Benedikti XVI, ipeshkvijve të Amerikës Latine: “Rizbuloni rrënjët e thella të krishtera”
Papa Benedikti XVI u dërgoi javën e kaluar një mesazh ipeshkvijve të Amerikës Latine, mbledhur deri të premten, në Ekuador, në Këshillin Ipeshkvnor të kontinentit. Ati i Shenjtë u bëri thirrje ipeshkvijve të reflektojnë thellë mbi vlerat kulturore, historike dhe tradicionale afro-amerikane, në mënyrë që Kisha të dijë ta paraqesë Jezusin, gjithnjë e më shumë e më mirë, si përgjigje të vërtetë për çështjet më të thella, që e shqetësojnë njeriun. Mesazhi nënshkruhej nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone dhe i drejtohej Departamentit të Edukimit e të Kulturës së Këshillit Ipeshkvnor Latino-amerikan, mbledhur në Takimin e tij XII për baritorinë afroamerikane dhe karaibike.
Atë Lombardi: “Paratë dhe transparenca”/Gjatë javës së kaluar u publikua një raport i detajuar mbi impenjimin e Vatikanit për të hyrë në sistemin ndërkombëtar të kontrollit e të masave për luftën kundër formave të reja të kriminalitetit në fushën ekonomike e financiare, si riciklimi i parave e financimi i terrorizmit. Raporti është hartuar nga Moneyval, organizmi kompetent i Këshillit Evropian. Sipas tij, Vatikani ka ecur mirë, është në rrugë të mbarë, megjithëse mbetet shumë për të bërë. Ja një koment i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, për këtë argument: Për Selinë e Shenjtë, përshkimi i kësaj rruge qe vendim e risi e guximshme, që përkon me vijën koherente të transparencës, dashur nga Papa në të gjitha fushat. Siç e dimë, paratë mund të shërbejnë për shumë gjëra të mira, madje, shpesh janë të nevojshme për realizimin e planeve të mrekullueshme. Njëkohësisht, ato nuk janë shpëtimi i botës e, jo rrallë, përdorimi i tyre shoqërohet me rreziqe. Nganjëherë, për mungesë kujdesi, nganjëherë, për shkak të pasionit të shfrenuar për të pasur sa më shumë. Është pozitive, madje e nevojshme, që bashkësia ndërkombëtare të shqetësohet për vendosjen e rregullave e të kontrolleve në mbrojtje të së mirës së përbashkët. Është e drejtë dhe detyrë që institucionet kishtare të marrin pjesë me forcë, por edhe me përvuajtëri, në këtë përpjekje, pasi s’ka arsye të mendojmë se janë më eksperte e më të afta se të tjerët në vendosjen e këtyre kontrolleve. Përkundrazi, nganjëherë, besimi i tepruar në synimet e mira të tjetrit mund t’i gënjejë.
Rigorozitet dhe administrim i mirë, transparencë e bilanceve dhe e procedurave, respekt për ligjin. Në të gjitha nivelet, në të gjitha anët e botës e në të gjitha fushat, nga bamirësia, tek arsimi e shëndetësia… Rruga është e gjatë dhe e vështirë për të gjithë, edhe për organizatat katolike; kërkon punë për shkak të situatave nga më të ndryshmet; por s’ka asnjë dyshim se është drejtimi i duhur, pasi kjo është premisë edhe për besueshmërinë e misionit shpirtëror e moral të Kishës, që është gjëja më e rëndësishme. Urojmë që përvoja e marrëdhënieve të Vatikanit me Moneyval-in të jenë një hap e shembull i mirë për të gjithë Kishën.
Marrë nga Radio Vatikani