Thyhet rezistenca e Greqisë – Samaras shpall se është i gatshëm të shesë ishujt
Kriza detyron Greqinë të kapërcejë vijat e kuqe anti-privatizim dhe të nxjerrë në shitje një numër ishujsh turistikë. Njoftimi është përpjekur të fshihet pas deklaratave-limonata që u dhanë pas takimit të kryeministrit Samaras me kancelaren Angela Merkel
Athina nuk do të marrë këstin e radhës, pasi siç theksoi edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, duhet shikuar nëse Greqia ka marrë notë kaluese në raportin e përgatitur nga Trojka. Kësisoj, e dëshpëruar si kurrë më parë në historinë e saj, si pasojë e borxheve të mëdha që duhet të kthejë, një buxheti i cili po gërryen ashtu si një stomak bosh, Greqia ka vendosur që t’i shndërrojë vijat e kuqe anti-privatizim në vija të gjelbra, duke lejuar kështu shitjen e disa prej ishujve të saj të pabanuar, por edhe të territoreve shtetërore që ndodhen në zona të mëdha turistike. Në një zonë të ishullit Mykonos-kryeqendra e turizmit grek - ndodhet një territor për t’u shitur. 1/3 e këtij territori ndodhet nën pronësinë e qeverisë greke, e cila po pret një blerës i cili do të injektojë kapital dhe do të zhvillojë një kompleks luksoz turistik. Shumica e investitorëve, të cilët janë rusë dhe kinezë, i kanë hedhur sytë edhe nga ishulli i Rhodosit. Ëndrra e tyre tashmë po realizohet -të marrin një pjesë nga “torta turistike” e Mesdheut, për t’i kthyer në destinacione turistike për popullsinë në rritje të vendeve të tyre. Vetëm 227 ishuj grekë janë të populluar dhe vendimi për t’i nxjerrë në shitje këto ishuj është “inkurajuar” nga paaftësia e shtetit grek për të zhvilluar infrastrukturën bazën të këtyre ishujve. Qeveria greke shpreson se shitja e këtyre ishujve do të tërheqë investitorët, duke gjeneruar vende të reja pune dhe të ardhura të tatueshme. Në një prononcim për “The Guardian”, Drejtori i Pronave Ishullore Greke, ka shprehur indinjatën e tij për këtë vendim të qeverisë: "Unë jam i pikëlluar nga vendimi se ishujt që i përkasin popullit grek do t’i shiten të huajve”
Në betejën e saj për të vjelë para, Greqia po planifikon gjithashtu shitjen e kompanive hekurudhore dhe atyre ujore. Investitorët kinezë kanë shprehur interes për kompanitë hekurudhore, ndërkohë që tashmë kontrollojnë disa prej porteve greke. Në një marrëveshje të njoftuar këtë muaj, qeveria greke ka ranë dakord që të eksportojë vaj ulliri në Kinë. Ndërsa Greqia përballej me protesta madhore dhe shkurtime kolosale buxhetore, Gjermania e kishte këshilluar Athinën zyrtare që të fillonte të shiste ishuj, monumente historike dhe vepra arti. Me vendimin e fundit, Greqia duket se i ka përfillur këshillat e Berlinit. Çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rënë mes 10% dhe 20% që nga trazirat e majit në Athinë, pasi publiciteti i keq si pasojë e gjendjes anarkike në atë muaj, i ka larguar investitorët.