E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI, në Gjermani me mesazhe kundër modës së shekullarizimit

24-09-2011 / Gazeta 55

Ati i Shenjtë, në takim me Kishën ungjillore gjermane në Erfurt kërkon kundër shekullarizimit një fe të gjallë në Zotin

Kulmi i ditës së dytë të vizitës së Papës Benedikti XVI në Gjermani u arrit me kremtimin ekumenik në ish-kuvendin e augustinianëve në Erfurt, në të cilin morën pjesë rreth 300 vetë, katolikë e përfaqësues të Kishave protestante gjermane. Është kuvendi ku studioi dhe qëndroi Martin Luteri, i cili ishte meshtar katolik augustinian, para se të bëhej nismëtari i Reformës Protestante e të shkëputej nga Papa e Vatikani, duke u dhënë jetë Kishave Evangjelike, që sot në Gjermani numërojnë rreth 24 milion besimtarë, një e treta e popullsisë.
Doktrina katolike mbi skizmën e Luterit, përfshirë çkishërimin e tij, siç e sqaroi gjatë takimit ekumenik Papa, nuk ndryshon, megjithëse edhe vetë Ati i Shenjtë reflektoi dje shumë pozitivisht mbi përshpirtërinë e themeluesit të protestantizmit. Benedikti XVI iu referua zërave, që para vizitës së Papës përhapën opinionin se Ati i Shenjtë do t’u bëjë një dhuratë ekumenike protestantëve, duke anuluar shkishërimin e Martin Luterit. Pa përmendur pikërisht këtë, Jozef Racinger theksoi se kjo mënyrë të menduari çon drejt “moskuptimit të fesë e të ekumenizmit”. Papa nënvizoi se vizita e një Kryetari shteti në një vend mik paraprihet nga kontakte, gjatë të cilave diskutohen të mirat e të këqiat e marrëveshjes, që do të nënshkruhet më pas. Por, sqaroi Benedikti XVI: “Feja e të krishterëve nuk është kontratë, që bazohet në peshimin e përfitimeve dhe të humbjeve tona. Feja e vetëformuar është pa vlerë. Feja nuk është diçka që e shpikim, për të cilën merremi vesh mes nesh. Është themeli mbi të cilin jetojmë. Bashkimi i të krishterëve nuk arrihet përmes peshimit të përfitimeve e të humbjeve, por duke u thelluar gjithnjë e më shumë në fe, nëpërmjet mendimit e jetës”. Benedikti XVI nuk harroi të falenderojë të gjithë ata, që edhe nën udhëheqjen e Papës së lum Gjon Pali II, kanë punuar dhe e kanë shkrirë jetën për arritjen e bashkimit gjithnjë e më të madh të të krishterëve, duke bërë hapa përpara në fushën e ekumenizmit. Shembulli, që dha Ati i Shenjtë për katolikët, qe kardinali gjerman Lehmann.
Para se të tërhiqte vëmendjen për këtë argument, në fillim të homelisë që mbajti në kremtimin ekumenik, Papa u ndal në kuptimin e unitetit ndërmjet të krishterëve. Bashkim, theksoi Benedikti XVI, do të thotë të besosh në të njëjtin Zot, Atin e Gjithpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës, të cilit i drejtohemi si Hyj trinitar – Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë. Momenti aktual, në të cilin ndodhet bota, karakterizohet nga mënjanimi i Zotit. Në çastin e parë, vërejti Papa, mund të duket sikur gjërat funksionojnë edhe pa Të. “Por sa më shumë që bota largohet nga Hyji, aq më shumë bëhet e qartë se njeriu, në majën e pushtetit të vet të shpërfytyruar, në boshllëkun e zemrës e në etjen për kënaqësi e lumturi, e humb gjithnjë e më shumë vetveten”. Që këtej, thirrja e Benediktit XVI: “Shërbimi ynë i parë ekumenik në këtë kohë, duhet të jetë dëshmia e përbashkët e pranisë së Zotit të gjallë, që kështu, t’i japim botës përgjigjen, për të cilën ka nevojë… dëshmia për Jezu Krishtin, njeri i vërtetë e Hyj i vërtetë, që jetoi me ne, vuajti për ne, vdiq për ne e me ringjalljen, hapi dykanatësh portat e vdekjes. Të përforcohemi në këtë fe! Ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta jetuar atë! Kjo është detyra e madhe ekumenike, që na bën të hyjmë në thelbin e lutjes së Jezusit”.
Siç kuptohet, Papa i referohej lutjes së Krishtit që të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme. Gjatë kremtimit, Ati i Shenjtë shqiptoi edhe lutjen e vet për bashkimin e të krishterëve, pasuar nga lutje të tjera, shqiptuar nga të pranishmit, katolikë e luteranë. Të bashkuar, nënvizoi më pas Benedikti XVI, të krishterët duhet të përballojnë problemet e botës së sotme, sidomos të impenjohen për mbrojtjen e jetës, kundër eutanazisë dhe diagnozës para impiantimit të fëmijëve në epruvetë. Siç ka bërë shpesh, gjatë vizitës në Gjermani, por edhe më parë, Jozef Racinger denoncoi faktin se etika, në kohët e sotme, zëvendësohet nga llogaria e pasojave:
