E Diel, 1 Nëntor 2026

Bengasi: Helmimi i Baldushkut, bëra arrestimin e fajtorëve

Ishte nëntori i vitit 1975. Një ngjarje e rëndë tronditi mbarë vendin, por për çudi, pavarësisht se bëhej fjalë për helmimin e një sasie lopësh prej 98 krerësh, shqetësimi arriti deri te Enver Hoxha. Situata e mbarë vendit u tensionua, por më shumë për hetuesinë e krimit ekonomik, kur u konstatua se ngjarja në fjalë kishte të bënte me veprimin e një grupi të përcaktuar me një program të qartë sabotazhi në zonën e Baldushkut, ku dhe jetonin. Hetuesi i krimit ekonomik, Dilaver Bengasi shkoi menjëherë në vendngjarje. Hetimet paraprake dhe tepër profesionale bënë që brenda një ore të bëheshin në mënyrën më demonstrative arrestimet e para, që ishin tre prej fshatarëve të fshatit Baldushk. Aty për aty, kur u bënë arrestimet e para dhe demonstrative në prani madje dhe të zëvendëskryeministrit Manush Myftiu, ai afrohet dhe urdhëron që, le të shkonte në 100 numri i të arrestuarve, hetimi nuk duhej të ndalej deri në zbardhjen e çështjes. Po si ka vijuar në detaje dhe në hollësi ajo ngjarje, që ka ngelur e pashlyer jo vetëm në memorien e fshatit Baldushk, por edhe në atë të të gjithë shqiptarëve, të cilët e kujtojnë si "ngjarja e Baldushkut". Për gjithçka, flet në intervistën ekskluzive për Gazetën, vetë ish-hetuesi i saj, Dilaver Bengasi.

Zoti Dilaver. Opinioni shqiptar është goxha i njohur me ngjarjen e bujshme të quajtur së shumti si “ngjarja e Baldushkut”.
Ajo ngjarje ka ndodhur në 10 nëntor të vitit 1975. Tashmë kujtohet si një ngjarje, por ishte më shumë se kaq, pasi ajo përfshiu emocionalisht një sasi shumë të madhe njerëzish dhe shkaktoi jo pak probleme, si në atë që ndodhi, ashtu dhe te pasojat që la më pas.
Pse shkaktoi kaq shumë problemet?
Sepse, e para, fillon me dëmtimin e plot 98 lopëve të racës holandeze, të cilat ishin blerë me valutë nga shteti ynë i varfër dhe se ishin blerë shumë shtrenjtë, pasi ishin lopë ndryshe nga lopët e vendit që kishim neve. Dhe ato lopë ngordhën. Por nuk ngordhën nga natyra, por nga një grup njerëzish të cilëve unë pa frikë mund t’u vendos çdo emër që të duash, pavarësisht se ata sot mund të thonë se i kanë future në burg dhe mund të hiqen demokratë. Ata s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Ishin jo pak, por 98 lopë që çonin qumësht te fëmijët e vegjël dhe te njerëzit e përvuajtur, dhe ata në emër të sabotimit të shtetit për hakmarrje personale dëmtonin lopët e bashkëfshatarëve, që siç të thashë ishin blerë jo me para, por me të vërtetë me gjak. Fakti i dytë është se, në të vërtetë, ajo situatë e krijuar që dashur pa dashur kishte përfshirë në atë krim një masë të madhe njerëzish, përfundoi me tetë arrestime dhe me dy ekzekutime të dhimbshme.
Pse thoni ekzekutime të dhimbshme? A s’e kishit në dorë të mos i ekzekutonit në rast se ju dhimbeshin?
Nuk është se i ekzekutova unë. Unë isha hetuesi i çështjes dhe si i tillë nuk mund të mos hetoja dhe të mos zbuloja atë ngjarje aq të rëndë për ekonominë e komunitetit në atë zonë që jetonin, me 100 halle. Pastaj, kur ndodh një ngjarje hyjnë në valle shumë struktura dhe nuk mund të dalësh dot nga hullitë e ligjit. Se kemi prokurorinë, e cila në bashkëpunim me hetuesinë vërteton akuzën, dhe gjykatën, e cila në rastin e një akuze absolutisht të vërtetuar del në përfundimet që parashikonin ligjet e kohës. Madje po ju them, se unë jo vetëm kam qenë dakord me ato ligje, por jam akoma dakord me to. Si jurist dhe si hetues me shumë eksperiencë po të them se ligjet ishin tamam ligje dhe secili merrte dënimin e merituar.
