Premtimi i Kryeministrit më 7 Mars - tani një realitet!
Puna e mësuesit është sa e bukur, aq edhe e vështirë. E bukur, sepse ndjen kënaqësi kur të besohet mësimi dhe edukimi i fëmijëve. E vështirë, pasi s’është e lehtë të hysh në botën e brendshme te femijeve, të përshtatësh komunikimin me tipa të ndryshëm, të harmonizosh këta tipa; të ndikosh në formimin e personalitetit të tyre; të depërtosh tek to, duke gjetur mënyrën më të mirë. Kjo nënkupton që rolin e mësimdhënësit dhe të edukatorit ta luash si aktor.
Duke iu referuar rolit të madh të tij, deri në human, mësuesi meriton shumë vëmendje. Vitet e tranzicionit në Shqipëri, si në çdo fushë tjetër, edhe në arsim patën ndikimet e veta ku mësuesi si shtylla e arsimit, për një periudhë kohe, nuk po merrte vlerësimin e duhur. Ndër të tjera ajo që e motivon më shumë është paga e tij.
Në vitet në vazhdim filloi të rritej paga e tij, por një rritje e vogël, gati-gati e papërfillshme. Por, në vitin 2005, arsimi u vu prioritet i qeverisjes aktuale. Shumëkush nuk e besonte këtë, për shkakun e traditës së sipërpërmendur. U fillua që në janar të 2006 ku mësuesit patën rritje më të madhe se fushat e tjera.
Si pjesë e arsimit e kam ndjekur me vëmendje rritjen e vazhdueshme të pagave tona, madje herë pas here kam shprehur mendime për këtë çështje, duke dhënë edhe sugjerime, sipas meje për rritje të mëtejshme.
Në çdo 7 Mars në takimet e kryeministrit me mësuesit ne merrnim premtimet për rritje të pagës sonë. Në këtë 7 Mars, takimi ishte më i gjerë, me të drejtë pasi ishte viti i fundit i këtij mandati qeverisës. Aty z. Berisha premtoi së shpejti dyfishimin e pagës së mësuesit. Mes duartrokitjesh dhe një entuziazmi të madh, Kryeministri premtoi se mësuesin do ta çojmë në piedestalin që i takon. Nga disa politikane, në media, ky premtim për dyfishim të pagës u komentua si një slogan elektoral, por që fatmirësisht nuk doli i tillë. Në fund të prillit qeveria dha lajmin se me 1 Maj pagat e mësuesit do të dyfishohen. Nuk mendoj se ka mësues me çfarëdolloj bindjeje politike që nuk e vlerësoi këtë fakt.
Por, është për të ardhur keq kur në debate televizive politikanësh, kjo rritje nuk vlerësohet nga disa politikanë, madje shkojnë edhe më tej, duke bërë komente të natyrave të ndryshme, ndonjëherë gati banale, që ta bëjnë bindëse idenë e tyre për dëgjuesin. Kur i dëgjon një mësues, mendoj se vërtet shpreh çudi. Ne mësuesit e dimë sa e kemi patur pagën para 2005-s, ç’rritje është bërë pas 2005-s dhe sa do na bëhet paga pas rritjes së fundit. Në këto vite ne kemi marrë vlerësimin e duhur.
Gjersa premtimi për dyfishimin e pagës u bë realitet, ne tashmë kemi besim se premtimet e mëpasme do vazhdojnë të realizohen dhe mësuesi do të arrijë në piedestalin që i takon -siç tha edhe Kryeministri. Këtë gjë mësuesi e meriton!
Autorja e shkrimit është drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Xhezmi Delli” në kryeqytet