E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bengasi: Ngjarja e Baldushkut, u kërcënua Enver Hoxha

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Dilaver, thatë nga numri i kaluar se gjatë hetimit doli emri i Latif Dajës si organizator i grupit?
Po. Latif Daja ishte epiqendra e të gjithë asaj meseleje dhe pikërisht ai e kishte tërhequr edhe të vëllanë në grup, që u dënua më vonë me ekzekutim. Në fakt, duhej dënuar Latif Daja dhe jo Refat Daja. Por, siç thashë edhe më lart, emri i Latifit ka dalë më mbrapa, si ishte hetuar grupi, dhe për këtë ai është arrestuar jo pak, por plot katër muaj më mbrapa, ndërkohë që ka dalë në gjyq vetëm kur vëllai ishte dënuar me vdekje. Vetëm për këtë atij i është falur jeta. Jua thashë edhe në numrin e kaluar, por vlen ta theksoj me shumë forcë, me një sinqeritet absolut madje dhe i prekur jo pak shpirtërisht, që nuk kam qenë absolutisht dakord që të kishte ekzekutime, por ne nuk kishim më asnjë rol kur çështja ishte në gjyq. Pra, jam duke ju thënë, që unë dhe të gjithë kolegët e mi të hetuesisë kemi pasur detyrë vetëm ta hetojmë ngjarjen, - dhe për këtë nuk jam i penduar aspak, - që kam hetuar dhe kam zbuluar në dritën e diellit të vërtetat e pakundërshtueshme. Por në fund pastaj vendoste gjykata, pra ishin të tjerët ata që vendosnin mbi atë që do të vuanin klientët të cilëve u ishte provuar faji. Të siguroj që ndjeja dhimbje. Ishte marrje jete. Ishte e rëndë. Por mua më zemëronte organizatori Latif Daja, ai që i futi në valle këta njerëz, të cilët pastaj përfunduan në skuadrën e pushkatimit apo burgimet e gjata.
Kam përshtypjen se po flisni me shumë mllef për këtë Latif Dajën. Ju, e keni njohur para se të kishit marrë në dorë procesin në fjalë?
Absolutisht, më parë nuk dija në se ekzistonte ndonjë Latif Daja. As e njihja dhe as e njoha kur filloi procesi i hetimit, pasi siç e dini, ai nuk ishte në emrat e parë të të arrestuarve. Emri i tij ka dalë shumë më mbrapa, gjatë procesit të hetimit dhe dëshmisë së të arrestuarve dhe kryesisht të arsimtarit Bashkim Allmuça, i cili ndihej shumë fajtor dhe i penduar që kishte marrë pjesë në një masakër të tillë, kundër pasurisë së popullit të krahinës së vet. Por unë inatin e kam që, nga një qejfmbetje e tij me pushtetin se ishte shkarkuar nga detyrat e larta që kishte në kooperativë, madje se ishte përjashtuar edhe nga Partia për një budallallëk të vetin që në atë kohë nuk falej, organizoi gjithë atë maskarallëk: organizoi grupin sabotator, futi në valle shumë njerëz mes të cilëve maminë, mësuesin, ndihmësmjekun, mjelësen, brigadierin etj., etj. dhe filloi veprimet konkrete për sabotime. Pra, ai i futi në këtë valle që ata pësuan atë që pësuan, mes të cilëve edhe vëllai i tij i rekrutuar në grup po prej tij, dhe që u ekzekutua tragjikisht. Prandaj edhe e kam shumë stres kur i përmend emrin, se nuk do të ndodhte ajo që ndodhi po të mos e kishte ai mendjen të tillë. Madje ai vetë nuk e priste t'i shpëtohej jeta kur u gjykua shumë më mbrapa si ishte dënuar grupi prej shtatë vetash i përgatitur prej tij, kur dy prej tyre, madje dhe i vëllai i tij Refati, të cilin e kishte rekrutuar vetë në veprimtari sabotuese, ishin ekzekutuar tragjikisht. Prandaj edhe mbeti i habitur përballë kryetarit të seancës gjyqësore, kur iu dha vendimi me 25 vjet.
Pse, si reagoi?
Në gjyq, siç u vërtetua plotësisht dhe si e pranoi dhe vetë Latif Daja, doli qartazi se ai ishte organizatori kryesor i grupit. Por kur gjykatësi komunikoi vendimin me 25 vjet burg, ai u befasua. Nuk e vinte në dyshim se do të merrte dënimin ekstrem, prandaj edhe reagoi në mënyrë të çuditshme kur mësoi faljen e jetës.
Çfarë tha?
