Benedikti XVI: “T’i demaskojmë tundimet që përdorin Zotin si vegël për pushtet e për interesa personale”
Krezhmët na mësojnë se feja në Zotit është “kriteri-themelor” i jetës së Kishës. Kështu pohoi Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar sot në mesditë në Shën Pjetër në Vatikan, për herë të parë pas njoftimit se do të largohet nga misioni pjetrin. Duke folur para dhjetëra mijëra besimtarësh e shtegtarësh të ardhur në Vatikan nga vende të ndryshme të botës, të cilët e përshëndet Papën me dashuri e emocion , Benedikti XVI nënvizoi se, jemi të bashkuar me Krishtin, prandaj nuk duhet të kemi frikë ta luftojmë të keqen. Në një tweet, rreth orës 12.30. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger ripohoi se “Krezhmët janë kohë e dobishme për të zbuluar edhe një herë fenë në Zotin si bazë të jetës së jonë e të jetës së Kishës”. Të shumta ishin pankartat që besimtarët mbanin në duar në Sheshin e Vatikanit sot duke shpreh afërsinë dhe mirënjohjen e tyre ndaj Benediktit XVI. Në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve, Papa Ratcinger i falënderoi të gjithë ata që këtyre ditëve i lutën Zotit për të, për Kishën dhe për Papën e ardhshëm.
Krezhmët, që filluan me Ritin e Përhitjes, janë “kohë kthimi e pendese” që duhet të na orientojë përsëri “vendosmërisht drejt Zotit, duke i ra mohit krenarisë dhe egoizmit për të jetuar në dashuri”. Papa Benedikti XVI e filloi kështu meditimin e tij mbi pjesën e Ungjillit të kësaj së diele të parë të kohës së krezhmëve, që flet për tundimet e Jezusit në shkretëtirë. E në komentin e tij Ati i Shenjtë nënvizoi se Kisha, nënë e mësuese, i “thërret të gjithë anëtarët e vet për t’u përtëri në shpirt”: “Gjatë këtij Viti të fesë Krezhmët janë një kohë e dobishme për të zbuluar përsëri fenë në Hyjin si kriter-bazë të jetës sonë dhe të jetës së Kishës. Ajo sjell përherë një betejë, një luftim shpirtëror, sepse shpirti i të keqit natyrisht e kundërshton shenjtërimin tonë dhe mundohet të bëjë në mënyrë që ne të shmangemi nga udha e Zotit”.
Papa vërejti se Jezusi çohet në shkretëtirë për t’u tunduar nga djalli në momentin e “fillimit të misionit të tij publik”: “Jezusit ju deshtë t’i demaskonte e t’i refuzonte imazhet e rreme të Mesisë që tunduesi i propozonte. E këto tundime janë imazhe të rreme të njeriut, që në çdo kohë e kërcënojnë ndërgjegjen duke u veshur me propozime të leverdishme e efikase, madje edhe të mira”.
Ungjilltarët Mateu e Luka, vërejti më tej Papa, na paraqesin tundimet duke i përshkruar e dalluar sipas rendit, mirëpo natyra e tyre nuk ndryshon: “Thelbi i tyre qendror është gjithmonë keqpërdorimi i Hyjit për interesa personale, duke i dhënë më shumë rëndësi suksesit apo të mirave materiale. Tunduesi është dinak e i pabesë, plot djallëzi: nuk e çon Jezusin drejtpërdrejt drejt së keqes, por ndaj së mirës së rreme, ndaj së mirës false, duke paraqitur si realitete të vërteta të jetës pushtetin dhe atë që i kënaq nevojat primare”. “Në këtë mënyrë – shtoi Papa – Zoti bëhet sekondar, reduktohet në një vegël, përfundimisht bëhet joreal, nuk vlen më, zhduket”: “Në fund të fundit, në tundime është lojë feja, sepse është në lojë Zoti. Në momentet vendimtare të jetës, por, nëse shikojmë mirë, në çdo çast, ne jemi para një udhëkryqi: duam të ndjekim veten tonë apo Zotin? Interesin individual apo të Mirën e vërtetë, atë që realisht e konkretisht është e mirë?” Tundimet, vijoi Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, janë pjesë e “zbritjes” së Jezusit në kushtet tona njerëzore, “në humnerën e mëkatit e të pasojave të tij”. Një zbritje të cilën Jezusi e kreu deri në “në skëterrën ekstreme të largësisë nga Zoti”. Në këtë mënyrë pohoi Ati i Shenjtë, Jezusi është pra “dora e Zotit shtri ndaj njeriut, ndaj deles së humbur e të shpëtuar”. “Pra, as ne, nuk kemi frikë për t’i bërë ballë betejës kundër shpirtit të së keqes: me rëndësi është që betejën ta bëjmë bashkë me Të, me Krishtin, Fitimtarin. E për të qëndruar me Të t’i drejtohemi Nënës, Marisë: asaj t’i lutemi si bijë të dashur në çastin e sprovës, e ajo do bëjë që ne ta dëgjojmë praninë e fuqishme të Birit të vet hyjnor, për t’i refuzuar tundimet me Fjalën e Krishtit, e kështu për ta vendosur Hyjin në qendër të jetës sonë”.