Por, përse e quajtët ngjarje të dhimbshme atë të Baldushkut pastaj, kur ju qenkeni dakord kaq fuqishëm me ato ligje?
Sepse ishte e dhimbshme ngjarja, si për lopët, ashtu dhe për njerëzit. Duhet të dini se nuk kishte dëshirë askush të përfundonin ata njerëz në burg dhe aq më shumë dy prej tyre të shkonin para plumbit. Kjo ndodhi se ndodhi ngjarja, por ne e kishim të dhimbshme që të mos ndodhte ngjarja. Dilte një kokëshkretë siç doli në Baldushk, - të cilin do të ta tregoj më poshtë, - dhe organizoi një grup të tillë për të sabotuar, vetëm nga inati se e kishin ulur nga detyra. Dhe përfundimi që tashmë dihet ishte se, nuk u ndal aty e këtu por në zbardhjen e plotë të veprimtarisë së tyre, që ishte një grup i organizuar që bënin mbledhje se si edhe ku të sabotonin dhe që kishin përfshirë në radhët e tyre veterinerë, brigadierë, mami, mjelëse ….etj. Prandaj unë e konsideroj ngjarje e dhimbshme, se nuk doja të ndodhte vrasja e bukës së popullit që ata pseudodemokratë vajtën dhe ua hoqën nga goja foshnjave. Prandaj të thashë se me ligjet isha dakord. Jo po del tani se paska vrarë në ‘97-ën dy veta dhe ka plagosur disa të tjerë dhe qenka dënuar me 16 vjet burg, ashtu siç paska vrarë me qëllim njëri para disa kohësh (nuk dua t’ia përmend emrin se nga gazeta juaj e lexova) dhe qenka dënuar me 16 vjet. Këto janë turpe. Po t’i vrasin babain apo djalin atij gjykatësit apo prokurorit do të guxonin të ishin kaq dorëlëshuar në kompromise dhe në triblime juridike? Asnjëherë. Unë ndjej nostalgji për mënyrën dhe profesionalizmin e strukturave të shtetit të djeshëm dhe se e ndjej veten të nderuar që në emër të popullit tim, që kam treguar me vepra se e dua shumë, kam zbardhur shumë vepra kriminale, dhe nuk jam i shqetësuar pse ata që e kanë merituar janë dënuar. Kështu dhe ngjarja e Baldushkut, që hëngri jo vetëm lopët e popullit por mori edhe lirinë e tetë njerëzve, dhe ndërkohë mori fare jetën e dyve prej tyre. E kjo do të donim të mos ndodhte.
Mund ta kujtoni me hollësi, se qenka shumë e çuditshme.
Ishte viti 1975. Saktësisht data ka qenë 10 nëntor. Sa kishte rënë mëngjesi, kur më bie zilja e telefonit të shtëpisë. Nga matanë receptorit dëgjoj zërin alarmant dhe shumë të shqetësuar të Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, që më thotë se “në fshatin Baldushk ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, shoku Dilaver. Situata është më se urgjente. Jam informuar se janë helmuar lopët e racës holandeze, të cilat janë blerë vetëm pak kohë më parë nga shteti. Është alarmuar udhëheqja më e lartë e partisë dhe e shtetit. Po të siguroj se ky problem ka shkuar deri te shoku Enver, i cili ka urdhëruar zbulimin e autorëve”.
Kush ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës?
Në atë kohë ka qenë Nustret Dautaj.
Çfarë detyre juridike kishit juve në kohën kur ndodhi ngjarja?
Unë isha Hetues i Krimit Ekonomik në Hetuesinë e Tiranës.
Që të jemi akoma më të qartë dhe të saktë mbi funksionarët e strukturave që do të përfshiheshin në ngjarje, do të doja të dija se kush ishte Kryetar i Hetuesisë së Tiranës ku ju ishit hetues?
