E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Qytetarë të Tiranës, votoni për shpëtimin e kryeqytetit, votoni për Lulzim Bashën

07-05-2011 / Nga Auror Destrani (SHBA)

Në një libër voluminoz turistik, me titull “501-Must-Visit-Cities”, botuar në Angli  në vitin 2010, janë përfshirë 501 kryeqytete e qytete të botës. Europa e quajtur ndryshe, Europa plakë, me qytetet e saj me art klasik, ku bëjnë pjesë edhe qytetet shqiptare, shkëlqen me historinë e saj mijëravjeçare. Në këtë botim me foto e shkrime shihen qytete, si Londra, Athina, Roma, Bolonja, Milano, Venecia, Napoli, Parisi, Brukseli, Berlini, Hamburgu, Magdeburgu, Dresden, Viena, Praga-Stambolli, Izmiri, Sofja etj. Turistët e shumtë që dynden nëpër këto qytete shkelin mbi gjurmët e kohëve iliriane, helene, romake, venedikase etj. Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një histori jo të largët, nëse dikush do të ndermerrte një udhëtim turistik, ose do të kërkonte në kompjuter pamjet e qyteteve, si Uashingtoni, Bostoni, e Usteri do të befasohej nga bukuria e tyre e rrallë klasike, me ndërtesa  shumica  me konstruksione druri, me dy apo tri kate e me çati, që mirëmbahen e rinovohen vazhdimisht, me ura e rrugë të pastra, pranë liqenesh, lumenjsh e oqeanit, nën një blerim të dendur e çlodhës. Po atë pamje klasike kanë Otava, e Kebeku në Kanada, me lumenj, liqene e parqe pa mbarim, ku turistë të shumtë vizitojnë edhe parlamentin e mrekullueshëm në qendër.
Ndryshe nga botimet e mëparshme, aty paraqiten edhe disa nga qytetet tona, si Shkodra, Tirana, Gjirokastra-pasuri e UNESKO-s dhe Prizreni. Mandej, Shkupi-zona shqiptare, Gostivari dhe Ohri, të njohur për banorët e shumtë shqiptarë. Tirana tregohet vetëm me një foto, ku shihet një mur i kohës së diktaturës, lyer e ngjyer me vija të kuqe, rozë e jeshil, siç dihet, nga Bashkia e të ashtuquajturit piktor Edvin Rama. Ndër të tjera aty autori i librit përmend planin rregullues italian, me sheshet, bulevardet, rrugët dhe ndërtesat e dikurshme monumentale. Mandej shkruan se në Bllok, për 35 vjet me radhë jetuan sundimtarët komunist, se tani në Tiranë qarkullojnë mijëra automjete nga 700 të kohës nën E. Hoxhën. Për shkak të trafikut të dendur, sidomos në zonat qendrore, Tirana, sipas tij, është një nga qytet më të ndotura të Europës. Megjithatë, autori tërheq vëmendjen e turistëve, se ky vend mesdhetar duhet të vizitohet, sepse qytetarëve u është kthyer mirësjellja dhe humori.
