E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtabi qendror, 24 orë në gatishmëri dhe në kontakt me nevojat dhe emergjencat

08-02-2012 / Gazeta 55

Mblidhet Komiteti ndërministror për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dëborës në vend


Ministri i Brendshëm Bujar Nishani zhvilloi pasditen e djeshme mbledhjen e parë të  komitetit ndërministror të emergjencave civile, ku adresoi edhe detyrat kryesore për shkak të situatës së vështirë meteorologjike, e cila ka krijuar probleme të shumta në zona të ndryshme të vendit. Nishani tha se ngritja e shtabit qendror për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e borës do jetë 24 orë në gatishmëri dhe në kontakt me nevojat dhe emergjencat, në zbatim të një plani veprimi. Në krye të këtij operacioni, theksoi Nishani, "do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile që do merret me shkëmbimin e informacionit me një sërë institucionesh lokale e qendrore, ndërsa kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit përgatitjen e paketave dhe rezervave ushqimore për tu shpërndarë për komunitetin në zonat e prekura. Për MPPT, kërkohet menaxhim dhe monitorim i kontratave për mirëmbajtjen e rrugëve, të monitorohet menaxhimi i mjeteve si skorje dhe kripë, të nevojshme për zhbllokimin e rrugëve", tha Nishani ndërsa shtoi se Ministria e Mbrojtjes, të sigurojë rezerva të nevojshme për gjënë e gjallë, në zonat e bllokuara, apo kërkesash në vazhdim. "Ministrinë e Shëndetësisë të sigurojë furnizimin e plotë në rast kërkesash nga emergjencat rajonale, një ekip mjekësh në gjendje gatishmërie në rast nevoje. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkohet të mbajë nën kontroll procesin e mësimdhënies, kushtet apo vendimet për pezullimin e procesit në varësi të situatës", tha Nishani. Më tej shtoi ai, "duhet të vëmë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për rrugët e bllokuara. Kërkohen 5 borëpastruese në akset kryesore, si dhe pajisja e tyre me skorie e kripë. Në gatishmëri të situatës edhe helikopterët për ndërhyrje nga ajri", theksoi më tej Nishani. Mbledhja e komitetit ndërqevereritar të emergjencave për të ndihmuar zonat e izoluara nga dëbora, e cila u mblodh  gjatë pasdites së djeshme, vjen pas kërkesës së Kryeministrit Sali Berisha ku kërkoi mbledhjen e sa më shpejt të këtij komuniteti me në krye Ministrin e Brendshëm Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›