Bibla e dhimbjes
Lum ato që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve!. Zgjodha pikërisht këto fjalë biblike, fjalë perëndie, për të transmetuar sadopak shenjtërinë, humanizmin, dëshirën për jetën, dëshirën për dashuri, dëshirën për mirësi, të një vajze me ndjenja të bukura, me talent shpërthyes dhe me një zemër vigane. Tek lexon Dritën, të duket vetja se po udhëton në mbretërinë e pafundme të një shpirti, i cili herë pas here të ngjitet brenda teje, duke të falur me zemërgjerësi, një lloj harmonie dhe paqeje të kërkuar, e cila njerëzishëm gdhend gjurmën e pashlyeshme të saj, për të na freskuar gjykimin e për të na tendosur emocionet, me efektin e një libri që nuk është thjesht një i tillë, por të një libri që mbart dhe transmeton një magji sa të bukur, aq dhe të trishtë, sa pranverore, aq dhe vjeshtore, sa dritëdhënëse po aq dhe të ngjyrosur me mijëra bukuri dhe mijëra ndjesi. Prandaj, është pak të thuash që Drita në ikjen e saj na fali një dritë, sepse gjithçka është shumë e më shumë dhe të cilën, pa frikë se po kaloj kompetencat profesionale, do ta quaja një bibël të vogël. Kjo është bibla e dhimbjes së pafund për grishjen e lirisë, bibla e dhimbjes për afirmimin e bukurisë njerëzore, bibla e dashurisë për jetën dhe e luftës që jeta bën për hir të së ardhmes e lumturisë, bibla e thirrjes për pak drejtësi. Dhe brenda këtij libri të shenjtë, heroina jonë është pikërisht ajo vajza e bukur që luan me vdekjen dhe diktaturën, që përballet me to, i sfidon pa tmerr e frikë dhe arrin ti mundë. Dashuria e Dritës është aq e madhe, sa fjalët që themi duket sikur e pengojnë që ajo të na shpaloset e plotë. Ajo dashuri është hyjnore për nënën, është dashuri e malluar për babain, është sublime për të vëllain, Titin, dashuri tronditëse për gjyshen, dashuri e thellë për të afërmit, dajat, kushërirat e mira të saj, Ledin, Laurën, është dashuri me shumë dashuri për të dashurin, është dashuri profane dhe e sinqertë për Mondën, Brizidën, Vaninën, Luljetën, Kledian, Gledisin e shumë shoqe të saj, është dashuri e thjeshtë, e njerëzishme për miqtë e saj të spitalit. Kjo dashuri është spontane për ditën, diellin, natën, hënën, shiun gjelbërimin dhe tek e fundit, të gjitha, sipas dhe talentit të saj në matematikë, ishin vektorë të rezultantes së dashurisë së pafundme për jetën, për të cilën në ditarin e saj shkruante: E dua jetën, kaq shumë, kaq shumë… deri në dhembje të shpirtit. Poezia ndriçuese e Dritës vjen e butë, e dëlirë, e ngrohtë, e plotë kur u drejtohet atyre gjërave që ajo i quan ato të paktat që duhen për të qenë i lumtur (Nënës, Babait, Gjyshes, Valbonës, Laura B., K., Për jetën, Bukuria etj.) dhe me temperament e karakter, kur ajo shpreh revoltën e natyrshme, dhimbjen e hidhur për praninë e hipokrizisë, mungesën e së vërtetës, dominimin e urrejtjes dhe të së keqes (Maj dhe vdekje, Boshllëk, Dashuri, Po mësoj të jetoj etj.). Megjithëse kemi të dhënë në një libër unik, ditar e poezi bashkë dhe si forma gjuhësore këto dallohen mirë nga njëra-tjetra, kur nis e i lexon, ndien dhe kupton se ato rakordohen aq mirë, sa duket se janë vazhdime të njëra-tjetrës, në nivele të ndryshme ligjërimi. Ditari i Dritës është aq poetik sa çështë intime dhe poezia