Ju faleminderit. Faleminderit hetuesit. Faleminderit shumë hetuesi..., hetuesi. Kështu në mënyrë ngazëlluese dhe si çuditshëm përdorte fjalën "hetuesi" dhe "faleminderit".
Por, ndërsa fliste i ngazëllyer duke përmendur vazhdimisht hetuesin, ndërhyri kryetari i trupit gjykues, Aleks Verdhi duke i thënë:
- Pse hetuesin. Ç'hyn hetuesi këtu?
Ai prapë fliste për hetuesin: "Rroftë hetuesi".
Në këtë çast ndërhyri prapë gjykatësi Verdhi, duke i thënë:
- Po, ashtu është, si thua ti. Por po të them se të është dënuar vëllai me pushkatim ndaj shpëtove ti, por në fakt të takonte ty ekzekutimi dhe jo tët vëllai.
Më çuditët zoti Bengasi, kur thatë se Latif Daja ka qenë kuadër kryesor në kooperativë dhe se ai e kishte organizuar gjithë atë si rezultat i qejfmbetjeve që kishte pasur pas një shkarkimi që kishin bërë nga detyrat që kishte pasur. Kështu?
Shiko. Kur u arrestua Latif Daja, emri i të cilit doli nga deponimet e të pandehurve të arrestuar kohë më parë dhe kryesisht edhe nga bashkëpunimi i tyre, ishte bërë hetimi i grupit të mëparshëm. Kështu, ai u hetua dhe e gjykua më vete dhe, siç ta përsërita disa herë dhe nuk bëj gabim edhe të ta them prapë, se ndërkohë që ai po gjykohej, ishte dënuar i vëllai i tij me ekzekutim.
Dhe cila kishte qenë arsyeja e Latif Dajës?
Latif Daja kishte qenë përgjegjës sektori në kooperativën e Baldushkut. Ai kishte qenë ndërkohë komunist, pra anëtar partie. Por për mossinqeritet në plotësimin e dokumenteve biografike të dosjes personale të tij si anëtar partie ishte marrë vendim që të përjashtohej fare nga partia dhe të shkarkohej nga detyra e përgjegjësit të sektorit. Për këtë ai donte të hakmerrej dhe kështu organizoi grupin e famshëm që po flasim.
Pse, çfarë kishte pasur ai?
Ai e kishte pasur babain ballist në kohën e luftës, gjë që e kishte fshehur për t'u pranuar si komunist. Por kur u zbulua kjo, ishte shumë e rëndë për kohën, madje edhe përjashtimi nga partia atëherë konsiderohej pushkatim politik.
Dhe u arrestua shumë më mbrapa?
Shumë muaj më mbrapa. Madje ka dalë në gjyq kur grupi para tij prej shtatë vetash kishte marrë dënimin dhe dy prej anëtarëve të grupit u dënuan me vdekje me pushkatim.
Me çfarë akuze u dënuan me pushkatim dy anëtarët e grupit?
Për veprimtari të rëndë në interesat ekonomike të popullit, duke helmuar lopët e kooperativës.
Jam kurioz nëse e keni takuar ndonjëherë, tashmë që ju thoni se ka dalë nga burgu?
Doemos, ai do të dilte një ditë nga burgu, përderisa u ekzekutua vëllai i tij i marrë në atë grup po nga ai. Duket si bedel për vëllain. E kam takuar dhe kam ndjerë urrejtje edhe kur e takova. Ai, siç thashë, jo vetëm që helmoi lopët por arriti të krijojë atë grup që çoi në varr dy vetë dhe futi burgjeve dhe katër të tjerë bashkë me veten pesë. Unë e kam takuar, apo si të thuash e kam ndeshur në vitin 1994. Kishte dalë nga burgu dhe ecte rrugës i shoqëruar nga një prokuror që ishte aktualisht në detyrë. Kam qenë para "Hotel Tirana" kur jemi ndeshur dhe ndali duke i thënë atij prokurorit:
- Ja, ky më ka futur në burg.
- Kush je ti?, - i thashë, - se nuk të njoh.
- Jam Latif Daja, - më tha, - që ti më ke futur në burg.
Atëherë, unë e kujtova menjëherë, pavarësisht se e kishte ndryshuar burgu, por mbaj mend që iu ktheva duke i thënë:
- Që ti ke qenë një maskara kjo s'ka asnjë dyshim. Thënke dhe me mburrje se vajte helmove lopët e fshatit tënd që hanin fëmijët me atë pikë qumësht që mund t'u jepnin ato. Por ti me atë maskarallëkun tënd fute në valle edhe vëllain tënd ndihmësmjek, që përfundoi para skuadrës së pushkatimit. Por nuk duhej dënuar vëllai por ti, se ti fute në valle edhe gjithë ata njerëz të cilët përfunduan burgjeve duke lënë fëmijët rrugëve. M'u qëro dhe të mos të të shoh me sy.
