Gjatë kësaj jave, nis kompensimi financiar për banorët e dëmtuar

Postpërmbytja/Kryeministri Berisha mbledh në Shkodër Shtabin e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile Kryeministri Sali Berisha garantoi dje nga qyteti i Shkodrës se qeveria ka gati planin e masave për të filluar që këtë javë kompensimin financiar për dëmet e shkaktuara në veri të vendit nga fatkeqësia natyrore. “Qeveria miraton këtë javë parimet mbi të cilat do të bëhen vlerësimet dhe kompensimi i banorëve të prekur nga përmbytjet e ndodhura në qarkun e Shkodrës”, u shpreh kryeministri, gjatë drejtimit të mbledhjes së Shtabit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile në Shkodër. Kreu i qeverisë u shpreh se është në detyrën e qeveritarëve vendorë, është në detyrën morale të kryepleqve të fshatrave, që të bëjnë vlerësimin më objektiv. Berisha tha se shteti ka të gjitha mundësitë për të dëmshpërblyer në tërësi familjet e prekura nga fatkeqësia natyrore. “është në detyrën tuaj, është në detyrën e qeveritarëve vendorë, është në detyrën morale të kryepleqve të fshatrave, që të bëjnë vlerësimin më objektiv. Qeveria, shteti, ka të gjitha mundësitë të dëmshpërblejë qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara”, u shpreh kryeministri, duke apeluar për një vlerësim të drejtë dhe larg çdo tentative për abuzim.“Thirrja ime për qeveritarët vendorë, thirrja ime për të gjithë dokumentet inventarizuese që ekzistojnë, të fillojë me një vlerësim të ndershëm dhe objektiv. Unë e di, janë jo të pakta familjet, të cilat u është mbytur ç’kanë pasur në katin e parë dhe u them atyre që absolutisht qeveria një për një do t’ju ç’dëmtojë. Unë e di se janë jo të pakta familjet që kanë humbur pasuri të tjera, kanë humbur grurin e mbjellë, kanë humbur misrin e depozituar, kanë humbur ushqimin për bagëtinë, pra plot gjëra. Që të gjitha ne do t’i kompensojmë. Por edhe një herë thirrja ime është jashtë çdo lloj abuziviteti, jashtë çdo lloj përpjekjeje për të nxirë këtë proces, i cili për hir të së vërtetës kishte në mënyrë të padiskutueshme anën e vet dramatike dhe katastrofave, por kishte nga ana tjetër edhe eficenën e plotë të një shteti, eficencën e plotë të një pushteti në të gjitha nivelet, të një solidariteti të paparë ndonjë herë nga mbarë shqiptarët”, deklaroi kryeministri.Berisha tha se kjo fatkeqësi natyrore, përmbytjet e ditëve të fundit nga reshjet e shumta të shiut dhe hapja e portave të digave në kaskadën e Drinit, duhet të shndërrohet në një seri mundësish të reja për Shkodrën dhe të vazhdohet të punohet po me këtë përkushtim që kanë treguar deri më tani Shtabet e Emergjencës. Berisha falënderoi edhe banorët, për mënyrën shumë dinjitoze, me të cilën trajtuan një ndër fatkeqësitë e mëdha natyrore që qyteti dhe rrethinat e tij kanë përjetuar në vite.“Ka qenë një solidaritet shumë përmasor, ka qenë një solidaritet i madh ndërkombëtar, të cilin Shkodra nuk e ka njohur kurrë në historinë e vet”, tha kryeministri. Banorët të rikthehen në shtëpitë e tyrePasojat e rënda të përmbytjes në qarkun e Shkodrës nuk duhet të përsëriten më në të ardhmen. Kështu u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, duke deklaruar se do të përdoren të gjitha metodat nga më efikaset për marrjen e masave në mënyrë që veriu i vendit të mos përballet më me të tilla fatkeqësi. Berisha u shpreh për projekte