E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Dajçi: Reformat e qeverisë janë të verifikueshme dhe testi që PD do të fitojë zgjedhjet e ardhshme

Deputeti i PD-së dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ligjeve, Pal Dajçi ka vlerësuar reformat e qeverisë dhe si një test që ato do të bëjnë që shqiptarët të votojnë edhe për katër vjet PD-në, në zgjedhjet e vitit 2009. Deputeti i PD-së e konsideron gjithashtu shkrirjen e PDR-së me PD-në si të domosdoshme me qëllim që e djathta të fitojë dhe një mandat tjetër 4 vjeçar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të viti 2009. Në një intervistë për gazetën “55”, Dajçi vlerëson se hapat e hedhura deri më tani nga Këshilli i Legjislacionit për heqjen e imunitetit, deputeti demokrat i konsideron mjaft të rëndësishme pasi deputetët nuk mund të fshihen më pas barrierës mbrojtëse të imunitetit. Ndërkaq për sa i përket shtyrjes së afatit të miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, Dajçi shprehet se kjo vonesë ka ardhur për faktin që ky kod duhej të merrte përkrahje mjaft të gjerë të të gjitha forcave politike, i sigurt se kodi zgjedhor do të përmbyllët brenda afatit të renë dakord gjatë seancës së djeshme parlamentare, datës 14 nëntor.
Ndër të tjera, deputeti i PD-së hedh poshtë akuzat e opozitës për sulme ndaj institucionit të akuzës, duke siguruar se Prokuroria mbetet një institucion i pavarur, dhe se të gjitha reformat dhe ligjet që po hartohen për gjyqësorin bëhen për të luftuar korrupsionin. Dajçi shprehet gjithashtu se me mbylljen e kodit zgjedhor do të ketë dhe një organizim më të plotë të PD-së, çka nënkupton dhe fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e afërme parlamentare.

Një ditë më parë PDR-ja firmosi aktin e bashkimit me PD-në. Si e komentoni këtë ngjarje dhe a do t`i shërbejë ajo rezultatit që do të ketë e djathta në zgjedhjet e vitit 2009?
Është thënë gjithmonë që nga bashkimi vjen fitorja. Unë mendoj që ky bashkim midis dy partive PD dhe PDR, të cilat ne thelb nuk i ndan asgjë, as programet politike, e cila në vitin 1999 u nda dhe kaloi në opozitë dhe tani vjen një bashkim si nevojë e domosdoshme që e gjithë e djathta duhet të fitojë dhe një mandat tjetër 4-vjeçar. Nga ky bashkim sjell vetëm të mira dhe fakti që në PD po vijnë prurje të reja dhe këtë e tregon më së mirë fakti që PDR u rikthye sërish, dhe kjo erdhi pasi ata reflektuan dhe dolën në përfundimin se nuk ka pse të jenë të ndarë, por të gjithë së bashku do të bëjmë më shumë për vendin dhe Shqipërinë. Unë shikoj që disa ndarje të vogla edhe në bazë besoj se do të kalojnë shumë shpejt dhe sikurse erdhi bashkimi nga lart do të vijë dhe nga baza, bashkim i cili do tu shërbejë edhe zgjedhjeve të vitit 2009, zgjedhje të cilat është e domosdoshme të fitohen nga PD-ja.

Këshilli i legjislacionit ka hedhur hapat e para për ligjin e heqjes së imunitetit. Me aq sa ju jeni në brendi të zhvillimeve, si i konsideroni opsionet e hedhura deri tani?
Normalisht ne si forcë politike, jemi shprehur jo vetëm tani, por edhe kur ishim në opozitë për heqjen e imunitetit. Imuniteti përdoret si barrierë mbrojtëse nga deputetët, ndërkohë që imuniteti i jepet deputetit për funksionet që ka por gjithmonë në zbatim të ligjeve dhe normave të shoqërisë. Kur deputeti mendon të bëjë korrupsion, të shkeli ligjet normalisht që nga ai moment duhet të konsiderojë veten pa imunitet, ndaj po theksoj që ne si forcë kemi shprehur gatishmërinë për ta lënë imunitetin në bazë ligjore, sepse heqja e imunitetit përbën dhe ndryshime kushtetuese, por kërkon dhe konsensusin e të gjitha forcave politike. Për tu arritur kjo duhet dhe vullneti i forcave të tjera politike, kam fjalën këtu për krahun tjetër të majtë pasi heqja e imunitetit lidhet me ndryshimet kushtetuese që duhen bërë, dhe në qoftë se ata do ta kenë vullnetin e tyre mendoj se kjo do të realizohet.