Kryetar i Hetuesisë në atë kohë ka qenë Ali Korbi.
Çfarë veprimesh bëtë pasi mësuat ngjarjen?
Njoftova menjëherë makinën dhe ndërsa arriti te shtëpia unë kisha dalë i veshur vetëtimthi dhe u nisa me një urgjencë të paimagjinueshme, duke i thënë shoferit vetëm “ec”, “ec” “ec” “ec”. Nuk më pritej sa të shkoja në vendngjarje. Nuk ishte vetëm forca e profesionit, por edhe mllefi dhe urrejtja personale që krijoja për ata njerëz që guxonin të dëmtonin pasurinë e popullit të tyre deri në këtë pikë sa t’i krijonin këto shqetësime. Me këtë shpejtësi dhe nën trysninë e shqetësimeve dhe të stresit që më krijohej në ngjarje të tilla arrita në vendngjarje. Ndërsa makina ecte ngadalë duke u afruar te vendngjarja, që ishte pikërisht te stallat e lopëve në periferi të fshatit, shikoja fytyra të shqetësuara njerëzish, të mërzitura, madje e di se nuk do më besosh po të të them se kam parë edhe njerëz të përlotur. Ndalova para stallës dhe pa parë as majtas as djathtas hyra drejt e brenda stallës, ku pashë që pak më parë kishte mbërritur dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Nustret Dauti, i cili më kishte njoftuar në të gdhirë.
Çfarë konstatuat?
E ç’të të them o Fatos. Ç’të të them kur shikoje ato lopë që binin të ngordhura në tokë në intervale të ndryshme kohe. Ishin lopë të një race të çuditshme, që këta veterinerët i quanin lopë të racës holandeze. Ishin shumë të mëdha, madje po të them pa ekzagjerim se duhej të ishin dyfishi i madhësisë së lopëve të racës sonë. Ngjanin si të kishe elefantë të mesëm përpara. Ato, para se të ngordhnin, tërsëllinin dhe përplasnin kokën te muri me sa fuqi që kishin dhe plaseshin në tokë. “O perëndi, - thashë me vete, - kush janë këta që guxojnë deri këtu”. Rreth meje ishin disa punonjës të stallës dhe brigadieri, ndërkohë që prisja të vinte edhe mjeku i njohur si ekspert, që ka qenë Arqile Boti.
Po, nuk ju shoqëronin autoritetet e larta të kooperativës?
Në atë moment jo, se ata shoqëronin drejtuesit e lartë të kryeqytetit që kishin mbërritur thuajse të tërë, por mbi të gjitha mësova se kishte mbërritur vetë zëvendëskryeministri, që në atë kohë ishte Manush Myftiu. Kishte mbërritur Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi, Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit, Fadil Lamaj. Gjithashtu, siç të thashë, kishte mbërritur dhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Nustret Dauti, por atë e kisha takuar, sepse ishte brenda stallës kur shkova unë, se po ndiqte tejet i shqetësuar atë që i ndodhte para sysh.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Ndenja goxha brenda, se nuk më ikej, ndërsa shikoja atë llahtari, teksa lopët ngordhnin njëra pas tjetrës çdo 15 apo 20 minuta, apo dhe çdo 10 minuta.
Sa lopë ngordhën gjithsej deri në fund?
Kanë ngordhur plot 98 lopë. Ishte e dhimbshme kur shikoje të binin, nën sytë e përlotur të njerëzve që mundeshin të hynin në stallë apo nën sytë e përlotur të mjelëseve apo pastruesve të stallës. Gjithsesi, unë si ndenja pak aty brenda, pa mundur të thoja asnjë fjalë dhe duke u mbushur me mërzi dhe mllef njerëzor, dola pa e kuptuar, se sytë më ishin mbushur me lot të nxehtë. U afrova te grupi ku ndodhej Manush Myftiu, Ndue Marashi dhe Fadil Lami. Me ta ishte dhe Kryetari i Kooperativës dhe Sekretari i Byrosë, si dhe disa kuadro të tjerë. Nuk kisha dyshim se do t’i gjeja më shumë se të mërzitur. Askush nuk fliste, vetëm se lëvizte këmbë apo duar si pa kontroll, ndërkohë vura re me vëmendje se Manush Myftiu po dridhej dhe në lëvizjet e këmbës shikoja që lëvizte gurët apo dheun që kapte maja e këpucës. E pashë që ishte në gjendje të fortë të presionit psikologjik. I takova dhe u thashë se e pashë paraprakisht situatën në vend dhe se do të merresha menjëherë me zbardhjen e saj. Dyshimet e mia, nga sa po kuptoj, është se kemi të bëjmë me helmim të qëllimshëm. Pra, është sabotim dhe është veprimtari e thellë armiqësore në dëm të interesave ekonomike të popullit. Ngelet për ta zbardhur.
