E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The Economist”: Sprechen Sie, një vend pune?

18-02-2013 / Gazeta 55

Gjithnjë e më shumë evropianë të jugut po ia mësyjnë Gjermanisë për të gjetur punë. Daniel Gomez Garcia (23) është tip i personit të cilin liderët evropianë e kanë pasur në mendje, kur, së paku në letër, kishin vendosur ta shndërronin Bashkimin Evropian në një treg të vetëm të punës, sikur e ka tanimë Amerika. Gomz, që është nga Andalusia e Spanjës, e kishte mësuar pak gjermanishten në shkollimin fillor dhe një anglishte të rrjedhshme sa kishte studiuar në Amerikë. Por kur ishte kthyer nga Amerika, i numëronte në gishta ata që kishin zënë një vend pune në klasën e tij prej tetëdhjetë studentësh. “Nuk kisha çfarë të bëja, kështu thashë pse nuk shkoj në Gjermani dhe ta përmirësoj gjermanishten time”, kujton sesi i ishte mbushur mendja. Tregon sesi në verën e vitit 2012 kishte marrë një bursë në Ambasadën gjermane në Madrid dhe ishte vendosur në një banesë të vogël në Berlin. Aty kishte siguruar një vend pune në kompaninë “Excel”. Muajin e kaluar, ai e ka fituar të drejtën e një nëpunësi të përhershëm. Nuk merr ndonjë pagë të lartë si një arkëtar i thjeshtë. Kështu ishte dashur të funksiononte tregu i vetëm i punës. Spanja ka një shkallë të papunësisë në mesin e të rinjve deri në 58 për qind. Përkundrazi, Gjermania ka shkallën e të rinjve të papunë në vetëm tetë për qind dhe ankohet se nuk po ka të rinj të kualifikuar. Kështu, njerëzit janë të gatshëm të zhvendosen prej “shteteve të krizës” në qytete me bum zhvillimi, sikur kishte ndodhur me amerikanët e zonave të thella kur shkonin në Californinë e zhvilluar. Në njëfarë shkalle, ky lloj migrimi po ndodh. Shifra e punëtorëve të rinj që janë vendosur në Gjermani në vitin 2012 ka shënuar një rritje prej 15 për qind, krahasuar me periudhën e vitit 2011. Dhe rritjen më të madhe e ka shënuar numri i atyre që kanë ardhur prej vendeve më të goditura të krizës së euros - ka pasur 78 për qind më shumë grekë dhe 53 për qind më shumë spanjollë. Por shifrat absolute (6.900 grekë dhe 3.900 spanjollë në një periudhë prej gjashtë muajsh) mbesin ende modeste. Është “e pabesueshme sesa shumë po vijnë”, thekson Hogler Kolb, nga Këshilli i Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane, duke folur për lehtësimet që janë bërë me eliminimin e pengesave burokratike në Bashkimin Evropian. Megjithatë duket se BE-ja nuk do të arrijë asnjëherë të shndërrohet në një treg të përbashkët. Kjo ndodh kryesisht për shkak të gjuhës. Gomez thotë se nuk ishte shumë e zorshme të mësonte gjermanishten, por për shumë kë, gjuha “është pjesa më e zorshme”.
Kështu, gjuha ishte bërë pengesa kryesore për marrjen e vizave për ata që kërkonin të punonin. Kur kishte shpërthyer kriza, degë në Evropën Jugore të Institutit Goethe, ekuivalent i Këshillit Britanik, ishin vërshuar nga kërkesat për mësim të gjermanishtes, ka thënë Heike Uhlik, drejtoreshë e programeve të gjuhës në institut. E ndryshme ishte edhe kërkesa. Ajo thekson se nuk kishte shumë të interesuar të mësonin për ta lexuar “Faustin” e Goethes, por sa për të gjetur një vend pune. Kështu, edhe Instituti kishte hapur kurse që merreshin kryesisht me gjuhën teknike të inxhinierëve apo mjekëve. Gjuha shpjegon shumë gjëra në Bashkimin Evropian të ditëve të sotme, thekson Klaus Bade, një tjetër ekspert i migrimit. Për shembull, ende polakët e mbajnë bajrakun prej atyre që shkojnë në Gjermani si emigrantë ekonomikë. Polonia është më e varfër, edhe pse nuk po përjeton krizë ekonomike. Por shkollat polake i mësojnë nxënësit gjermanisht dhe anglisht. Në të njëjtën kohë Britania, falë anglishtes, ka një përparësi në garën për talente të huaja, një element që gjermanët mundohen ta minimizojnë duke u ofruar emigrantëve ekonomikë anglishten si gjuhë të punës. Shumë vende të reja pune në Gjermani po hapen në bizneset e mesme, ku ende është e detyrueshme të njihet gjermanishtja. Kjo është arsyeja pse Gomez i këshillon miqtë e tij në Spanjë të mësojnë gjuhë të huaja dhe pastaj “të ikni prej andej”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›