Bënin kërdinë me patenta
Pas dy muajsh hetim, arrestohen 5 persona që jepnin patenta false, ose me dyfishin e çmimit
TIRANË - Pas dy muajsh hetimi, Antikrimi Ekonomik i Tiranës ekzekuton pesë fletë-arreste personash që jepnin patenta me dokumente false, ose kundrejt shumës 65.000 lekë të reja për çdo kursant. Nën akuzat zyrtare të “korrupsionit pasiv dhe aktiv në sektorin privat” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare në bashkëpunim”, u vunë mbrëmë në pranga gjatë operacionit “Gërshërët e ligjit” dy anëtarët e komisionit të marrjes në prova për patenta, Emiljano Kahu, 31 vjeç dhe Sokol Breca, 43 vjeç, instruktori i praktikës pranë autoshkollës “Univers VIP”, Jonuz Meshi, 58 vjeç, instruktori i teorisë pranë kësaj autoshkolle, Qazim Hoxha, 57 vjeç, si dhe punonjësi i policisë në Sektorin e Rendit dhe Sigurisë Publike, njëkohësisht dhe bashkëpronar i kësaj autoshkolle, Kadri Dajçi, 52 vjeç. Prej muajit janar, specialistë të “Task Forcës” së Krimit Financiar dhe Korrupsionit kishin nisur punën për dokumentimin e akuzave, të cilat kishin mbërritur tek ata nëpërmjet kallëzimeve penale të individëve të ndryshëm, të cilët pasi kanë dhënë shumën e parave, i kanë denoncuar të arrestuarit për korrupsion. Në bazë të hetimeve të kryera, rezulton se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pesë të arrestuarit pajisnin me dëshmi për drejtim automjeti çdo kursant, që kundrejt shumës prej 65 000 lekësh të reja merrnin provat pa dhënë provimin. Në total, pas kontrollit të ushtruar, atyre iu sekuestruan 7 milionë lekë të vjetra, 300 euro, 300 dollarë amerikanë, si dhe një sërë dokumentesh të falsifikuara që shërbenin për plotësimin e dokumentacionit të kursantëve.