E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI në Maltë: “Dëshmojeni me guxim dashurinë e Zotit për të gjithë”

“Të dashur të rinj të Maltës e të Gocos, jam shumë i lumtur që gjendem mes jush” janë fjalët në gjuhën malteze, me të cilat Papa Benedikti XVI përshëndeti dje të rinjtë e mbledhur në portin e La Valetës, ku Ati i Shenjtë mbërriti pasdite me katamaran, pasi kishte kremtuar paradite Meshën e Shenjtë në Sheshin e Hambarëve në Floriana, ku tha edhe lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Në mbrëmje, Papa u kthye në Vatikan, duke përfunduar kështu udhëtimin e tij të 14-të apostolik, i teti në kontinentin evropian, që e çoi për dy ditë në Maltë, me rastin e 1950-vjetorit të mbërritjes së Shën Palit Apostull në brigjet e ishullit mesdhetar. Të rinjtë patën një takim shumë dinamik më Papën, i drejtuan atij pyetje, duke përfshirë të gjitha situatat e jetës së tyre, që nga besimtarët, tek të fejuarit e të martuarit, tek ata që dëgjojnë thirrjen e Zotit për t’u shuguruar e deri tek të rinjtë e abuzuar, apo tek ata që qëndrojnë larg Kishës për arsye të ndryshme. Duke paraqitur vështirësitë e kohës, të rinjtë e pyetën Benediktin XVI se ç’duhet të bënin për të gjetur zgjidhjet e duhura, në këtë epokë e shoqëri, që nuk i ndihmon si duhet.
E Papa u dha shembullin e Shën Palit, i cili fillimisht i luftonte të krishterët, derisa gjeti Zotin në rrugën e Damaskut dhe u bë një nga Apostujt e Krishtit. Zoti, u tha Benedikti XVI të rinjve, nuk refuzon askënd, por me dashurinë e Tij të madhe, fton secilin të ndryshojë e të përkryhet. Të gjithë atyre që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, Papa Racinger u përsëriti thirrjen, që qe karakteristikë e papnisë së Gjon Palit II, i cili pati shkuar tri herë në Maltë: “Mos kini frikë! Sigurisht, do të gjeni njerëz, që e kundërshtojnë mesazhin e Ungjillit. Kultura e sotme, si çdo kulturë, promovon ide e vlera, të cilat nganjëherë janë në kundërshtim me ato, që jetoi e predikoi Zoti ynë Jezu Krisht. Shpesh, ato paraqiten me një fuqi të jashtëzakonshme bindëse, përforcuar nga mediat e nga presioni shoqëror i grupeve kundër fesë katolike... mos kini frikë, por gëzohuni për dashurinë e Zotit për ju; besojini, përgjigjjuni ftesës për t’u bërë dishepuj, gjeni ushqim e ndihmë shpirtërore në sakramentet e Kishës”.
Papa e udhëhoqi reflektimin e të rinjve drejt përmasës kulturore e shoqërore të fesë. Këtu në Maltë, u tha, jetoni në një shoqëri, të mbrujtur me fe e vlera të krishtera: “Duhet të jeni krenarë, që atdheu juaj mbron si fëmijën e palindur akoma, ashtu edhe qëndrueshmërinë e jetës së familjes, duke i thënë “jo” abortit e divorcit. Ju bëj thirrje ta vazhdoni këtë dëshmi të guximshme për shenjtërinë e jetës, për rëndësinë e martesës e të jetës familjare për një shoqëri të shëndoshë. Në Maltë dhe në Goco familjet dinë si të vlerësojnë e të kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët, i presin fëmijët si dhuratë e Zotit. Kombet e tjera mund të mësojnë prej shembullit tuaj të krishterë”.
Në fund, Papa Racinger iu drejtua të rinjve që dëgjojnë thirrjen për jetën e shuguruar dhe i ftoi t’ia hapin zemrën Zotit e të vihen në shërbim të popullit të Tij, për ta çuar kudo Ungjillin e Krishtit. E nuk harroi t’u japë programin e jetës: “Si të krishterë jemi të thirrur të dëshmojmë dashurinë e Zotit, që i përfshin të gjithë. Prandaj, duhet të ndihmojmë të varfërin, të brishtin, të mënjanuarin; duhet të kujdesemi veçanërisht për ata që ndodhen në vështirësi, që vuajnë nga depresioni, ose nga ankthi; duhet të kujdesemi për personat me të meta fizike e të bëjmë gjithçka mundemi për të promovuar dinjitetin dhe cilësinë e jetës së tyre; duhet t’u kushtojmë vëmendje nevojave të emigrantëve dhe të atyre që kërkojnë strehim në vendin tonë; duhet t’u shtrijmë dorën me miqësi besimtarëve e jo besimtarëve… Mos kini frikë të jeni miq intimë të Krishtit!”.