Pa u zgjatur me ndërtimet e viteve 20-40, shumëkush e di, se Tirana e paraluftës ishte gjithashtu një qytet me frymëmarrje të gjerë e nën blerim, me Bulevardin e madh nga kulla e bardhë, ku sot është Universiteti i Tiranës, deri në Maternitet. Në qendër hapej Sheshi rrethor “Skënderbej” me park e ndërtesat monumentale të ministrive, me Bashkinë në ballë, që u shemb barbarisht për Muzeun Historik, me Pazarin e Vjetër në lindje, që u rrafshua pa mëshirë për Pallatin e Kulturës, me Kishën katolike dhe Ortodokse, që u sheshuan  mizorisht për Hotel Tiranën apo 15- katëshin, si kunj mbi shtëpitë tiranase. Një humbje e rëndë për turizmin shqiptar në kryeqytet nga sistemi komunist. Drejt perëndimit, zgjateshin rruga e Kavajës me dy kalime nën hijen e pemëve, rruga e Durrësit me drurë anash, rruga e Shkodrës, sot Mine Peza, që pritej nga rruga e këndshme e Fortuzit me vila doktorësh e profesorësh nën hije pemësh. Drejt jug-lindjes, rruga e Elbasanit me një varg vilash, rruga për në Kryegjyshatë, sot “Ali Demi” etj. Drejt malit të Dajtit, shtrihej rruga e Dibrës, rruga e Pazarit të Ri, Sheshi, sot me emrin “Avni Rustemi” dhe përbri Pazari i Ri, rruga Hoxha Tasim etj. me dalje në Rrugën Bardhyl. Gjatë luftës, Lana e betonuar anash e ndante qytetin në dy pjesë, “Tirana e Vjetër” me shtëpi dykatëshe gjatë rrugicave, me oborre, puse e kopshte; “Tirana e Re” me rrugë të drejta e blloqe pallatesh luksoze trekatëshe, me oborre e puse të rrethuara me mure guri të ulta e kangjella druri, me emrat, “Pallatet e Aviacionit”, “Pallatet e Xhenjos”, “Pallatet e Moskatit” dhe vila të shumta. Pra, plani rregullues italian jepte mundësi që disa
zona të Tiranës së Vjetër me vlera kombëtare e historike, të ruheshin nëpërmjet mirëmbajtjes e rinovimit, për rrjedhojë do të ruhej, po ashtu edhe historia e saj, që do të joshte mijëra turistë nga bota. Por diktatura që rrethoi vendin me tela me gjemba dhe me bunkerë, me sytë e vigjilencës shihte tek vizitorët e rrallë vetëm armiq dhe agjentë. Në një kohë, kur as Kruja, madje as disa zona të Beratit nuk shpëtuan nga ndërtimet e rëndomta në lagjet e vjetra me vlera kombëtare, për Tiranën nuk bëhej më fjalë për monumente të kulturës dhe turizëm. Historia e Tiranës po mbulohej kudo e tjetërsohej nga themelet, muret e simbolet e komunizmit. Në gjurmët e bllokmenëve, përsa i përket  trajtimit të Tiranës në dëm të turizmit  gjatë këtyre viteve ka ecur edhe kryebashkiaku sherrxhi Edvin Rama me betonizimin e egër jashtë çdo plani rregullues. Pra kryeqyteti ynë duhet të dalë sa më parë nga kjo gjendje e vështirë. Basha është shprehur “se do të krijojmë një kulturë të re konsensusi me qytetarët, për interesat e qytetit dhe testi më i madh këtu do të jetë plani i ri urbanistik i Tiranës dhe unë ju siguroj se do të bëj gjithçka që ky plan i ri urbanistik të ketë shenjën biometrike të çdo qytetari të Tiranës”. Pra, ka ardhur koha që Tirana, të dalë nga gjendja e rënduar për shkak të dramave dhe aventura të rrezikshme të kryebashkakut në ikje Edvin Rama. Votat e qytetarëve të Tiranës më 8 maj për Lulzim Bashën do ta shpëtojnë kryeqytetin tonë të dashur, nga shqetësimet, ditën e natën, nga papunësia dhe nga rrënimi i mëtejshën me betonizimet skandaloze edhe në parqe, nga shfarosja e gjelbërimit dhe e këndeve sportive. Synimi përfundimtar është punësimi nëpërmjet turizmit masiv me ulje taksash, zgjerimi i qytetit deri në bregun e lumit, unaza e madhe, hapja e shkollave të reja, strehimi bashkëkohor etj. Turizëm do të thotë mirëqenie. Vota për Lulzim Bashën më 8 maj  do të hap horizontin për arritjen  e këtij synimi patriotik. Kjo do të arrihet nga Bashkia e Lulzim Bashës, në bashkëpunim të fuqishëm me qytetarët e me Qeverinë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›