Çfarë të tha Manush Myftiu?
Ai më nguli sytë dhe më dëgjonte me vëmendje, sikur do të më përpinte çdo fjalë. Kur mbarova më tha: “Atëherë vazhdoni. Rezultatet duhen urgjent. Partia kërkon këtë grup armiqësor që goditi në zemër ekonominë e kësaj zone patriote”. Unë pa e zgjatur u largova menjëherë për të ndjekur çështjen. Nuk vihej në dyshim dhe u informova se në këtë çështje ishte në dijeni vetë Enver Hoxha, i cili kishte lënë porosi.
Si ka mundësi që kishte lënë porosi Enver Hoxha për një veprim të tillë, se sado i madh që të ishte, punë lopësh ishte?!
Jo, këtu nuk ishte punë lopësh, pasi kishe të bëje me një grup të organizuar armiqësor që kishte në plan të godiste ekonominë e zonës. Unë më mbrapa e mora vesh se në zyrën e Enver Hoxhës, nga një anëtar i këtij grupi sabotatorësh, që ne e zbuluam më vonë, kishte shkuar një letër kërcënuese.
Kishte dërguar kërcënim te Enver Hoxha?
Po, po, te Enver Hoxha. Sigurisht, ishte letër anonime ku i thoshte se: “Do ta hani koqen e ullirit”.
Por unë nuk dija gjë në momentin e helmimit, por më mbrapa do ta mësoja këtë gjë, kur të më jepej në dorë letra misterioze që kërcënonte udhëheqësin e asaj kohe. Se unë e zbulova dhe e arrestova autorin, madje e kam zbuluar në mesnatë, kur e kam thërritur në zyrë. Gjithsesi, jemi te momenti kur unë u riktheva sërish te lopët që po ulërinin dhe plaseshin në tokë.
Vendi ishte kthyer në një thertore të vërtetë. Ishte vërtet një grup armiqësor.
Mos vallë, zoti Bengasi, i vlerësoni më shumë se sa duhet ato lopë?
Thashë se ekonomia e zonës u godit në zemër. Shteti i bleu lopët holandeze në atë kohë për eksperiment dhe këtë vendosi ta bëjë në kooperativën e Baldushkut. Ajo kooperativë, në sajë të atyre lopëve u kthye në kooperativë të tipit të lartë dhe ndryshe nga çdo kooperative tjetër dita e punës aty arriti 170 lekë, gjë që të tjerat e kishin ëndërr.
Kështu që isha përqendruar i tëri sy e veshë për të arritur te autorët. Kur u riktheva te stalla, i pashë të gjithë më shumë se të lebetitur. Ishin tmerruar dhe dukej qartazi zverdhja e fytyrave të tyre. Vendosa të filloja procedurën profesionale.
Nga e filluat?
Fillimisht vlerësova me vete të gjithë ndodhinë.
Vlerësova të gjithë elementët si: vendngjarjen ku kishte ndodhur, rrethanat e saj, njerëzit që punonin, që kishin pasur kontakt ditët e fundit apo që ishin dukur në atë ditë etj., si dhe veprimet që ishin bërë nga njerëzit në lidhje me lopët derisa kishte ardhur një situatë e tillë.