“Dashuria e Zotit shpëton e jo teknologjia” tha Ati i Shenjtë në Floriana/Dje paradite, Sheshi i Hambarëve në Floriana nuk mjaftoi për 50 mijë besimtarët, që morën pjesë në Meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë. Priteshin vetëm 15 mijë. Gjatë homelisë, Papa u kërkoi maltezëve të mos shqetësohen nga zërat, që i ftojnë ta lënë mënjanë fenë. Nuk është teknologjia që shpëton – tha Benedikti XVI – por dashuria e Zotit. E nuk ka asnjë çast të jetës së njeriut, që nuk varet prej Hyjit. Vetëm Zoti e di rrugën, që na çon drejt një porti të sigurtë, theksoi Papa, duke iu referuar historisë së Shën Palit e të shokëve të tij, të cilët po mbyteshin në det, por Zoti i çoi drejt ishullit, ku Apostulli i Popujve themeloi bashkësinë e parë të krishterë në vitin 60 pas Krishtit. Madhështore, pamja që ofronte Sheshi i Hambarëve. Në të majtë të kishës së Shën Publit, elteri i Meshës, i mbrojtur nga një strehë dhe i inkuadruar në një seri kornizash të bardha bashkëqendrore. Edhe ato përmbylleshin brenda një gjysëmrrethi, që ngjante me një hoste gjigante. Pranë kryeipeshkvit të Maltës, imzot Paul Kremona dhe ipeshkvit të Gocos, imzot Mario Greh, Benedikti XVI kremtoi sëbashku me 800 meshtarë Meshën e Shenjtë, duke iu kthyer në homelinë e vet përvojës së Shën Palit, aq shumë e ndërthurur me historinë e maltezëve. Duke kujtuar çastet dramatike, para mbytjes së anijes së Apostullit, Papa theksoi se Shën Pali i këshilloi edhe të tjerët të kenë besim vetëm tek Zoti. Kështu duhet të bëjmë edhe ne, vazhdoi Ati i Shenjtë: “Na tundon mendimi se teknologjia e sotme e përparuar mund t’i përgjigjet çdo dëshire e të na shpëtojë nga rreziqet. Por, nuk është kështu. Në çdo çast të jetës varemi krejtësisht nga Zoti, në të cilin jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë. Vetëm Ai mund të na mbrojë nga e keqja, vetëm Ai mund të na udhëheqë në stuhitë e jetës e vetëm Ai mund të na çojë drejt një porti të sigurtë, siç bëri për shën Palin e shokët e tij, që po mbyteshin në brigjet e Maltës”. Janë brigje ku kanë zbarkuar shumë udhëtarë, vërejti Papa, por jo të gjithë kanë sjellë veç të mira. Ati i Shenjtë i lavdëroi maltezët, të cilët kanë ditur të zgjedhin më të mirat e gjërave që shekujt kanë sjellë në këtë vend dhe i nxiti të vazhdojnë në këtë rrugë: “Jo gjithçka që na propozon bota sot ka aq merita sa të pranohet nga maltezët. Shumë zëra përpiqen të na bindin ta lemë mënjanë fenë në Zotin e në Kishën e Tij e të zgjedhim ne vetë vlerat dhe besimin me të cilin të jetojmë. Na thonë se nuk kemi nevojë për Zotin e për Kishën”.
Përkundrazi, shpjegoi Papa, në çdo fushë të jetës kemi nevojë për ndihmën e hirin e Zotit. Benedikti XVI nguli këmbë që maltezët ta dëshmojnë pasurinë e thellësinë e dhuratës së marrë nga Shën Pali para kujtdo që shkel në ishull: “çdo vizitor i Maltës duhet të impresionohet nga devocioni i njerëzve të saj, nga feja e gjallë që duket në kremtimet e ditëve të festës, nga bukuria e kishave dhe e shenjtëroreve. Kjo dhuratë duhet të ndahet me të tjerët, duhet shprehur”. Edhe më i fortë u bë toni i Benediktit XVI, kur reflektimi i tij u ndal në rolin e meshtarëve. Më 9 maj 2001, në Sheshin e Hambarëve pati ardhur Papa Gjon Pali II për të shpallur të Lum një figurë shumë të dashur për maltezët, Dun Xhorxh Preka. Duke iu drejtuar priftërinjve, Benedikti XVI tha: "Merreni si model dhe frymëzim për ju, ndërsa kryeni misionin për t’u kujdesur për grigjën e Zotit. Kujtoni edhe pyetjen që Zoti i Ringjallur, për tri herë, i bëri shën Pjetrit: “A më do?” Kjo është pyetja që Ai i drejton secilit. A e doni? A dëshironi t’i shërbeni duke dhuruar krejt jetën?”…Bashkë me Pjetrin kini guximin të përgjigjeni: “Po o Zot, ti e di që të dua” dhe pranojeni me mirënjohje detyrën madhështore që iu ka dhënë”.
Duartrokitjet e shoqëruan Atin e Shenjtë edhe gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Papa kujtoi devocionin e madh të maltezëve për Zojën e Bekuar, e cila nderohet veçanërisht në shenjtëroren e ishullit të Gocos, dhe vendosi një trëndafil të artë në këmbët e shtatores së Zojës pranë elterit, në shenjë dashurie e nderimi. Benedikti XVI u kërkoi të pranishmëve të luten edhe për të Lumin Bernardo Françesko de Hovos, që u ngrit në nderimet e elterit dje në Spanjë.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›