Që atëherë nuk kam ndeshur njeri.
Dhe si reagoi?
Iku dhe nuk bëri zë fare.
Po prokurori ndërhyri?
Nuk foli fare. S'kishte si të ndërhynte, se së paku prokurori për vetë detyrën që kryen e kupton fare mirë se veprimi i tij ishte shumë i dënueshëm.
Gjithsesi, i dënueshëm ishte organizmi i grupi që nuk diskutohej që një herë do të binte në dorë të drejtësisë së asaj kohe, pasi veprimet e tyre ishin ordinere dhe aventuriere do të thoja, ashtu siç arriti njëri prej tyre të kërcënonte dhe vetë Enver Hoxhën, por që do ta zbulonim në mes të natës, duke i çuar në dorë letrën që kishte dërguar në tavolinën e Enver Hoxhës. I thoshte se do të hante koqen e ullirit. Por kjo është një tjetër histori tepër interesante, se ka të bëjë me shumë çudira, se si ajo letër shkoi në dorën e Enver Hoxhës dhe angazhimin e madh tonin për të zbuluar shkrimin. Pas shumë ecejakesh të bëra me ditë të tëra pa gjumë, arritëm në mesnatë në Baldushk dhe thërritëm personin që e kishte shkruar. E kemi provokuar dhe pastaj i kemi vënë përpara letrën anonime, pas së cilës nuk kishte nga të lëvizte dhe as të mundej të mohonte autorësinë. Aty, në atë mesnatë, urdhërova arrestimin e menjëhershëm të tij.
E përmendët disi rastësisht në intervistat e numrave të kaluar, se paska qenë dhe një histori e një letre kërcënuese që paska shkuar në adresë të Enver Hoxhës. Si ka ndodhur, kush e kishte dërguar dhe akoma, ky person që paska bërë këtë letër kërcënuese a ka pasur lidhje me grupin që po më dëshmoni apo jo?
Ai person ka qenë saktësisht anëtar i grupit në fjalë apo grupit sabotator si mund ta quash, dhe quhej Nuri Allmuça. Më mbrapa, si pjesëmarrës aktiv në grup, gjykata e dënoi me ekzekutim së bashku me vëllain e Latif Dajës që të shpjegova më lart. Por, kjo histori e tija që u zbulua ishte disi e çuditshme. Ishte nisur nga Baldushku një letër në drejtim të Enver Hoxhës. Unë, ndërsa merresha me hetimet e asaj ngjarjeje, nuk dija gjë për letrën dhe po më vinte çudi kur më thoshin se po priste rezultatet e hetimit vetë Enver Hoxha. Arsyen pastaj e mësova në momentin kur gjatë hetimit, siç të thashë, më vjen në dorë letra në fjalë.
Ishte kërcënuese thatë?
Po, kërcënuese. Ishte anonime dhe e shkruar me shkrim dore.
Kush jua solli juve?
Ma sollën nga Komiteti Qendror i Partisë. Ajo, siç ju thashë, dihej që dërgohej nga Baldushku.
Çfarë shkruhej në të?
I thuhej Enverit ndërmjet të tjerash se, "në Baldushk s'ka rrugë, ujësjellës, e probleme të tjera që mund të hasje në zonë.
Por kryesorja ishte mbyllja e letrës në fund, ku shkruhej:
- Nëse nuk i rregulloni këto mangësi sa më shpejt po ju them se së shpejti do të hani kokrrën e ullirit.
Unë, sigurisht, e mora dhe e studiova. Së pari shkova në kryesinë e kooperativës së Baldushkut.
Ju kishit detyrë të gjenit autorin?
Patjetër që duhej gjetur autori. Kështu që shkova me radhë në zyrat e kuadrit dhe të sekretarisë ku ishin arkivuar letra nga populli, si kërkesa lutjeje apo relacione. Me këtë mënyrë, unë doja të shikoja shkrimet e dorës se me kë përputheshin. Që të mos e stërholloj shumë fillin e këtij detaji, po ju them se në fund hasa në një letër-kërkesë të një personi që quhej Lutfi Allmuça. Pashë me sy të lirë që shkrimi ishte i njëjtë, por që gjithsesi duhej bërë akt- ekspertimi.
Çfarë shkruhej në atë letër?
