E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të angazhohet në Kuvend me miratimin e ligjeve dhe reformave”

24-09-2011 / Gazeta 55

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, takon Edi Ramën


Një ditë pasi Partia Socialiste refuzoi të votonte në Kuvend ligjet me shumicë të cilësuar, një pjesë e mirë e të cilave janë kushte të Bashkimit Evropian për autoritetet shqiptare, ambasadori i Prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth zhvilloi dje një takim me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Wollfarth i ka bërë apel opozitës dhe mazhorancës të bashkëpunojnë në parlament për të përmbushur detyrat e vëna nga Bashkimi Evropian dhe OSBE. Në një prononcim për mediat pas takimit me kreun e PS-së, Rama, ambasadori Wollfarth theksoi se në takim u bisedua për mënyrën se si opozita do të angazhohet në parlament, duke vënë theksin se votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar. Ambasadori i OSBE-së tha se e rëndësishme për Shqipërinë mbetet përforcimi i vizionit të integrimit evropian. Wollfarth ka deklaruar është e rëndësishme që të dyja palët të kenë pikëpamje të qarta në lidhje me rregulloren e parlamentit dhe sipas tij ky është edhe hapi i parë. “Patëm një shkëmbim shumë të mirë mendimesh për situatën politike aktuale. Një aspekt shumë i rëndësishëm është vizioni për integrimin evropian. Gjithashtu, folëm për aspekte të raportit tim më të fundit në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, si dhe për mënyrat e angazhimit në Kuvend. Ndoshta ky është një hap themelor, një hap i parë themelor”, tha në prononcimin për mediat, ambasadori Eugen Wollfarth. Ai bëri thirrje se mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë në pozita të barabarta në Kuvend në mënyrë që procesi të jetë i drejtë. “Opozita, sigurisht, duhet të vendosë pas një diskutimi dhe dialogu të vërtetë në Kuvend, se si do të votojë. Por unë mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme që të ketë qartësi dhe pozita të barabarta në rregulloren e parlamentit. Ky do të ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm. Padyshim, do të ishte shumë mirë që të shihej se si është trajtuar ajo në të shkuarën, dhe që përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës të jenë në pozicione të barabarta në Kuvend, në mënyrë që procesi të jetë i drejtë”, deklaroi Wollfarth. Dy ditë më parë në Kuvend socialistët i bënë bllok ligjeve që kërkojnë 3/5, duke votuar kundër miratimit të tyre. Mazhoranca akuzoi opozitën se po përdor praktika bllokuese të qëllimshme kundër procesit të integrimit, ndërsa nga ana tjetër opozita në vend të dhënies së konsensusit për 12 rekomandimet e statusit të vendit kandidat, propozoi 10 kushtet e saj. Socialistët i kërkuan mazhorancës të tërheqë ligjet ndërsa në këmbim të votës për ligjet me shumicë të cilësuar mazhoranca duhet të marrë në shqyrtim draftin me 10 pika ku kërkohet rikthimi i ligjeve në komisionet parlamentare, ndryshimi i rregullores së Kuvendit apo dhe ndryshimet kushtetuese.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›