Ndërkohë partitë e vogla kanë filluar të ankohen sërish, me pretendimin se ky ligj po bëhet me konsensusin e ngushtë PD-PS. Cili është komenti juaj mbi këtë dhe a mendoni se ky ligj duhet të marrë aprovimin e një mase më të gjerë aktorësh dhe faktorësh të interesuar për këtë çështje ?
E thashë dhe pak më lart, ata që kanë vullnetin e duhur për ta bërë këtë, jemi ne si forcë politike si mazhorancë, pavarësisht zërave sporadik të partive të vogla, zëra që vijnë nga partitë e majta, të cilët çështjen e imunitetit e gjykojnë se mund të ketë sulme nga qeveria apo institucione të pavarura ndaj tyre. Por unë do thosha diçka, se ai që e ndjen veten të pastër ndaj funksionit që ka deputetit, apo funksioneve të tjera shtetërore nuk ka pse të mbrohet me imunitet, ndaj unë e shikoj se imunitetin e kërkojnë ta mbajnë ata që nuk e shikojnë veten të sigurt, pra në veprimtarinë e tyre të ushtruar gjatë kësaj periudhe apo edhe më përpara. Vullneti kërkohet pasi është një mungesë kushtetuese, dhe që të kalohet kjo mungesë kushtetuese duhet numri i votave. Nëse ne do t’ia arrijmë numrit të votave nuk do të merren në konsideratë kontestimet e partive të vogla. Këto parti të vogla nuk kanë ndonjë shtrirje në bazë, por janë parti që kanë mbetur në konferenca shtypi nëpër TV pa shkuar në bazë. Po të diskutohet imuniteti i deputetit në bazë jam i sigurt që do të gjejnë përkrahjen edhe të elektoratit tonë, pra nuk ka pse të mbrohet deputeti me imunitet në qoftë se ai shkel normat e shoqërisë apo bën korrupsion, veprimtari ndaj të cilave duhet patjetër të përgjigjet. Deputetin nuk e mbron imuniteti por ndershmëria, karakteri si dhe përmbushja e misionit të cilin ka marrë përsipër të kryej.

Ka një shtyrje të afatit të komisionit të Reformës Zgjedhore. Mendoni se ajo do të përfundojë brenda muajit nëntor?
Unë mendoj se reforma zgjedhore do të përfundojë, dhe mund të them se këto pengesa kanë qenë për faktin që kodi zgjedhor të fitojë një përkrahje më të madhe të të gjitha forcave politike, për të gjetur një mbështetje më të madhe, pasi ky kod nuk bëhet as për PD-në as PS-në, por për të gjitha forcat politike. Deri më tani nuk ka gjetur përkrahje pasi sistemi proporcional rajonal për të cilën u bënë dhe ndryshimet kushtetuese i tremb këto parti. Pra dalim dhe njëherë tek partitë e vogla të cilat mbahen në këmbë nëpërmjet konferencave të shtypit, mbahen në këmbë nëpërmjet televizioneve dhe medias dhe nuk kanë besim tek baza, sepse baza që atyre u mungon qëndron te dy partitë e mëdha, pra tek PD dhe PS që kanë elektorat të gjerë. Puna e reformës zgjedhore nuk ka ardhur si pengesë e Partisë Demokratike, problemet i ka e majtë, probleme të cilat dhe ata mendoj se do t`i kalojnë shumë shpejt dhe brenda afatit kohor që na jep edhe Kushtetuta ky mision do mbyllet. Jam i bindur se brenda datës 14 nëntor, reforma zgjedhore do të mbyllet, pasi nuk mund të shtyhet më.

A ka një rakordim mes partive të koalicionit të djathtë në lidhje me këtë reformë?
Me sa unë kam dijeni edhe nga kolegët e tjerë të forcave të djathta, pothuajse po shkojmë drejt këtij objektivi, pasi e djathta nuk ka pse të ketë probleme në mbylljen e kodit zgjedhor. Mendimi i gjithë aktorëve kryesor të politikës është që shqiptarëve t`u vihet përpara një kod zgjedhor sa më i pranueshëm që zgjedhjet e 2009 të jenë zgjedhje sa më të lira dhe të ndershme, që vota e të përcaktohet qartë dhe të shkojë atje ku e mendon elektorati, për vetë nevojat që ka Shqipëria në këtë periudhë, pra po shkon drejt anëtarësimit në NATO, marrjes së ftesës për kandidate në BE, pra janë një sërë reformash që janë nisur, ndaj mendoj që dhe kjo është pjesë e reformave që kjo mazhorancë i ka marrë përpara komitetit ndërkombëtar, para shqiptarëve dhe besoj se e djathta do ta gjejë konsensusin e përbashkët, ndoshta jo vetëm në kodin zgjedhor por edhe me organizimin e përgjithshëm të fushatës së 2009-ës, për t`i fituar zgjedhjet. Dëshiroj ta theksoj dhe njëherë se është domosdoshmëri për të djathtën që të vazhdojë këtë reformë këto punë të cilat i ka nisur, punë që vetë shqiptarët po i shikojnë dhe verifikojnë çdo ditë dhe besoj se për vetë shkërmoqjen e së majtës do jetë mirë që edhe këtë 4-vjeçar PD-ja me në krye Kryeministrin e vendit, Sali Berisha të vazhdojë udhëheqjen e këtyre reformave.