Ishte një letër-kërkesë që shkruesi i saj, Lutfi Allmuça i bënte kryesisë apo kryetarit të kooperativës, që ta lëviznin nga roje stalle ku ishte dhe ta çonin në një vend tjetër. Kjo gjë më tërhoqi më shumë vëmendjen.
Pse?
Sepse ky njeri që kishte bërë letër te Enver Hoxha na dilte që qenkësh stallier. Por po të kemi parasysh punët e rënda që kishte në atë kohë kooperativa, dilte se ky ishte më mirë se kushdo në vend pune. Përse ky donte të ikte nga stalla e dhive.
Në të vërtetë, përse donte të ikte?
Prit, se nuk ishte fjala te ky. Ai ishte një njeri me zhvillim të vonuar mendor dhe se letrën e kishte bërë xhaxhai i tij, Nuri Allmuça, i cili ishte anëtar i grupit që kishte planifikuar që të digjej edhe stalla e dhive, por xhaxhai nuk donte që aty të ishte me punë nipi i tij, se pastaj kishte përgjegjësi. Por këtë e morëm vesh më vonë. Kjo ishte dhe kokrra e ullirit që ai i thoshte Enver Hoxhës.
Pra, ju nuk dinit gjë se kush ishte në të vërtetë pas emrit të Lutfiut, nëse ju kuptova drejt?
Por unë mora letrën anonime dhe letrën-kërkesë të Lutfi Allmuçës dhe ia nisa ekspertizës kriminalistike. Konkluzioni ishte i njëjtë. Pra, unë, si bëra akt- ekspertizën dhe pashë që ishte i njëjti shkrim si ai që i kishte shkruar Enver Hoxhës, mora letrën që po verifikoja dhe letrën ku ishte bërë kërkesa nga Lutfiu për të ikur nga roje dhe..., së bashku me nëndrejtorin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës shkuam në Baldushk. Ka qenë mesnatë kur kemi shkuar. Ora ka qenë aty te 01.00 apo 02.00 e natës.
Çfarë muaji ka qenë?
Duhet të ketë qenë shtator apo tetor, se nuk e kam mirë të saktë. Viti ishte 1976.
Shkova në zyrat e kooperativës dhe thërritëm Lutfi Allmuçën, që ishte autori i kërkesës. Nuk voni dhe Lutfiu ishte para nesh në zyrë. Kur i thamë se si ishte puna, e kuptuam menjëherë se ishte me probleme mendore, madje kishte edhe ngecje në të folur. Kur e pyetëm se pse e kishte bërë atë letër, pra e kam fjalën te kërkesa që donte të ikte nga roje, ai si me ngecje tha: "Xhaa.. xha.. xhaxhaaai. Eeee ka bëëërë. Nuriiii... Nurrii..u e kkkka bërë".
Në këtë moment kërkova të thërrisnin menjëherë xhaxhain e tij, pra Nuriun, i cili ishte autori i letrës, që do të thotë se ishte edhe autori i kërcënimit të Enver Hoxhës.
Në moment e thërritët?
Patjetër që në moment. Por para se të vinte ai, unë pyeta se ku ishte me punë ky Nuriu që kishte bërë këtë kërkesë në emër të nipçes për ta larguar si roje nga stallat e dhive të kooperativës. Më thanë se ishte infermieri i fshatit. Ç'ta zgjas më tej, shkurt po them se erdhi në zyrë. Dukej që ishte bërë dyll i verdhë. Kjo kuptohej, se kur të thërrisnin në mesnatë, që ora duhet të ketë qenë aty te 03.00 e natës, hetuesi dhe nëndrejtori i policisë së Tiranës, nuk ishte e thjeshtë. Gjithsesi, unë për t'i hequr atë sikletin e parë si pa gjë të keq e takova dhe i thashë të ulej në karrigen që kisha përballë. Kur e pyesja se si ishte, ai thërriste vazhdimisht si i impresionuar: "Mirë faleminderit", "Mirë faleminderit". Megjithatë, si pa gjë të keq, unë i tregova kërkesën e të nipit, Lutfiut, duke i thënë:
- Ju e keni bërë këtë kërkesë për nipin tuaj, që kërkoni ta largoni nga stallat?
Ai nuk kishte nga të luante dhe tha:
- Po, unë.
Këtu sigurisht ai nuk dinte se unë në xhep kisha letrën që ai kishte nisur për te Enver Hoxha. Kështu që, ndërsa i tregoja kërkesën e Lutfiut që ai vetë kishte shkruajtur, i thashë:
- Po si ka mundësi që ju doni ta hiqni nga stallat e dhive ku është si roje, kur dihet se ai vend është nga të përzgjedhurit këtu në kooperativë, ndërkohë që të tjerët i bien kazmës? Nuk të duket pak si e çuditshme ty?
