, populli amerikan po jep shenja lodhjeje. i vetmi synim i luftës që përputhet me klasën politike amerikane sot është parandalimi i  gjendjes kritike në Afganistan, si një strehë e sigurt për terroristët ndërkombëtarë.
Me ikjen e bin Ladenit Obama mund të humbasë edhe burimi i fundit i përkrahjes publike për luftën në Afganistan.
Mbi të gjitha, vdekja e bin Ladenit ishte vdekja e një simboli – në këtë rast bëhet fjalë për një simbol me  kuptime të ndryshme për komunitete të ndryshme.
Mbijetesa sfiduese e bin Ladenit në fortesën e tij në Pakistan, jo vetëm i frymëzoi xhihadistët në mbarë botën, por gjithashtu lejoi një thjeshtëzim të përkohshëm të strategjisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: një përqendrim të patundur në mbrojtjen e atdheut amerikan nga një sulm tjetër shkatërrues terrorist.
Siç pohoi Bushi në fund të 2001 “Me kalimin e kohës do të jetë e rëndësishme, që kombet të dinë se do të jenë të përgjegjshme për inaktivitetin e tyre. Ju ose jeni me ne, ose kundër nesh në luftën kundër terrorizmit”.
Edhe pse hoqi dorë nga retorika e hapur, Obama vazhdoi politikat e luftës kundër terrorizmit në Shtëpinë e Bardhë të Bushit.
Kësisoj, ai shtoi goditjet kundër veriut të Pakistanit; shtoi për herë të parë edhe një qytetar amerikan, Anëar al-Aëlaki, në listën sekrete të njerëzve që mund të vriten nga forcat ushtarake amerikane; dhe mbajti në qendër të vëmendjes luftën kundër terrorizmit në krye të marrëdhënieve amerikane në rangun e shteteve të “linjës kryesore” nga Afrika e veriut deri në Azinë Juglindore.
Vetëm armiqësia e mbështetur te Uashingtoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundrejt autorëve të krimit të 11 shtatorit, lejoi një përqendrim kaq të fortë dhe të patundur në politikën e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vdekja e bin Ladenit kësisoj e ka lënë Amerikën në një pikë kthese konceptuale larg prej qartësisë strategjike, të epokës së pas 11 shtatorit.
Sfida e al Kaedës dhe mbrojtja e atdheut do të bëhet një çështje periferike gjithnjë në rritje për politikëbërësit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lindja e Mesme, për shembull, është mbërthyer nga forca më të fuqishme se ajo e al Kaedës dhe i paraqet sfidat politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më komplekse sesa ka patur vetë terrorizmi.
Kërcënimi i ekstremizmit islamik është vetëm njëri prej shumë rreziqeve – dhe në asnjë mënyrë më e rëndësishmja – e lidhur me trazirat politike në Tunizi, Egjipt, Libi, Bahrein, Siri dhe Jemen.
Këto ngjarje paraqesin dilema të thella, e të pazgjidhshme për Obamën dhe zyrtarët e tij: kur dhe si duhet marrë mbështetje nga protestat demokratike autokrate? Si shpjegohet politika e bazuar në vlera kundrejt një vendi arab, ndërkohë që ka një politikë interesi të bazuar kundrejt një vendi tjetër arab të rëndësishëm?
Kur dhe si të përdoret fuqia ushtarake e një koalicioni të thyer, për të mbrojtur një bandë rebelësh nga një diktator i xhindosur dhe i çmendur?
Si të mbrojë reformën e brendshme demokratike në vendet që nuk kanë traditë politike demokratike dhe ku është më legjitime politika e Islamit apo alternativa e lidhur me regjimet e vjetra korruptive? Administrata e Obamës do të nxjerrë përgjigjet për të gjitha këto pyetje, ndërkohë që ende kacafytet me Guantanamon dhe trashëgiminë problematike të luftës kundër terrorit mes politikave të brendshme.
Kundër kësaj axhende jashtëzakonisht të vështirë, vrasja e bin Ladenit ishte ngjarja më e rrallë në politikën e sotme moderne amerikane: diçka për të cilën gjithkush ndihet mirë. Me kalimin e kohës, dërgimi i forcave speciale për vrasjen e bin Ladenit mund të konsiderohet si një nga vendimet më të arritshme, që Obama ka bërë në mandatin e tij të parë.
Përktheu Rudina Dahri

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›