Benedikti XVI: Të përtërihet dialogu i bukurisë me të vërtetën për një humanizëm të ri të krishterë

“Universaliteti i bukurisë: estetika dhe etika përballë njëra-tjetrës”. Kjo është tema e Seancës XIII publike të Akademive Papnore, që u mbajt dje në Vatikan. Një takim i përvitshëm, gjatë të cilit jepet Çmimi i Akademive Papnore, që Ati i Shenjtë cakton për studiues të rinj, artistë apo institucione, të dalluar në promovimin e humanizmit të krishterë. Kuvendi i këtij viti u organizua nga Akademia e shquar Papnore e Arteve të Bukura dhe e Letrave të Virtuozëve në Panteon. Mesazhi i Papës Benedikti XVI u lexua nga kardinali – sekretar i Shtetit të Vatikanit, imzot Tarçizio Bertone. Në botën e sotme, në nivele të ndryshme del në pah në mënyrë dramatike, ndarja, e nganjëherë edhe kontrasti ndërmjet kërkimit të bukurisë, e cila kuptohet si formë e jashtme, si dukje e si qëllim për t’u arritur me çdo kusht, dhe kërkimit të së vërtetës e të së mirës përmes veprave. Papa denoncon me këto fjalë, atë bukuri që fatkeqësisht kthehet thjesht në estetizëm, e që sidomos të rinjtë i bën të ndërmarrin një rrugë ku nuk gjejnë vlera të vërteta, një rrugë banale e sipërfaqësore, një lloj parajse artificiale, që maskon ose fsheh boshllëkun e brendshëm. Për Papën teolog, debati kulturor e artistik dhe realiteti i përditshëm, në të cilin jetojmë, shtrojnë para secilit nevojën dhe urgjencën për të rinovuar dialogun mes estetikës dhe etikës, mes bukurisë, së vërtetës dhe mirësisë. Që këtej lind edhe nevoja e zgjerimit të horizontit të arsyes. Në këtë perspektivë, nënvizon Benedikti XVI, duhet të kuptojmë edhe lidhjen e brendshme që ka kërkimi i bukurisë me kërkimin e së vërtetës e të mirësisë. Nëse arsyeja zhvishet nga bukuria përgjysmohet, e po kështu edhe bukuria pa arsyen reduktohet në një maskë bosh, plot iluzione. Shpallja e Ungjillit, pohoi Ati i Shenjtë, duhet të perceptohet në bukurinë e risinë e tij, e për këtë është e nevojshme të dimë të komunikojmë me gjuhën e imazheve e të simboleve; misioni ynë i përditshëm duhet të bëhet transparencë elokuente e bukurisë së dashurisë së Zotit për të arritur zemrën e bashkëkohësve, shpesh në një klimë kulturore, jo gjithnjë e gatshme për ta kuptuar bukurinë në harmoni me të vërtetën e mirësinë. Gjithsesi, theksoi Papa, njerëzit janë të etur për bukurinë e vërtetë, për bukurinë jo sipërfaqësore e kalimtare.
Më pas, Papa Racinger kujtoi Letrën drejtuar Artistëve të Gjon Palit II, dhjetë vjet pas botimit. Një tekst, nënvizoi, që na fton të reflektojmë mbi dialogun e brendshëm e pjellor ndërmjet Shkrimit Shenjt e formave të ndryshme artistike. Duhet ta përtërijmë, këshilloi Papa, dialogun pjellor e problematik njëherësh, ndërmjet krijimtarisë së artistëve dhe fesë së krishterë, të përjetuar nga bashkësia e besimtarëve. Një nevojë kjo, që u theksua edhe nga imzot Xhanfranko Ravazi, i cili hapi punimet e konferencës së sotme. “Në një botë që lëviz me llogari e ndalet në sipërfaqen e gjërave, duhet ta lavdërojmë më shumë aftësinë për t’u mrekulluar nga e bukura, duhet ta gjejmë sërish bukurinë e humbur në veprat e mira. Në një nga audiencat e përgjithshme të majit të kaluar, Papa Benedikti XVI pati thënë se feja sjell gëzim, prandaj krijon bukuri. Të dëgjojmë një reflektim mbi këto fjalë nga prof. Vitaliano Tiberia, kryetar i Akademisë së shquar Papnore të Arteve të Bukura dhe të Letrave të Virtuozëve në Panteon: “Sigurisht: feja është gëzim. Feja është diçka e brendshme, feja është dhuratë, themi ne të krishterët. Feja mund të bashkohet me të bukurën, me bukurinë. Pse? Sepse feja arrin të na shndritë jetën. Nga ana tjetër, Papa, duke qenë gjerman, kujton edhe atë që ka qenë estetika madhështore gjermane: estetika që lind me botën moderne, me Kantin, e që zhvillohet më pas në ‘700-ën, ‘800-ën, deri tek Gëte e Shileri, deri tek të mëdhenjtë e estetikës gjermane. Prandaj, në planin e fesë e edhe në planin e jetës së përditshme, estetika, e bukura sjellin gëzim, ngjallin emocion”.
Koha e artistëve të mëdhenj, që pikturonin, shkruanin apo kompozonin bukuri mahnitëse, duket sikur ka kaluar në epokën e sotme... “Epoka jonë, ndoshta është përqëndruar tepër në konceptin e drejtësisë dhe ka harruar atë të bukurisë e dashurisë. Bukuria e dashuria mund të rijetojnë nëse ne duam të besojmë në to sërish. Këtë pres unë! Në planin praktik, është e vështirë të japësh formula, pasi krijimtaria e artistëve, përmes së cilës arrihet e bukura, nuk ka nevojë për receta apo formula. Forma artistike është diçka e mistershme, është diçka që i përket krijimtarisë së artistit të veçantë. Në këtë kuptim, është një nga dhuratat më të mëdha që na ka bërë Krijuesi”.
...