Konstitucionalisti Rustem Gjata: “Heqja e imunitetit forcon shtetin ligjor”
Konstitucionalistët shohin me pozitivitet propozimet për heqjen apo kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. Rustem Gjata, një ndër njohësit më të mirë të ligjit themeltar të vendit, mendon se nisma ligjore për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe politikanëve shkon në fuqizimin e shtetit ligjor në Shqipëri. “Për mua është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e shtetit ligjor, në radhë të parë ka të bëjë me organet e ndjekjes që është prokuroria”, shprehet ai. Lidhur me debatin që ekziston mes palëve në lidhje me qëndrimin e organit të akuzës lidhur me procedurën që duhet ndjekur në rastet e arrestimit të një deputetit kur akuzohet për vepër penale, Gjata shprehet se palët duhet të kenë më shumë besim të prokuroria. “Prokuroria është organi i zbatimit të ligjit jo i shkeljes së ligjit, nuk duhet pasur mosbesim tek prokuroria, sepse kundërshtimi i heqjes ose kufizimi i imunitetit tregon dyshime se prokuroria mund të bëjë namin nesër. Në pozitë më delikate janë gjyqtarët, sepse kanë të bëjnë me çështje konkrete”, shprehet Gjata. Ai shprehet se heqja e imunitetit duhet të bashkojë forcat politike, pavarësisht këndvështrimeve të tyre. Sipas tij, përfaqësuesit e popullit të Kuvend duhet të shohin interesin kombëtar dhe jo t’i vënë kushte procesit. “Është në interesin kombëtar kjo çështje dhe duhet të nisemi gjithmonë nga interesi kombëtar për të dhënë pëlqimin për të. Partia është mjet dhe qëllimi i saj është për t’i shërbyer kombit, nëse një parti shkëputet nga interesat e kombit, për këtë parti nuk ka kuptim ekzistenca e saj. Në këtë rast është interesi qytetar”, u shpreh konstitucionalisti Gjata. Gjata shprehet se heqja e imunitetit do të ndikojë pozitivisht edhe në procesin e integrimit evropian të vendit. Sipas tij, miratimi i kësaj nisme do të krijojë më shumë premisa për integrimin e vendit, duke arritur standarde që kanë dhe vendet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Heqja e imunitetit është një proces që vlerësohet pozitivisht jo vetëm nga konstitucionalistët dhe ekspertët e njohur të fushës së të drejtës, por edhe nga ndërkombëtarët. Diplomatët e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së në Tiranë, kanë bërë apel në mënyrë të përsëritur për të votuar nismën për heqjen e imunitetit. Sipas tyre, një nismë e tillë do të ulte korrupsionin dhe do të vlerësohej pozitivisht nga Bashkimi Europian për të dhënë statusin e vendit kandidat.
...