Taksë e sheshtë, apo taksë progresive
KRISTAQ GJYLI
Marr shkak nga një debat i kohëve të fundit lidhur me aplikimin e taksës së sheshtë, apo asaj progresive në sistemin tonë tatimor, debat i cili prej kohësh është prezent edhe në shumë vende të tjera me zhvillim ekonomik edhe më të madh se ai i Shqipërisë.
A duhet që njerëzit që fitojnë më shumë, të paguajnë në një përqindje më të lartë, apo jo? Aty ku veprojnë normat e taksave progresive, zakonisht aplikohen norma të ndryshme për grupe të ndryshme të ardhurash.
Progresiviteti përshkruan një efekt shpërndarjeje mbi të ardhurat ose shpenzimet, duke iu referuar mënyrës së përparimit të % të normës nga e ulët në të lartë dhe ku norma mesatare e taksës është më e vogël se norma marxhinale e saj. Ajo mund të aplikohet ndaj taksave të veçanta ose ndaj një sistemi taksash në tërësi, për një vit, shumë vjet ose përgjithmonë. Taksat progresive tentojnë të zvogëlojnë efektin e taksave te njerëzit me aftësi paguese të ulët, duke e zhvendosur atë në mënyrë joproporcionale te njerëzit me një aftësi paguese më të lartë.
A mbështet taksimi progresiv parimet e barazisë?
Në pamje të parë duket sikur taksimi progresiv i bën të gjithë qytetarët të sakrifikojnë në mënyrë të barabartë dhe shteti duhet të ushtrojë të njëjtin presion mbi të gjithë. Pra, taksimi i barabartë si një parim i politikës, do të thotë barazi e sakrificës. Gjithashtu, po sipas këtyre këndvështrimeve, taksimi progresiv i ofron individëve mundësi të barabarta. Një ide që qëndron pas taksimit progresiv është nivelimi i fushës së lojës në mënyrë të tillë që të pasurit të mos zotërojnë me dorë të hekurt mundësitë ekonomike, duke synuar tu mundësojë të varfërve të ngjisin shkallët social-ekonomike.
Në të vërtetë, taksat progresive shkelin parimin e barazisë para ligjit. Një sistem tatimor progresiv shkel parimin kushtetues të barazisë para ligjit. Taksimi progresiv synon të luftojë në mënyrë të gabuar pabarazinë e rrethanave të njerëzve, duke pasur si qëllim të prodhojë një barazi më të madhe të rezultateve. Problemi kryesor në këtë metodë është qe nuk respektohet një parim aq themelor si ai i barazisë para ligjit, por më tepër angazhon qeverinë në një veprim subjektiv dhe të pamundur për të balancuar të drejtat individuale nëpërmjet një përpjekjeje për të prodhuar një rezultat të barabartë.
Njerëzit e pasur i fitojnë paratë e tyre njëlloj si njerëzit më të varfër, kështu që është e padrejtë ti armiqësosh njerëzit e pasur me taksat progresive. Gjithsesi, është po aq e vërtetë se jo çdo pasuri është e fituar në kuptimin e punës ose kohës së shpenzuar për ta përftuar atë. Shumë prej fitimeve vijnë nga investimet, qiratë, trashëgimitë apo pronësia e një kompanie.
Do të ishte ofenduese moralisht të taksosh njerëzit me të ardhura më të larta në mënyrë më të rëndë në rast se diferencat e të ardhurave do të pasqyronin vetëm se sa fortë apo sa shumë kanë punuar njerëzit e ndryshëm.
A është sistemi tatimor progresiv i drejtë për të pasurit?
Një sërë teorish pohojnë se taksat progresive mbrojnë të varfrit dhe nuk i ndëshkojnë ata. Sipas tyre, qëllimi i taksimit progresiv nuk është penalizimi i atyre që ia dalin, por mbrojtja e atyre që nuk ia arrijnë dhe të pasurit paguajnë shumë taksa sepse ata përfitojnë shumë nga të ardhurat kombëtare.
Në realitet taksat progresive ndëshkojnë në mënyrë të padrejtë të pasurit dhe të suksesshmit. Është e padrejtë ti ndëshkosh njerëzit për shkak të suksesit në shoqëri. Ata duhet të shpërblehen për suksesin ose të paktën të lejohen të korrin përfitimet e suksesit të tyre.
Sistemet progresive i detyrojnë në mënyrë të padrejtë të pasurit të paguajnë një grumbull taksash. Debati për shkurtimin e taksave e ka fokusuar vëmendjen në çështjen e drejtësisë, dhe të gjithë duhet seriozisht të pyesin në qoftë se taksa progresive është në të vërtetë ndopak e drejtë, ku një pakicë taksapaguesish në rangjet e larta janë të detyruar të paguajnë pjesën e luanit.