Ai u impresionua fare dhe thoshte vazhdimisht:
- Unë kështu e mendova, kështu mendova, kështu mendova se mund të kishte ndonjë vend më të mirë, etj., etj., por që kaloi menjëherë nën efektet e një impresioni të jashtëzakonshëm.
Nuk e kuptoj përse të kishte gjithë atë impresion, kur ai nuk dinte akoma se ju kishit në xhep letrën që kishte dërguar te Enveri?
Sepse ai pa që po kuptohej se këtu kishte një hile dhe kjo hile ishte e rëndë. Fakti që po i zbulohej ishte i tmerrshëm për të. Sepse siç të thashë, ai donte ta largonte të nipin nga roje te stallat e dhive, se, edhe si u vërtetua më vonë, ata kishin vënë në plan për ta djegur dhe atë. Pra, po të mos e kishim konstatuar dhe kapur shpejt, sipas asaj që deklaruan në hetuesi dhe në gjyq, ata do të vepronin. Pikërisht aty ishte fjala e "kokrrës së ullirit" që i shkruanin Enverit. Se këto i zbërthyem më mbrapa.
Kur ia treguat letrën e Enverit?
Menjëherë. Kur thoshte "kështu e mendova", se kujtonte se flitej vetëm për letrën e të nipit, unë i vura letrën tjetër para duke i thënë:
- Mos e di gjë kush e ka shkruar këtë letër? Mos të duket se është njëlloj kjo me këtë të nipit tënd?
Reagoi?
U zverdh fare. U step. Ndërkohë, unë e lexova dhe pastaj i komentova:
- Po mirë këto të tjerat, po me këtë "kokrrën e ullirit" që do të hajë shoku Enver, çfarë do të thuash, ku është fjala? Pra, çfarë kokrre ulliri do të hajë shoku Enver? Apo mos e ke fjalën për ato lopët që u helmuan para një viti?
Ai nuk foli fare por uli kokën. Në këtë çast unë i deklarova:
- Je i arrestuar.
Pas kësaj, e prangosën dhe e dërguan në qeli. Pas hetimeve të mëtejshme doli se ai kishte qenë aktiv në grupin sabotator që ju fola më lart. Dihet fundi i tij, se u dënua nga gjykata me ekzekutim. Siç jua përmenda disa herë, ai u ekzekutua së bashku me vëllanë e Latif Dajës, Refatin. Sigurisht, ekzekutimi për ta ishte i rëndë, gjë që unë nuk mund ta miratoja në veten time. Por gjykata kishte ligjet e veta që funksiononion në atë kohë, pasi këta i konsideronte "armiq". Normal që të dënoheshin sa të doje, por jo t'u merrej jeta. Sinqerisht, nuk jam ndjerë mirë jo vetëm në këto raste por në dhjetëra e dhjetëra raste të cilat ne ndeshnim përditë në punën tonë hetimore, kur shumë klientë të hetuar nga ne dhe të cilët gjykata i dënonte me vendime ekstreme. Por ç'ti bëje. Faji ishte i atyre që i fuste në valle dhe u këpuste lulen e rinisë.
Po e arrestuara e tetë e grupit kush ka qenë?
Po, është e vërtetë se unë ju kam përmendur shtatë vetë deri tani, kur grupi ishte me tetë, të cilët u dënuan dy me vdekje dhe të tjerët me burgime. E teta ishte mamia e fshatit, Jemine Shima. Kjo ishte pikërisht motra e Nadire Shimës, e cila ishte mjelësja që u arrestua një orë pas incidentit të lopëve në mëngjesin e 10 nëntorit 1975. Jeminja ishte futur në valle nga e motra, që e kishte rekrutuar në grupin e organizuar mirë dhe që drejtohej nga Latif Daja. Ata bënin rregullisht mbledhje të posaçme në një vend larg fshatit që quhej "Përroi i Zhullimës". Ajo s'kishte qenë shumë aktive por, deri sa doli emri i saj në përbërje të grupit, sigurisht që u arrestua. Normal që konsiderohej një arrestim i sforcuar. Më duket se është dënuar nja 15 vjet në s'jam i gabuar. Kështu u mbyll ajo mesele tragjike do ta quaja. Pasi, edhe puna jonë kishte të bënte me zbulime dhe me ngjarje, edhe vendimet e ligjet ishin shumë të rrepta në kësi rastesh. Dua të them me këtë, se isha shumë dakord me burgimet, por kurrsesi t'u merrej jeta, sido që të ishte faji.
(Vijon nesër)
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›