Reforma në drejtësi kohët e fundit ka hapur shumë debate. A do të vazhdojë kjo reformë të mbetet peng i përplasjeve të ekzekutivit me Prokurorinë e Përgjithshme, dhe në rast se ligjet kalojnë në mënyrë të njëanshme dhe a ka rrezik që ato të kontestohen nga BE ?
Është folur shumë për reformën në drejtësi, normalisht që përpjekjet e mazhorancës së sotme janë të vazhdueshme, dhe këtë e them pasi unë jam vetë pjesë e këtij komisioni. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndryshimet që duhet të bëhen në ligjet për institucionet e pavarura, në ligjet për sistemin e drejtësisë kërkojnë një konsensus të gjerë. Shqiptarët dhe të gjithë bashkë duhet të kuptojmë se këto ligje janë hartuar me një shumicë parlamentare me pjesëmarrjen edhe të së majtës. Mund t`ju kujtoj se të gjitha këto reforma në drejtësi janë bërë pas periudhës 1998, pra atëherë kur u ndërtua Kushtetuta kur ne ishim pakicë dhe pjesa tjetër ishte mazhorancë, ajo ndërtohej me një strategji të holluar. Pra kjo Kushtetutë me gjithë sanksionet që ajo ka është Kushtetutë e së majtës, dhe të gjitha aktet e tjera të institucioneve të pavarura janë bërë në atë kohë kur shumica ishte e majtë, dha ata këtë ndryshim të Kushtetutës e quajnë si sulm të mazhorancës së sotme ndaj institucioneve të pavarura. Kjo nuk është fare e vërtetë, nuk ka përplasje midis ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura, por ka vullnet të qeverisë ashtu siç ka vullnetin për të bërë luftën kundër korrupsionit, për institucionet që drejtohen nga qeveria, dhe këtë shembull e ka dhënë më së miri qeveria demokratike me në krye Berishën. Këto janë tregues të luftës kundër korrupsionit, sikurse mund të them se nuk kemi parë ndëshkime të institucioneve të pavarura nga aktorët e saj që t`i çojë në bankën e të akuzuarve. Vullneti i kësaj qeverie dhe i këtij Kryeministri është kjo zhurmë e madhe ky nivel korrupsioni që përflitet në institucionet e drejtësisë të ulet. Nuk mund të them se me një të rënë të sëpatës do të zhduket korrupsioni, por mund të them se pot ë jetë vullneti i Prokurores së re për ta luftuar korrupsionin, për të bërë në ligj që t`i vijë në ndihmë asaj, pra institucionit të Prokurorisë, që brenda radhëve të saj të luftoi korrupsionin. Vullneti i qeverisë së sotme është për të ofruar një ligj që të ketë norma për të luftuar korrupsionin dhe jo luftë kundër një personi. Vështirësi ka pasi të gjitha këto ndryshime kanë të bëjnë me ndryshime të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë dhe që kërkojnë një mbështetje sa më të gjerë. Dhe duke mos dhënë mbështetjen e saj e majta nxjerr kleçka se po sulmohet institucioni i Prokurorisë. Prokuroria mbetet institucion i pavarur si për ne si për ata, dhe nëse ne japim idenë se këto ligje që këto institucione të jenë vërtet të pavarura dhe të kryen punën e tyre është e nevojshme që dhe ata të kenë instrumentet për ta luftuar korrupsionin. Këto reforma dhe ligje që ne po hartojmë për sistemin e drejtësisë janë vetëm për t`i shëndoshur këto institucione.

Deri në ç’fazë ka mbërritur procesi zgjedhor brenda strukturave të Partisë Demokratike?
Partia Demokratike mblidhet herë pas here edhe pa pasur fushata zgjedhore, pasi ndjen përgjegjësinë e pushtetit, mbledhjet e fundit PD ka përcaktuar anëtarët e kryesisë të cilët i kanë deleguar nëpër qarqe të ndryshme, për të filluar fushatën e zgjedhjeve në parti. Pra, aktualisht nuk ka përfunduar fushata, pasi një organizim më i plotë i PD-së pritet me mbylljen së afërmi të kodit zgjedhor. Në relacionin e fundit që ka dalë nga kryesia janë përcaktuar grupet e punës të cilët kanë filluar takimet në qarqe të ndryshme të vendit, për të filluar fushatën e zgjedhjeve në parti. Gjatë gjithë kësaj kohe janë mbledhur seksionet, janë përcaktuar afatet, por zhvillimet e reja që janë brenda së djathtës dhe midis bashkimit të dy partive tona, tregon se do të ketë një modalitet tjetër, pra që dhe anëtarët e bazës do të përfshihen në parti, pra kemi një parti në bazë ku dhe anëtarët e saj do të bëhen pjesë e seksionit të cilët do të futen në zgjedhje për të drejtuar seksionet dhe nëndegët e partive në rrethe.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›