Të pasurit jo domosdoshmërisht përfitojnë më shumë nga taksat apo sistemi. Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet sasisë së taksave që një subjekt paguan dhe përfitimeve të tij, dhe në qoftë se ka ndonjë, në të vërtetë një person i pasur mund të përfitojë më pak shërbime publike se një person i varfër.
Taksa e sheshtë i bën të pasurit të paguajnë në mënyrë proporcionale më shumë për taksat. Është e padrejtë që njerëzit që fitojnë më shumë të paguajnë me një përqindje progresive. Edhe me një përqindje standarde ata paguajnë më shumë taksa, sepse ata kanë një të ardhur të taksueshme më të lartë. Prandaj taksat progresive janë një formë e taksimit të dyfishtë përderisa subjektet me të ardhura më të larta paguajnë aktualisht taksa për më shumë të ardhura dhe në një nivel më të lartë. Kjo është tepër e padrejtë përderisa ata janë grupi që përfiton më pak nga aktivitetet e financuara nga paratë e taksapaguesve p.sh. mirëqenia.
Sistemi tatimor progresiv i hap rrugë shmangies së padrejtë nga taksat. Taksat progresive shpesh janë aq të komplikuara dhe aq shumë problematike, sa të pasurit janë të aftë tu shmangen detyrimeve të tyre. Për rrjedhim, ata përfundojnë duke paguar një përqindje më të vogël se sa qytetarë të tjerë më pak të pasur. Aplikimi i një sistemi progresiv taksash do të kërkonte detyrimisht, në radhë të parë, një legjislacion fiskal tepër kompleks, voluminoz dhe të vështirë për tu aplikuar në praktikë. Së dyti, aplikimi i taksës progresive do të kërkonte një administratë fiskale akoma dhe më të fryrë, me një buxhet marramendës dhe njëkohësisht tepër efikase, për të parashikuar dhe parandaluar çdo shmangie të padrejtë të detyrimeve tatimore, që subjektet me të ardhura më të larta do të tentonin të ndërmerrnin në mënyrë të pashmangshme.
Nuk janë të pakët studiuesit edhe në SHBA, të cilët mendojnë se taksimi progresiv është një formë e tiranisë së shumicës. Nëse ne lejojmë që parimet kushtetuese të gërryhen nga sundimi i shumicës në emër të drejtësisë sociale, atëherë edhe liria, edhe drejtësia e vërtetë do të humbasin. Ata mendojnë se taksimi progresiv nuk është një virtyt, por një ves. Ai prezumon që të drejtat e pronësisë të të pasurve nuk janë aq të shenjta sa të drejtat e pronësisë të të varfërve dhe se vlerat e shumicës janë superiore ndaj të drejtave të pakicës. Taksat progresive shkaktojnë luftë klasash duke transferuar barrën tatimore nga një grup në grupin tjetër.
Sa ndikon aplikimi i një sistemi tatimor progresiv në rritjen e nivelit ekonomik të një vendi dhe si reflektohet kjo në uljen e nivelit të varfërisë?
Realisht sistemet tatimore progresive karakterizohen nga një rritje e vogël ekonomike. Është pikërisht kjo rritje e vogël ekonomike, e cila prek në radhë të parë të varfrit. Përkundrejt kësaj, taksat e sheshta ndihmojnë familjet me të ardhura të ulëta të dalin nga varfëria dhe kanë fituar mbështetje gjithnjë e më të madhe pas suksesit të arritur vitet e fundit në sistemet ekonomike në rritje të Europës Lindore.
A lufton taksimi progresiv pabarazinë e të ardhurave?
Ndryshe nga sa mendohet, taksat progresive nuk ulin në mënyrë të domosdoshme pabarazinë e të ardhurave. Një studim i Institutit Liberal për Politika Inovatore në SHBA, i cili ka si qëllim zvogëlimin e ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi, ka arritur në konkluzionin se taksat progresive dështojnë në uljen reale të pabarazisë së të ardhurave, për shkak të evazionit fiskal të ligjshëm ose jo, që ato shkaktojnë. Progresiviteti i zhvendos paratë prej sipërmarrësve dhe investitorëve të kapitalit drejt të mirave të konsumit. Kjo mund të ndodhë pasi ata që fitojnë të ardhura të larta kanë si tendencë të paguajnë për të mirat kapitale (nëpërmjet investimeve) dhe fituesit e të ardhurave të ulëta synojnë të blejnë të mira të konsumueshme. Teoria Smithiane dhe Neoklasike e rritjes thotë që harxhimi më shumë për të mirat e konsumueshme se sa për të mirat kapitale do të ngadalësojë rritjen e standardit të jetesës dhe me shumë gjasa do ta ulë atë, pasi të mirat kapitale rrisin mundësitë prodhuese të së ardhmes.<