“Serioziteti i besimit në Zotin shihet nga sa e jetojmë fjalën Tij. Në kohët tona, shihet konkretisht në impenjimin për atë krijesë, që Hyji vetë e deshi sipas imazhit të vet: njeriu… ne si të krishterë duhet ta mbrojmë dinjitetin e padhunueshëm të njeriut, nga zënia deri në vdekje – në çështjet e diagnozës para impiantimit në epruvetë e deri në problemet e eutanazisë… Pa njohuri për Zotin, njeriu bëhet i manipulueshëm. Feja në Zotin duhet të konkretizohet në impenjimin tonë të përbashkët për njeriun”.
Pas kremtimit ekumenik, Ati i Shenjtë shkoi në seminarin e Erfurtit, ku kaloi drekën, për të shkuar pasdite në Ecelsbah. Në fushën para Kapelës së Shtegtimeve kremtoi Lutjet Mbrëmësore Mariane. Kujtojmë se sipas një legjende të shekullit XVI, disa kuaj, që përdoreshin për të punuar arën, u ndalën pa u shkulur nga vendi, pikërisht në pikën ku u gjet një shtatore druri e Zojës. Aty u ndërtua kapela e që atëherë, vendi tërheq shtegtarë nga e gjithë Gjermania. Shumë popullor është “Shtegtimi me kuaj”, në të dielën e dytë pas Festës së Pasisë së Zojës, që përfundon me bekimin e kuajve. Shtatorja origjinale e Zojës ruhet brenda kapelës aktuale, rindërtuar në vitin 1801, sipas projektit të françeskanit Paskalis Gretce.
Papa në takim me myslimanët në Gjermani: “Respekti i dinjitetit të njeriut le të jetë themeli i shoqërisë”/Intoleranca që nganjëherë shfaqet ndaj bashkësisë islame në Evropë lind nga një keqkuptim. Për këtë është i bindur Papa Benedikti XVI i cili trajtoi këtë temë në fjalimin e tij me përfaqësuesit e islamit në Gjermani, gjatë takimit të sotëm të përzemërt ndërfetar mbajtur paradite në Nunciaturën Apostolike në Berlin.
“Shumë myslimanë i japin rëndësi të madhe përmasës fetare, - tha Papa Ratcinger. - Kjo, nganjëherë, është interpretuar si provokim në një shoqëri që anon ta mënjanoi këtë aspekt apo në të shumtën e rastit ta pranoi në sferën e përcaktimeve private të individëve”. “Edhe Kisha Katolike - shtoi Benedikti XVI – impenjohen vendosmërisht që të njihet e të pranohet me të drejtë përmasa publike e përkatësisë fetare në shoqëri. Është fjala për një kërkesë që aspekti shpirtëror të mos bëhet e të mos konsiderohet si i parëndësishëm në kontekstin e një shoqërie gjithnjë e tepër pluraliste. Sipas Papës, si nga ana e myslimanëve si e po kështu edhe nga të gjithë njerëzit e besimeve tjera, “duhet pasur kujdes e kushtuar vëmendje në mënyrë që ndaj tjetrit të ketë gjithmonë respekt”.
“E respekti i anasjelltë rritet vetëm mbi bazën e mirëkuptimit mbi disa vlera të pacenueshme, që janë pjesë e natyrës njerëzore, sidomos dinjiteti i pacenueshëm i njeriut”. E kjo, shpjegoi Papa Ractinger para delegacionit të bashkësive myslimane të pranishme në Gjermani – nuk e kufizon lirinë e shprehjes së feve të veçanta; përkundrazi, secilit njeri i mundëson dëshmimin e asaj në çka beson në mënyrë pozitive, duke mos u tërhequr nga ballafaqimi me tjetrin”. “Bashkëjetesa e mirë e njerëzve që i përkasin feve të ndryshme, sinqeriteti, dashamirësia, çiltërsia, dialogut ndërfetar dhe dëshmia e përbashkët e të krishterëve dhe myslimanëve për vlerat e drejtësisë e të paqes – vërejti nga ana tij presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike gjermane imzot Robert Zollitsch në përshëndetjen e shkurt në fillim të takimit – janë objektivat që Benedikti XVI, i kultivon përherë e u kushton vëmendjen dhe angazhimin e tij si teolog e si Papë. Këto – siguroi ipeshkvi gjerman – janë edhe objektivat e ipeshkvijve e të mbarë Kishës Katolike në Gjermani. Koncepte të ngjashme u shprehen edhe nga profesor Mouhanad Khorchide i cili e përshëndeti Papën në emër të krejt delegacionit. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger në përgjigjen e tij, vuri në pah “atmosferën aktuale të respektit e të besimit ndërmjet Kishës Katolike dhe bashkësive myslimane në Gjermani”. “Berlini është vend i volitshëm për një takim të tillë, – përfundoi Benedikti XVI – jo vetëm pse këtu gjendet xhamia më e lashtë në tokën gjermane, por edhe sepse në Berlin jeton një numri më i madh i myslimanëve në krahasim me të gjitha qytetet tjera në Gjermani”.

 ...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›