“PS të lerë luftën politike, të kthehet te interesi evropian i shqiptarëve”
LSI, Luan Rama
Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, u kërkoi partive politike të lënë mënjanë luftën politike dhe të angazhohen seriozisht në përmbushjen e atyre kritereve, të cilat do të përshpejtojnë procesin e integrimit. “Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është prioriteti kryesor për klasën politike të vendit por është edhe një sfidë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Është e nevojshme që të gjithë aktorët dhe faktorët politikë të sillen në mënyrë evropiane. Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh ka theksuar nevojën e një Pakti Kombëtar për integrimin evropian të vendit dhe një kusht i rëndësishëm në tërësinë e reformave që lidhen me integrimin evropian është padyshim edhe reforma zgjedhore. Nga kjo pozitë dhe nga ky qëndrim i njohur i Lëvizjes Socialiste për Integrim unë i ftoj të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm të lënë mënjanë interesat e vogla të tyre apo të grupit që përfaqësojnë por në të gjithë sjelljen e tyre politike të dominohen nga interesat evropiane të vendit. Shqipëria nuk ka nevojë për luftë politike, Shqipëria nuk ka nevojë për retorikë apo për patetikë politike dhe as për demagogji”, u shpreh Rama. Sipas tij, reforma zgjedhore dhe e gjithë paketa që vjen si kusht për integrimin europian të vendit është ajo që duhet të dominojë dhe të na bashkojë të gjithëve në qëndrimin që mbajmë. “Lidershipi i PS-së duhet ta kuptojë që edhe interesat e qytetarëve, votuesve dhe simpatizantëve të PS-së, janë një me interesat europiane të vendit. Për hir të këtyre interesave lidershipi socialist ta kuptojë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e veçantë që merr bashkëpunimi dhe kontributi pozitiv jo vetëm i deputetëve socialistë, por i tërë opozitës dhe i të gjithë qytetarëve që votojnë dhe mbështesin PS”, theksoi Rama. Ai u shpreh se, “LSI ka qenë e gatshme të kontribuojë pozitivisht jo vetëm për të shpejtuar ritmet e integrimit europian të vendit, por edhe duke ofruar projekte dhe drafte konstruktive në përputhje me interesat europiane të vendit për reformën zgjedhore dhe për të gjitha kushtet që kërkon procesi i integrimit evropian”.
...