Pas kësaj vendosa pikat mbi emrat që do të merrja në pyetje paraprake, për të plotësuar me themel situatën e ndodhur. Ndërsa bëja këto veprime, mendoja në çdo çast që, jo vetëm gjithë autoritetet e larta të shtetit por direkt Enver Hoxha po priste konkluzionet e mia. Kjo më bënte jo vetëm tejet të përgjegjshëm, por edhe me shumë tension profesional. Por, ndërsa isha duke bërë këtë vlerësim me veten time, pikërisht aty në stallën e lopëve teksa ato vazhdonin të ngordhnin, më afrohet një person i panjohur dhe më zgjat dorën. Normal ia zgjata dhe unë, por mbaj mend se kam qenë nëpër mjegull, aq tension kisha.
Kush ishte ai?
Ai ishte doktori i shumënjohur Arqile Boti, emrin e të cilit e kisha hasur si mjek i aftë. Madje, pas viteve ’90-të ai u bë shumë i njohur dhe popullor. Fatkeqësisht nuk jeton më. Arqileja erdhi dhe si më dha dorën më tha: “Jam doktor Arqile Boti. E di që je hetuesi dhe erdha për të të ndihmuar sadopak me atë që po konstatoj unë”.
Kur pa se unë po e dëgjoja me vëmendje të madhe vazhdoi: Lopët janë helmuar me zhivë. Vetë shenjat e atonisë së tyre tregojnë qartazi simptomat e helmimit me zhivë.
Të shërbeu kjo hollësi e doktor Botit?
Patjetër që më shërbeu, se konsolidova mendimin se ishte një veprim më se i qëllimshëm dhe shumë i organizuar, që kishin arritur të gjenin dhe të përdornin zhivë. Një hollësi të tillë nuk arriti ta zbulonte, apo nuk ma tha asnjë veteriner nga sa më rrinin rreth në ato çaste. Dhe mund të them se ishin dhjetëra veterinerë të ardhur në vendngjarje.
Le të bëjmë një kapërcim, për kuriozitet, në lidhje me atë që ju tha Arqile Boti. Kur zbardhët ngjarjen, ashtu rezultoi helmimi?
Tamam ashtu siç tha doktori i famshëm Arqile Boti, pavarësisht se ne donim saktësi të jashtëzakonshme mbi shkaqet e ngordhjes, dhe dërguam në Kinë për të bërë ekspertizën. Andej erdhi saktësisht përgjigjja, siç kishte deklaruar doktori. Por le të kalojmë te momenti kur mua më deklaroi Arqile Boti shkakun e ngordhjes së lopëve, ndërkohë që unë po përcaktoja listën e njerëzve që do të pyesja paraprakisht.
Kë thërritët për të pyetur?
Kam thërritur fillimisht disa prej punonjësve të stallës së lopëve. Por, nga pyetjet që iu bëra dhe sqarimet që mora nuk është se kapa ndonjë fill konkret. Po ngelesha vetëm në mjegull, pa ditur si të veproja. Pra, nuk po konkludoja dot. Por, ndërsa vija rreth e rrotull dhe shkoja në një pikë e kthehesha në pikën tjetër, ku pyesja njerëzit që po të përmend, pashë se po më afrohej me shumë takt një vajzë rreth 18 vjeçe. Pak më vonë e kuptova se diçka donte të më thoshte.
Unë, si e pashë që nuk guxonte të hynte në bisedë dhe po më rrinte afër, në një rast që nuk kisha njeri aty, i thashë asaj vajzës:
- Po ti ku punon?
Më tha:
- Jam mjelëse. Jam kandidate partie dhe dua të të them diçka.
E kuptova menjëherë se ajo vajzë kishte dëshmi ndryshe nga të tjerët dhe se duhej t’i kushtoja rëndësi tepër të veçantë asaj që do të më thoshte.
Kështu që, duhej ta mbroja si element të rëndësishëm, të mos i jepja kujt mundësinë ta përpunonte. Për këtë duhet të ruaja konspiracionin. Kështu, i thashë me kujdes, se pas 15 minutash do të isha te zyra e sektorit, e ndodhur jo shumë larg vendngjarjes. Unë do të isha te ajo e kryetarit të kooperativës.
- Hajde aty pas 15 minutash, - i thashë, - por nuk është nevoja të bisedosh me kënd.