e bukur e saj. Këtë gjë e provon dhe një element domethënës. Pothuajse, në asnjë rresht të ditarit ajo nuk pohon se ka shkruar një poezi, duke kaluar kështu intuitivisht nga shkrimi në rreshta, në shkrimin në vargje, duke na dëshmuar që ajo ka qenë po aq e frymëzuar, sa kur shkruante poezi, ashtu dhe kur niste të hidhte ditar. Zilia dhe urrejtja njerëzore, që ka kryqëzuar profetë dhe ka përmbysur mbretëri, e cila iu fanit shqiptarëve si diktatura më paranojake e globit, goditi çdo gjë njerëzore, të bukur dhe të lumtur, përmbysi çdo idealitet dhe egërsisht ndau familje, preu jetë në mes, preu besë në mes, zhvlerësoi amësinë, tronditi qenien tonë, por pa arritur të prishë kodin gjenetik fisnik të shqiptarëve. Këtë kalvar hoqi dhe Drita jonë dhe familja e saj e pastër, pa u dorëzuar as në gjunjëzim e as në përulje dhe pa iu nënshtruar as fatit të stisur në korridoret e hetuesive makabre. Në poezinë e ditarin e saj nuk ka nota të forta thirrjeje, protestë shumë të hapur, por askush nuk duhet të mendojë që atje nuk ka qëndresë dhe luftë. Madje ajo e lufton diktatin me armët më efikase, sepse në çdo moment ajo shpërndan dashuri dhe bukuri, emocion dhe ndjenja, paqe dhe qetësi. Dhe e gjitha kjo kuptohet midis rreshtave nga frekuenca në rritje e egërsisë së regjimit ndaj babait, nënës, vëllait, ndaj kohës për të. Te Drita, megjithëse trishtimi shpërndahet qetësisht, nuk ka fatalitet, nuk ka dorëzim. Ajo deri në fund është po aq hyjnore, po aq tokësore sa ditën kur erdhi në jetë. Duke parë me vëmendje poezinë e saj njerëzore përkundër poezisë zyrtare të kohës, me pak ndikime nga autorë që ajo i adhuronte si Pushkin, Esenin etj., lehtësisht evidentohet disidenca e theksuar e saj, përmbajtja e së cilës do të habiste çdo recent. Në një vështrim të shpejtë, në të vihet re përdorimi i fjalëve çelës, që mbartin peshë themelore kuptimore, ndër të tjera, sidomos i fjalëve shi dhe i kaltër, që krijojnë një dihotomi poetike interesante, por që të dy bashkohen mrekullisht sepse semantikisht i përkasin një elementi domethënës, qiellit. Kështu ndërsa shiu i sjell trishtim, gëzohet si fëmijë kur evidenton se sytë e Mondës janë të kaltër, natyra që lindi Anrin është e kaltër, zjarri është i kaltër, ditët e bukura janë të kaltra, vështrimi i Brizidës është i kaltër, ëndrra e Vaninës është e kaltër, vegimi është i kaltër dhe kukulla e vogël është me sy të kaltër. Kjo lidhje shpirtërore e Dritës me qiellin të lë të mendosh që shqisa e shtatë e talentes së bukur e kishte kuptuar pavetëdijshëm që ajo ishte aq hyjnore, sa i përkiste qiellit dhe jo tokës, se vendi i saj ishte në kaltërsinë e parajsës. Dhe këtu natyra gaboi në kohë dhe në mënyrën se si e ngriti, por jo vendin. Vetë Zoti u trondit, por nuk mund të duronte më shumë për ta pasur në krah. Drita nuk la testament pasuror, por në vend të tij na dhuroi sakrificën e saj, krijim e saj, biblën e dashurisë për jetën, prandaj në poezinë pamflet Pa asgjë të re, ajo shkruan: Jetuam, që ata të mos jetojnë si ne/ që ata të kenë ëndrra të lira si deti. Si e tillë, ajo për ne do të mbetet simbol i madhështisë së dashurisë për jetën, për njeriun, për familjen dhe lartësimi i sotëm është fillimi i lartësimit të veprës së saj.
