Tragjedia në Gjirokastër, Apeli: Burg të arrestuarve
GJIROKASTER- Gjykata e Apelit në Gjirokatsër la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për 7 nga 10 të arrestuarit për pallatin e shembur në Gjirokastër. Avokatët e 7 të pandehurve kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë nga burg në një masë më të lehtë sigurie.
Apeli rrëzoi kështu kërkesën e mbrojtjes duke e konsideruar të vlefshëm arrestin me burg për 7 të arrstuarit, të cilët konsiderohen përgjegjës për tragjedinë e Gjirokastrës. Nga shembja e pjesshme të një pallati 5-katësh nga gërmimet për ndërtimin e një pallati ngjitur, humbën jetën 3 persona dhe u lënduan shumë të tjerë. Kështu Aristotel Haxhi, president i firmës “Arti shpk” dhe ortaku i tij Sotiraq Janora do të qëndrojnë në masën e arrestit burg. Gjithashtu nuk iu ndryshua masa e sigurisë as për Alfred Maman, shefi i urbanistikës në bashkinë e këtij qyteti, Thanas Llahani inxhinier i firmës, Gjergji Mece, drejtor teknik, Afërdita Papadhimali sekretare pranë zyrës së urbanistikës dhe Luan Bufit inxhinier projektues i firmës.
Pa disa ditësh Gjykata e Apelit do të japë vendim dhe për Admir Shehajn përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në bashki, Jani Ndrico, ekskavatoristin e firmës "Arti sh.p.k" dhe Njazi Cobani, arkitekt.
Sipas tv NEWS24 familjet e mbetura pa strehë pas shembjes së pallatit kanë kërcënuar se do të hyjnë në grevë urie nëse nuk do të merren masa për rehabilitimin e tyre sa më shpejt.
(s.g/BalkanWeb)