Më erdhi mirë që më kuptoi menjëherë dhe unë sikur isha duke u interesuar për probleme të kësaj natyre shkova menjëherë në zyrën e kryetarit, i cili ma kishte lënë në dispozicion për problemet e hetimit sekret.
Dhe çfarë të tha?
Ajo erdhi drejt e te zyra. E pyeta se çfarë kishte të re në lidhje me atë që do të më tregonte për ngjarjen. Ajo më tregoi se ngordhja e lopëve ndodhte menjëherë sa u jepej ushqim dhe ujë. Pra, sipas saj, sa pinin ujin fillonin shenjat e atonisë, pra të dridhjes, dhe në pak çaste lopa si tërsëllinte me uturimë mbi murin apo gjithçka gjente para plandosej përtokë duke gulçuar dhe shkumëzuar, derisa ngordhte.
Ajo tregoi se, kur panë këtë gjendje në stallë, ato i thanë brigadierit se lopët po jepnin shenja shqetësuese. Pra, ajo tregoi historinë që nga fillimi. “I treguam brigadierit, – sqaroi ajo, - se shenjat e lopëve fillonin si hanin ushqimin, pra zahirenë, dhe si u jepnim ujin. Prandaj i propozuam që t’u prisnim menjëherë ushqimin dhe ujin. Por ai, ndryshe nga ç’i kërkuam dhe pavarësisht se po shikonte atë situatë, dha urdhër të prerë dhe të fortë, madje insistues, që të vazhdohej ushqimi i lopëve. “Lëshoni ujin në vada që të pinë”, - kishte urdhëruar ai. Kuptova se në “tavë” ishte si përpunuesi i ushqimit për të cilin kisha dëshminë e Arqile Botit, ashtu dhe brigadieri, që po thoshte që t’u hidhej ushqim.
Kush ishin ata?
Brigadieri që jepte urdhër të hanin ishte Agim Akçani, ndërsa përpunuesi i ushqimit ishte Selman Balla. Po kështu, në këtë rreth të këtyre personave, që unë krijova një bindje të fortë se ishin shkaktarët e parë të asaj tragjedia, ishte dhe një mjelëse e quajtur Nadire Shima.
Pra, dëshmia e kësaj vajze ishte e rëndësishme?
Pikërisht ajo më ndihmoi të ndërtoja pistën e saktë dhe të bëja arrestimet e menjëhershme dhe shumë demonstrative. Dhe nuk isha gabuar, se hetimet e plota dhe gjyqi i bërë për atë grup vërtetoi katërcipërisht organizimin e tyre prej tetë vetësh, dhe se kishin një program të plotë dhe ambicioz për të sabotuar dhe dëmtuar rëndë ekonominë e zonës. Por, që të të them, dëshmia e asaj vajze 18-vjeçare na ka vlejtur shumë. Madje, kam dhe një kuriozitet me atë vajzë, se e kam takuar në vitin 2000 pa e ditur që ishte ajo, madje i kam qenë në shtëpi. Aty mësova se ajo 40- vjeçarja që rrinte përball meje dhe që ishte e zonja e shtëpisë ishte pikërisht vajza 18-vjeçare që na ndihmoi për të hedhur dritë mbi ngjarjen në fjalë.
Si e takuat?
Në vitin 2000 unë isha drejtor i inspektimit të ministrit të Brendshëm. Më ftoi Drejtori i Policisë së Burgjeve të asaj kohe, Luan Gjonçi, në një drekë në shtëpinë e një miku në Baldushk. Më mbrapa mësova se miku i tij që ishte nga Baldushku ishte pikërisht bodiguardi i tij. Normal që shkova, dhe me shumë dëshirë madje, se kur drekat janë mes shokësh dhe miqsh janë shumë çlodhëse. Kur shkova filluam biseda të ndryshme, por meqenëse isha në Baldushk mua sigurisht biseda do të më kalonte te ngjarja e lopëve. Se ajo njihej si ngjarje e bujshme dhe emri im njihej mirë si hetues i saj. Por mbaj mend se, si shpjegova disa gjëra të përgjithshme, thashë: Ka qenë për t’u falënderuar një vajzë, një 18-vjeçare, që hodhëm pistat e sakta të hetimit. Ajo vajzë ka bërë shumë për zbardhjen e ngjarjes dhe saktësimin e autorëve të krimit. Aty për aty, zonja e shtëpisë, që dëgjoi pa folur bisedën, madje edhe duke buzëqeshur, tha:
- Unë jam ajo vajza 18-vjeçare që ju dëshmova situatën e vërtetë mbi atë çka kishte ndodhur.