madhore, të cilat do të bëjnë disiplinimin e derdhjes së ujërave dhe njëherazi largimin e rrezikut të ujërave nga zonat e banuara. “Ne duke përdorur metoda satelitore dhe të gjitha metodat për të studiuar dinamizmin e ujërave, inxhinierët zooteknikë duhet menjëherë të ulen, Komiteti Ndërministror të blejë të gjitha pamjet satelitore, dinamikën e tyre, nga dita e parë, gjer në ditën e fundit të përmbytjes. Mbi bazën e këtij studimi ne duhet të ndërmarrim një proces të ri, atë të përpjekjes maksimale që mrekullia ujore që rrethon Shkodrën dhe Rrethinat të mos mund të shndërrohet ose të përjashtohet në shkallën më maksimale, shndërrimi i saj në fatkeqësi natyrore. Kjo kërkon një studim shumë serioz. Nuk është fjala këtu për disa projekte, dobia e të cilave tashmë dihet. është e qartë se by-passi duhet të funksionojë si argjinaturë, shkon dy-trefishi i çmimit, por njëkohësisht jep atë mbrojtje që duhet japë. është e qartë se thellimi i Bunës, por edhe disiplinimi i derdhjes së ujërave, se ne nuk ndër mend kurrë të shterojmë liqenin as të cenojmë ekosistemin, por ne na duhet të operojmë në limitet e mundshme të ruajtjes së ekosistemit dhe liqenit dhe natyrisht një gjë është fakt, një shekull më parë Buna ka qenë më e thellë, ka qenë e lundrueshme dhe liqeni ka qenë ndoshta jo tamam ky që është, se e vërteta është se ka një ekspansion drejt Malit të Zi, por ka qenë pak a shumë ky që është”, tha kryeministri.Berisha kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që për këtë vit të përqendrojë të gjithë potencialet e saj të kullimit në këtë zonë. Kryeministri theksoi se këtë fatkeqësi natyrore, ne duhet ta shndërrojmë në një seri mundësish të reja për Shkodrën. “Ditët që vijnë janë sërish ditë të një pune intensive. Gradualisht njerëzit do të rikthehen në shtëpitë e tyre, të dala tani nga përmbytja, por aty ata kanë një seri vështirësish. Në mënyrë të veçantë, vështirësi shumë serioze u krijohet më gjënë e gjallë dhe ne, ju, duhet të planifikoni, të programoni të gjithë ndihmën dhe mbështetjen imediate dhe rezervat, sepse atyre u janë mbytur tërësisht kashta e misri, ushqime të tjera që i kanë të domosdoshme, përzierjet për lopët dhe për gjënë e gjallë, kështu që të shohim, të sigurojmë sa më shumë bazë ushqimore dhe ta vendosim atë në zona sa më të mbrojtura”, deklaroi kryeministri Berisha.Kreu i qeverisë kërkoi edhe sanifikimin e zonave. Duke iu referuar apeleve të ekspertëve për mos përdorimin e ujit të puseve, Berisha u shpreh se shtabet e emergjencës do të sigurojnë sasi të konsiderueshme uji të pijshëm për banorët deri në klorifikimin e plotë të puseve. Në vijim kryeministri theksoi se “kalimi i pjesës më të vështirë të operacionit ishte një sukses i vërtetë, por ne duhet të jemi në të njëjtën shkallë mobilizimi për kapërcimin e plotë dhe total të pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore”. Berisha përgëzoi shtabet e emergjencave civile, të udhëhequra nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, përgëzoi për punën e madhe autoritet vendore, deputetët e Shkodrës, zonjën Topalli, të gjithë qytetarët që e kanë përballuar këtë fatkeqësi me një dinjitet epik, me një dinjitet që u ka hije njerëzve të qytetëruar, kryetarët e komunave me të cilët siç tha kryeministri ka komunikuar dhe komunikon, por që edhe në 2 të natës, gjenden në krye të detyrës....