Benedikti XVI në Sinangogën e Romës: Kujtimi i së kaluarës dhe urdhërimet e Tënzot, baza e dialogut
Papa Benedikti XVI kremtoi dje paradite Lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës foli sërish për popullsinë e Haitit dhe për emigrantët e vegjël, të cilëve u është kushtuar Dita e sotme e Emigrantit.Pasdite, Ati i Shenjtë shkoi për vizitë në bashkësinë hebraike të Romës e në Tempullin e Madh, që ndodhet mjaft afër Vatikanit. Bashkësia hebraike është shumë e vjetër në Romë. Që në vitet 70 pas Krishtit ka dëshmi për praninë e hebrenjve në kryeqytetin e sotëm italian. Benedikti XVI deshi kështu të ndjekë gjurmët e paraardhësit të tij, Gjon Palit II, i cili pati vizituar Tempullin e Madh të Romës, më 13 prill 1986.Pikërisht sot ishte dita e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, që kremtohet çdo vit. Për bashkësinë hebraike kjo ditë ka edhe një rëndësi të veçantë. Sot, më dy të shevatit, kremtohej “Mo’ed i plumbtë”, në kujtim të një ngjarjeje të mrekullueshme. Ishte viti 1793 dhe mbi Itali po frynte era e “lirisë dhe barazisë” së Francës republikane. Me bindjen se në geton e hebrenjve në Romë fshiheshin një grup revolucionarësh francezë, disa persona i vunë zjarrin portës, por zjarri u shua shpejt për shkak të shiut, që filloi në atë çast. Për hebrenjtë, ishte dora e Zotit ajo që i ndihmoi në këtë ditë të vështirë e edhe në tetë ditët e shtetrrethimit që pasuan. Festa quhet “e plumbtë”, për të kujtuar qiellin gri, mbushur me re e me shi. I referohet gjithashtu edhe hapjes së qiellit “të plumbtë” në librin e Zanafillës, pasi pushoi shiu dhe Arka e Noesë u ndal në malet e Araratit.Sapo mbërriti në Portikun e Otavies, Papa u prit nga autoritetet e bashkësive hebraike të Italisë e të Romës dhe vuri lule në lapidarin, që kujton ditën tragjike të 16 tetorit 1943, kur SS-ët gjermanë dërguan në masë në kampet e përqëndrimit hebrenjtë e Romës. Më pas, Benedikti XVI u ndal në pllakën përkujtimore, që kujton atentatin e 9 tetorit 1982, në të cilin humbi jetën një fëmijë hebre dy vjeçar, Stefano Také, dhe 37 persona të tjerë mbetën të plagosur ndërsa dilnin nga Tempulli.Pikërisht në shkallët e Tempullit, Papa u prit nga Kryerabini Rikardo Di Senji. Pas një minuti heshtjeje për viktimat e tërmetit në Haiti, kryetari i Bashkësisë hebraike të Romës, Rikardo Paçifiçi, ai i Bashkësive hebraike italiane, Renxo Gatenja dhe vetë kryerabini i drejtuan Atit të Shenjtë një përshëndetje, duke i uruar mirëseardhjen:Në fjalimin që mbajti, Benedikti XVI vuri në dukje se dialogu ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve ka marrë hov të ri që nga Koncili II i Vatikanit dhe nuk mund të kthehet mbrapa. Duke kujtuar shfarosjen e hebrenjve nga nazistët, Papa, pasi dëgjoi falenderimet e përfaqësuesve hebraikë për guximin e anëtarëve të Kishës që fshehën judej, përmendi edhe se Gjon Pali II pati kërkuar falje për gjithçka që mund të ketë ndikuar në ndonjë farë mënyre për të hapur plagët e antisemitizmit dhe të antijudaizmit në botë. E në këtë vazhdë, Ati i Shenjtë kujtoi edhe deportimin e hebrenjve të Romës në kampet e përqëndrimit, sidomos në Aushvic. Nuk është e mundur të harrohen fytyrat, emrat, lotët, dëshpërimi i tyre, theksoi Papa:“Fatkeqësisht, shumë mbetën indiferentë, por shumë, edhe ndër katolikët italianë, të mbështetur nga feja e mësimi i krishterë, reaguan me guxim, duke hapur krahët për të ndihmuar hebrenjtë e ndjekur, shpesh edhe me rrezik jete, duke merituar mirënjohjen e përhershme. Edhe Selia Apostolike ndihmoi, shpesh fshehtas e pa u dukur. Kujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të na shtyjë të forcojmë lidhjet që na bashkojnë, që të rritet gjithnjë e më shumë mirëkuptimi, respekti e mikpritja”.Më pas, Ati i Shenjtë nënvizoi trashëgiminë e përbashkët të hebrenjve