E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit të Mediut”

Autori i Lajmit: red.
Thirrja

Partia Socialiste i bëri thirrje Prokurorisë të Përgjithshme të depozitojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu, për çështjen Gërdeci . Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, pohoi dje se PS shpreh shqetësimin për arkivimin e tragjedisë së Gërdecit në librat e historisë, kur siç shprehet deputeti Saimir Tahiri, ajo është një ngjarje aktuale, pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë shqiptarët e ndershëm. Sipas tij, Berisha strehon Mediun, të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve, duke e punësuar si ministër, ndërkohë që një sipërmarrës nuk do ta kishte punësuar as si kamerier. Sipas deputetit socialist, tragjedia e Gërdecit është simboli më elokuent që dëshmon se si aparati administrativ mund të kthehet në makinerinë e shërbimit për sipërmarrjen më mizore dhe mafioze.
Deklarata
“Jam këtu para jush për të risjellë në vëmendjen e opinionit publik tragjedinë e dyfishtë të të gjithë atyre që një herë u goditën nga shpërthimi korruptiv shtetëror i Gërdecit, dhe një herë tjetër janë goditur nga mohimi i drejtësisë në dyert e një sistemi që çalon dukshëm.
Tragjedia e Gërdecit nuk është një ngjarje e arkivuar në librat e historisë, por përkundrazi, është një ngjarje aktuale, pasojat e së cilës nuk i vuajnë vetëm ata që kanë humbur fëmijët, prindërit, familjarët apo pasurinë, por i vuajnë të gjithë shqiptarët e ndershëm”, - tha Tahiri. Sipas tij, tragjedia e Gërdecit është simboli më elokuent, që dëshmon se si shteti mund të shfrytëzojë deri në vdekje fëmijë, gra, burra e të moshuar dhe se si qeveria, nga Kryeministri e deri të ministri më i fundit, mund të korruptohet deri në vrasje. Kjo ngjarje, shtoi ai, tregon gjithashtu se aparati administrativ që mbahet me taksat e qytetarëve, mund të kthehet në makinerinë e shërbimit për sipërmarrjen më mizore e mafioze dhe drejtësia, për paaftësi a korrupsion, mund të kthehet nga një instrument për të dhënë drejtësi në një pretekst për të mbrojtur fajtorët. “Sali Berisha strehon Fatmir Mediun, një të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, duke e punësuar si ministër, ndërkohë që edhe sipërmarrësi më i vogël i Republikës, një person me të tillë akuzë, nuk do ta kishte punësuar as për kamerier. Familjarët e viktimave të Gërdecit, pasi e paguan një herë me çmimin e vdekjes tragjedinë e Gërdecit, tashmë me taksat e tyre i paguajnë edhe rrogën Fatmir Mediut, atij që Sali Berisha e imponoi si ministër”, - tha Tahiri. Deputeti socialit i bëri thirrje Sali Berishës të shprehë qartë, pa ekuivok dhe larg çdo deklarate demagogjike, gatishmërinë e tij për të hequr imunitetin e ministrit Fatmir Mediu, si dhe të ndalojë çdo formë presioni apo joshjeje ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë. Ai kërkoi gjithashtu që Gjykata e Lartë të zbardhë menjëherë vendimin për pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxit me forcë Prokurorinë e Përgjithshme të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, duke i hapur kështu rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit. “Çdo dështim i ardhshëm apo hezitim për të vepruar nga Gjykata e Lartë apo Prokuroria e Përgjithshme vlen të konsiderohet si bashkëfajësi për të fshehur drejtësinë e për të amnistuar Fatmir Mediun, pas artificave ligjore tërësisht të kapërcyeshme.
Askush nuk mund të paguhet nga taksat e qytetarëve për një detyrë që nuk e ushtron apo akoma më keq, që refuzon ta ushtrojë”, - përfundoi ai.

Kërkesat e socialistëve

Berisha të shprehë gatishmërinë për heqjen e imunitetit të Mediut
Prokuroria të kërkojë në Kuvend heqjen e imunitetit të ministrit
Gjykata e Lartë të zbardhë vendimin për pushimin e çështjes ndaj tij
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›