E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Maqedonas myslimanë apo torbeshë?

24-09-2011 / Nga Seladin Xhezairi

Tre deputetë të Partisë për Ardhmëri Evropiane (PAE) të biznesmenit Fijat Canovski kanë kërkuar që në Kuvendin e Maqedonisë të trajtohen si pjesëtarë të pakicës etnike të torbeshëve e jo si maqedonas myslimanë, sikundër figurojnë tani. Konform kësaj, ata lypin që të bëhen pjesë e mazhorancës së Badenterit që aktualisht kontrollohet nga deputetët shqiptarë. PAE është parti opozitare, dhe në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me LSDM-në, megjithëse deri në prag të tyre spekulohej krushqia me partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim. Në këtë mënyrë kjo forcë politike rihap debatin lidhur me përkatësinë etnike të torbeshëve apo, sikundër njihen në Kosovë, goranëve. Çështja daton që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar kur ‘prijësit’ e komunitetit që për nga feja janë myslimanë, ndërsa e flasin një përzierje të maqedonishtes, serbo-boshnjakishtes me elemente edhe të shqipes, për arsye politike vendosën të quhen maqedonas myslimanë. Në fund të luftës në Kosovë, këtij kursi iu bashkuan edhe ‘liderë të importuar’ nga Gora, të cilët për shkak të përftimeve materiale, të pushtetit të kohës, ia mbajnë ison melodisë se torbeshët janë maqedonas dhe nuk mund të trajtohen ‘vetëm për shkak të përkatësisë fetare si pakicë në shtetin e tyre të Maqedonisë’.
Përse çështja hapet pikërisht në prag të regjistrimit të popullsisë? Njohësit e rrethanave politike lënë të kuptohet se arsyen duhet kërkuar, në radhë të parë, tek pakënaqësia e numrit një të Partisë për Ardhmëri Evropiane, Fijat Canovski, me akuzat e pushtetit ndaj tij si biznesmen dhe të cilat zanafillën e kanë në krushqinë politike me LSDM-në opozitare të ish-presidentit Branko Cërvenkovski, por edhe me pronarin e televizionit tashmë të mbyllur e shumë popullor A1, Velija Ramkovski. Fakti se në fillim të muajit në Maqedoni do të bëhet regjistrimi i popullsisë, duket si një atu e fortë në duart e Canovskit dhe kjo do të mund të provohet në trajtimin gjyqësor të Ramkovskit, i cili ka kohë që ndodhet në arrest dhe në ‘zbutjen’ e aktakuzave ndaj vetë Canovskit për mosshlyerje të detyrimeve ndaj shtetit. Rrjedhimisht torbeshët nuk gëzojnë statusin kushtetutës të grupit etnik dhe së bashku me vllehtë dhe ata që ndihen si bullgarë kanë rënduar në tasin e peshores së politizuar etnike maqedonase për të amortizuar kështu polaritetin mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Se çfarë do të jenë treguesit e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë, kjo mbetet të shihet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›