dhe katolikëve e vuri në dukje se në dhjetë Urdhërimet e Tënzot, apo në “Dhjetë fjalët”, siç i quajnë hebrenjtë, mund të gjenden fushat e bashkëpunimit e të dëshmisë së përbashkët. E Papa përmendi tre prej tyre:“Dhjetë fjalët” kërkojnë të njohim një Zot të vetëm, kundër tundimit për të ndërtuar idhuj të tjerë, apo viça të artë… “Dhjetë fjalët” kërkojnë respektin e mbrojtjen e jetës, kundër çdo padrejtësie e abuzimi, duke njohur vlerën e çdo njeriu, krijuar në shembëlltyrë e në ngjashmëri me Zotin… “Dhjetë fjalët” kërkojnë të ruhet e të nxitet shenjtëria e familjes, në të cilën “po”-ja personale e reciproke, besnike dhe përfundimtare e burrit dhe e gruas, krijon hapësirë për të ardhmen, për humanitetin e vërtetë të secilit dhe njëkohësisht, hapet para dhuratës së jetës së re”.Papa përmendi, ashtu siç bëri më parë kryerabini Di Senji, dialogun ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve dhe mbledhjen e Komisionit të përzier që pikërisht nesër do të diskutojë në Romë mbi temën “Mësimi katolik dhe ai hebraik mbi gjithësinë dhe ambientin”. Benedikti XVI përfundoi duke iu lutur Zotit për dhuratën e paqes në Tokën Shenjte.Pas lutjes tradicionale hebraike “Anì Maamin”, Ati i Shenjtë zhvilloi një takim privat me rabinin Rikardo Di Senji, për të dalë pastaj në oborrin e Tempullit, ku është mbjellë ulliri që kujton këtë vizitë e për të shkuar në Muzeun hebraik të Romës, ku u përurua ekspozita “Et Ecce gaudium” me 14 vizatime të përgatitura në vitet ‘700 nga Bashkësia Hebraike për kurorëzimin e Papëve. Në orën 18.00, Benedikti XVI u takua me disa përfaqësues të bashkësisë hebraike në Sinagogën spanjolle për t’u kthyer më pas në Vatikan. Pas vizitës së Atit të Shenjtë në Sinagogë, thellohet dialogu katoliko-hebraik dhe u shtrihet dora myslimanëve/çfarë pritet nga vizita e Atit të Shenjtë në Tempullin e Madh të Bashkësisë Hebraike në Romë? Të dëgjojmë zv/prefektin e Bibliotekës Ambroziane dhe këshilltarin e Komisionit vatikanas për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, imzot Pier Françesko Fumagali: Nga këto takime të nivelit të lartë dalin mësime të mëdha, që më pas shumëfishohen si për qytetin e Romës, ku ekziston një bashkësi hebraike e rëndësishme, aktive e plot jetë, ashtu edhe për Italinë e për rajone të tjera ku bashkëjetojnë hebrenj e të krishterë, sidomos e para së gjithash në Tokën Shenjte. Komisioni i përzier për dialogun katoliko-hebraik, gjatë këtij muaji diskuton rreth mësimeve katolike dhe hebraike mbi krijimin, ambientin dhe mbi sfidën e ndërhyrjes së njeriut në rendin natyror. Të mendojmë për shembull për ndërhyrjet e njeriut në fillim e në fund të jetës, me pasoja të mëdha në fushën e bioetikës.Megjithëse nuk mungojnë vështirësitë, mund të themi se kemi një atmosferë të re dialogu ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Në ç’pika mund të përforcohet ky dialog?Mendoj se dëshirat e shprehura fillimisht nga Gjon Pali II, janë thelluar më pas edhe nga Benedikti XVI. Marrëdhëniet thellohen duke mbajtur gjallë kujtimin e së kaluarës. Vetëm pak ditë pas vizitës së Papës në Tempullin e Madh, në Itali, do të kremtohet Dita e Kujtimit për viktimat e shfarosjes së hebrenjve nga nazistët, sidomos në Aushvic. Një tjetër pikë është ajo e thellimit të lidhjeve shpirtërore.Në vizitën e Papës në Sinagogën e Romës ishte i pranishëm edhe një delegacion nga bashkësia islamike italiane. Sa mund ta ndihmojë dialogun me myslimanët, dialogu katoliko-hebraik?Idealisht, në këtë moment, një urë lidh Tempullin e Madh të Romës me Tokën Shenjte e madje shkon përtej deri në Medinë e në Mekë, në mënyrë që përshëndetja “Shalom, aleikem” që shkëmbejnë hebrenjtë dhe që ua drejtojnë edhe të krishterëve, të bëhet edhe “Salam aleikum”, një përshëndetje paqeje që shtrihet drejt Islamit. ...