Unë atëherë u befasova dhe gjeta momentin për ta falënderuar edhe një herë pas kaq vitesh, që kishte mundur të zbardhte një situatë aq të rëndësishme për ekonominë e popullit.
Le t’i kthehemi sërish momentit kur vajza 18-vjeçare ju dëshmoi mbi atë që kishte parë. Si vepruat?
Menjëherë vendosa të arrestoja të tre këta persona. Brigadierin Agim Akcani, përpunuesin e ushqimit Selman Ballën dhe mjelësen Nadire Shima.
Si do t’i arrestonit kaq shpejt, u bindët?
Juridikisht nuk ishte arrestim, pavarësisht se ai bëhej në flagrancë, por do të hetohej më tej dhe po qe se ishte e kundërta ndalohej çështja. Pra, ata arrestoheshin për t’u hetuar. Quheshin të dyshuarit kryesorë. Dhe unë kisha eksperiencë të madhe në drejtim të zbulimit dhe se nuk gaboja kollaj. Mjeku i shquar Arqile Boti më saktësoi shkencërisht, se ishte zhiva në silazh ajo që shkaktonte helmimin. Për këtë duhej ndaluar përpunuesi i silazhit. Ndërsa brigadieri, kur u njoftua se duke dhënë ujë dhe ushqim lopët po shfaqnin kishin probleme, së bashku me mjelësen Nadire Shima, jo vetëm që nuk ndërprenë dhënien e ushqimit, por përkundrazi shtuan zellin për ta dhënë atë, në një kohë që të gjithë punëtorët u tulatën. Pra, të tjerët hezituan t’u jepnin ushqim dhe ujë, pavarësisht se tha brigadieri, ndërsa Nadire Shima, - më vonë u zbulua se në atë grup ishte përfshirë edhe e motra, - shtoi zellin për t’u dhënë.
Ju, i arrestuat publikisht?
Shumë demonstrativisht. Dola menjëherë jashtë dhe urdhërova grupin special të sigurimit, me intonacion të prerë:
- Të arrestohen menjëherë Agim Akcani, Selman Ballad dhe Nadire Shima.
Kështu ndodhi. Menjëherë u bënë arrestimet dhe ashtu publikisht u futën në makina dhe u dërguan me urgjencë drejt qelive speciale të burgut 313 ku ne vijuam hetimin.
Sa ishte ora?
Ka qenë ora aty te 10.30 apo 11.00, jo më shumë. Pra, unë shkova në vendngjarje në orën 09.30 dhe pas një ore rashë menjëherë në gjurmët e grupit, ndërkohë që bëra ndalimet e para. Se pastaj nga hetimi dolën çudira të mëdha. Se grupi kishte shumë njerëz brenda dhe se ata bënin mbledhje darkave, madje njëri kishte kërcënuar me letër anonime vetë Enver Hoxhën etj. Pra, koka e grupit u kap më mbrapa. Por gjithsesi, numri i arrestimeve shkoi në tetë vetë, ndërkohë që u ekzekutuan dy prej tyre.
Por po të tregoj momentin që ata të tre u morën demonstrativisht në sytë e të gjithëve dhe ndërsa i hipnin në makina u afrua me të shpejtë Manush Myftiu duke thënë:
- Çfarë ka kështu? Çfarë konstatuat?
Unë ia ktheva:
- Shoku Manush. Janë të akuzuarit kryesor të ngjarjes dhe jam i detyruar të ndjek ligjin dhe procedurat e mëtejshme me ta.
Ai, tepër i vendosur, ma ktheu:
- Shoku hetues. Vijo zbardhjen e ngjarjes. Le të shkojë në 100 numri i të arrestuarve. Vazhdo dhe mos ndalo. Presim autorët. Vazhdo siç e ke nisur.
(Vijon nesër)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›