Në momentin e përshëndetjeve, në gjuhë të ndryshme, Papa Benedikti XVI falënderoi të gjithë ata që këtyre ditëve lutën për të e për Kishën, duke treguar afërsinë e dashurinë. Në gjuhën spanjolle Papa u kërkoi besimtarëve të vazhdojnë t’i lutën Zotit për Papën e ardhshëm. Në gjuhen gjermane, i ftoi besimtarët të jenë pranë tij e pranë Kuries Romake, sidomos me rastin e fillimit të ushtrimeve shpirtërore, që fillojnë sonte në Vatikan. Së fundi, një përshëndetje të përzemërt u drejtoi shtegtarëve italianë, e në mënyrë të veçantë përmendi besimtarët dhe qytetarët e Romës: “Ju falënderoj që keni ardhur me kaq të madh! Edhe kjo prani është shenjë dashurie e afërsie shpirtërore që tregoni ndaj meje këtyre ditëve. Përshëndes posaçërisht Administratën e Bashkisë Roma Kryeqytet, udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë, e me të përshëndes e falënderoj të gjithë banorët e këtij qyteti të dashur Romës”.
Dita - Atë Lombardi: Konklavi, ndoshta, para gjysmës së marsit. Papa në Kastel Gandolfo për dy muaj/Në konferencën e djeshme për shtyp, pasi u takua me Papën Benedikti XVI, i cili i tha të përshëndesë gazetarët, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, konfirmoi veprimtaritë e sotme e të nesërme të Atit të Shenjtë dhe hodhi hipotezën se Konklavi mund të zhvillohet para gjysmës së marsit, nëse të gjithë kardinajtë do të kenë ardhur në Vatikan. Gjithashtu, sqaroi se Papa, pasi të shkojë në Kastel Gandolfo, më 28 shkurt, do të qëndrojë atje dy muaj. Banesa e Kastel Gandolfos nuk do të mbyllet, pasi në të nuk ka dokumente të veçanta, ashtu si në apartamentin papnor në Vatikan. Gjatë dy muajve do të përfundojë edhe restaurimi i kuvendit të klauzurës, ku do të shkojë më vonë Benedikti XVI. Atë Lombardi theksoi se vendimi për t’u kthyer në Vatikan është marrë për arsye “logjistiko-organizative, por edhe për të qenë në bashkim e në vazhdimësi shpirtërore me pasardhësin”.
Nesër, në orën 18.00, fillojnë ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve, në praninë e Papës, i cili nuk do të ketë veprimtari gjatë javës së ardhshme, përveçse një takimi të shpejtë me sekretarin e tij personal, imzot Georg Genshvajn, për urgjencat e ditës. Tri meditimet e përditshme të kardinalit Xhanfranko Ravazi, që sivjet mban ushtrimet shpirtërore, do të transmetohen në “podcast” nga Radio Vatikani. Çdo mbrëmje, njëra prej tyre do të transmetohet edhe në valët e radios, e do të ketë edhe një sintezë të të trejave në buletinin e saj. Më vonë, reflektimet do të botohen në formën e plotë. Në përfundim të ushtrimeve shpirtërore, konfirmohet takimi me presidentin italian Xhorxho Napolitano, që akoma nuk dihet nëse do të jetë publik, apo privat. E duke pasur parasysh 27 e 28 shkurtin, atë Lombardi tha: “Sipas Prefekturës së Shtëpisë Papnore, për Audiencën e përgjithshme të 27 shkurtit, kanë lajmëruar se do të vijnë 35 mijë vetë deri tani e, natyrisht, shifra do të rritet. Besimtarët dhe autoritetet mund ta përshëndesin Atin e Shenjtë, në këtë rast të fundit, në të cilin Papa do të jetë i pranishëm publikisht. Ndërsa, më 28 shkurt, siç e kemi thënë, do të zhvillohet takimi me Kolegjin e kardinajve dhe nisja për Kastel Gandolfo, pasdite”. Atë Lombardi saktësoi se kur Papa të mbërrijë në Kastel Gandolfo, me heikopter, ka gjasa të ketë një çast përshëndetje për besimtarët, me Benediktin XVI në shesh. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë foli edhe për lajmet, që janë përhapur nga shtypi e televizioni, përsa u përket bisedave ndërmjet Papës dhe Peter Sevald, biografit, me të cilin u realizua libri-intervistë “Drita e botës” e të cilit Jozef Racinger i pati thënë “mund të mjaftojë ç’kam bërë deri tani”. Atë Lombardi sqaroi se këto biseda janë zhvilluar në nëntorin e në dhjetorin e kaluar, prandaj nuk përbëjnë lajm të ri. Qëllimi ishte shkrimi i biografisë së Benediktit XVI.
Duke iu kthyer temës së Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit shpjegoi se ai mund të fillojë para 15-20 marsit, në ndryshim nga afati i parashikuar në Kushtetutë, vetëm nëse të gjithë kardinajtë do të jenë të pranishëm në Romë: “Në Kushtetutë thuhet ndërmjet ditës së 15-të e asaj të 20-të, por ky afat përdoret “për të pritur”, pra për t’u dhënë atyre, që kanë nevojë, kohën e duhur për të ardhur në Vatikan. Në rast se kardinajtë do të jenë të gjithë këtu, Kushtetuta mund të interpretohet ndryshe”.
Marrë nga Radio Vatikani