E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhësia e palexuar e të vegjëlve

AGIM BAÇI

Në aspektin politik, teorikisht së paku, është folur që partitë e vogla shërbejnë si një mekanizëm amortizimi në Kuvend mes partive të mëdha për marrëveshje, për kompromise, ose për të mos lënë partinë më të madhe në pushtet që të përfundojë në arrogancë për shkak votash që mund të ketë në aprovime ligjesh apo në ndryshime të institucioneve. Por, praktikisht, në Shqipëri, përveç përfitime politike që kanë pasur, duket se pak kontribut konkret është vënë re nga partitë e vogla, të cilat ose kanë ngritur zërin vetëm përpara marrëveshjeve që vlejnë për ta, ose kanë kaluar në kampin tjetër për shkak të humbjes së vendit të një ministri apo drejtorëve që kanë kërkuar. Por, sistemi i sotëm zgjedhor u jep një shans – që nëse nuk fitojnë, të jenë shkak për humbjen e njërës prej partive më të mëdha. Zgjedhjet e fundit treguan se leximi i votës së tyre ishte i domosdoshëm. Këtë fakt po shfrytëzojnë së fundmi edhe disa parti në opozitë, të cilat po i kujtojnë Ramës fuqinë e tyre për ta lënë sërish në opozitë.
Për shefin e opozitës, kërkesat e tyre janë në një moment delikat, që atij i duhet të zgjidhë edhe raportet në parti, të cilat në javët e fundit kanë treguar se nuk janë edhe aq të lehta të menaxhohen, mjafton të kemi parasysh konfliktin e fundit për kreun e FRESH-it, që nxori në pah se të emëruarit e Ramës dhe socialistët e vjetër nuk kanë ndonjë bashkëjetesë në vaj.
Gjuha e përdorur së fundmi nga katër parti opozitare, tregon se përballë mbijetesës, ata do të përdorin karta politike që edhe pse mund të mos jenë shumë në përshtatje me programet, mund të jenë mënyrë për të qenë në pushtet, e cila lidhet edhe me mbijetesën e tyre në skenën politike, pasi në shumicën e kohës kanë pasur elektorat pak a shumë ata që kanë pasur edhe të punësuar.
Në krahun tjetër, ajo që kërkojnë aleatët natyralë të PS-së, edhe pse mund ti kushtojë shumë nëse vjen në pushtet, duhet pa dyshim të merren seriozisht, sidomos po të kemi parasysh që në kalkulime politike, shefi i maxhorancës ka treguar se di të ftojë edhe ata të cilët mund ti ketë pasur kundërshtarë të hapur.
Kështu, edhe pse parimisht Rama mund të ketë shumë të drejtë të luftojë i vetëm që të arrijë më pas të menaxhojë gjithë përgjegjësinë e qeverisjes me partinë e tij, duket se konkretisht mund të marrë përgjegjësinë e lënies në opozitë të partisë së tij, e cila sërish mund të jetë fituese e mbështetjes popullore, siç ka pretenduar ai në dy zgjedhjet e fundit, por jo e së drejtës për qeverisje.
Ndërkaq, edhe pse duhet edhe një vit që të hyjmë në fushatë, zgjidhja e këtyre probleme për Ramën është pikërisht tani, pasi më vonë rrezikon të gërshetojë problemet me aleatët me çështjen e listave për deputetë. Të deleguarit e fundit në rrethe ku skanë qenë më parë mund të ndeshen me interesa që shefi i opozitës mund të mos i ketë njohur, e që mund ti hapin atij debate jo të lehta.
Kështu, shefi i opozitës, edhe pse mund të jetë shumë atraktiv në Twiter teksa jep mesazhe të ndryshme politike, ka treguar se mund të mos jetë llogaritar i mirë për mbledhjen e votave, duke harruar kështu një aspekt shumë të rëndësishëm në demokraci – që udhëheq ai që ka qoftë edhe një votë më shumë. E për aq kohë sa shefi i opozitës nuk është kujdesur që të ndryshojë formulën e votimit, duhet të rishikojë formulën e komunikimit politik me të vegjlit, që në çaste të ndryshme, bëhen vërtet të mëdhenj për ardhjen në pushtet. Përndryshe, ai mund të pretendojë se është më i votuari, por pa mundur ta çojë PS-në në qeverisje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›