E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasiguri teknike

Paneli i betonit lë një të vdekur, një të paralizuar. Në pranga tekniku i punimeve. Aksidenti i dyte ne pune brenda dy diteve

TIRANË - Nëse një membranë betoni e cila do të vendosej mes dy kolonave nuk do të ishte ndarë në dysh gjatë kohës që po vendosej nga një vinç e nuk do kishte marrë përpara 45-vjeçarin nga Puka, Lin Voci, duke e lënë të vdekur në vend, ai edhe dje do të kishte bërë punën e tij të përditshme, e në darkë do të kthehej tek gruaja e sëmurë, Dila, dhe tek tre fëmijët e tij. Por mungesa e kushteve të sigurisë në punë dyshohet se i kanë kushtuar punëtorit jetën, i cili vetëm çerek ore para se të ndodhte tragjedia, po hante së bashku me punëtorët e tjerë ushqimin e tij modest, të cilin e kishte marrë me vete nga shtëpia në një trastë, ndërsa një punëtor tjetër u plagos rëndë e rrezikon së tepërmi që të ngelet i paralizuar. Policia shoqëroi teknikun e punimeve të kapanonit në ndërtim e sipër në zonën e autostradës, Mahir Zylja. Ky i fundit u plagos lehtë së bashku me vinçierin. Tragjedia Në shtëpinë njëkatëshe të ndërtuar në një kodrinë pranë Arkivit Shtetëror, tek ish-Uzina e Traktorëve, familja Voci, e ardhur nga Puka, jeton prej 12 vitesh në Tiranë. Dilës, tashmë e veja e Lin Vocit, i duhet të rrisë e vetme vajzën e madhe dhe dy djemtë, të cilët me lot në sy qëndrojnë pranë arkivolit të të atit, që humbi tragjikisht jetën teksa po montonte një panel betoni në një magazinë në ndërtim e sipër. Por pikërisht në momentin që paneli 10 metra i gjatë ishte kapur me ganxha në dy cepat e tij dhe po tentohej që të vihej me vinç në mes të dy kolonave të betonit, diçka ende e paqartë plotësisht, bëri që membrana e betonit të ndahet në dysh dhe të merrte para së bashku me shkallën ku kishte hipur, edhe punëtorin e ndërtimit, Lin Vocin. Më pas, një goditje tjetër rrezikoi edhe jetën e punëtorit tjetër, Isa Lamës. Burime zyrtare nga policia e Tiranës shpjegojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, kur në një magazinë në autostradë u shkaktua një incident, me pasojë vdekjen në vend të Lin Vocit, 45 vjeç, plagosjen e rëndë të Isa Lamës, 47 vjeç, i plagosur lehtë Ervin Uka, vinçier dhe ku mbeti i plagosur edhe tekniku që drejtonte punimet, Mahir Zylja. Ky i fundit u arrestua gjatë marrjes në pyetje në komisariat, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të sigurisë në punë”. Përveç viktimës Voci, i plagosur rëndë ngeli edhe miku i tij nga Kukësi, 47-vjeçari Isa Lama. I plagosuri u transportua menjëherë drejt Spitalit Ushtarak, ku pas grafive e vizitave të bëra, rezultoi se ai ka këputje në fragmente të shumta në shtyllën kurrizore, çka sjell edhe paralizimin trupor të tij. Gjithashtu, ai ka të dëmtuar edhe këmbën e majtë, të cilën ia kanë futur në allçi. 47-vjeçari u shtrua në urgjencën e spitalit, ku rrethohet nga të afërm e familjarë, e me një zë të përhumbur, si në agoni, e vetmja gjë që i kujtohet dhe të vetmet fjalë që artikulon janë: “Ku është Lini?” E askush nuk guxon t’i tregojë fatin e kobshëm të mikut të tij, por vetëm e qetësojnë dhe mundohen të sillen sa më spontanisht, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Hetimi Ndërkohë që dy të tjerëve u është dhënë ndihma e parë mjekësore e janë shoqëruar për në komisariatin numër 5, ku janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Gjatë minutave të marrjes në pyetje, tekniku, në bazë të fakteve të ekspertizës dhe punës së grupit hetimor të ngritur për ngjarjen, ka rezultuar se shkak për aksidentin në punë ka qenë moszbatimi i rregullave të kushteve në punë. Burime policore i thanë dje “Korrierit”, se ka dyshime serioze që aksidenti erdhi, sepse ganxhave të vinçit nuk iu ishin vënë siguresat, pasi ishte ngarkuar në to paneli i betontë. “Si e mora vesh vdekjen e burrit” Flet Dila, bashkëshortja e Lin Vocit Është aq e fortë, sa të bën të mendosh sa e shikon: Po ajo, e kupton dot vallë se çfarë gjëme i ka ndodhur? Dila Voci tashmë duhet të bëhet vetë burrë e vetë grua, për të rritur tre fëmijët e saj. Në një intervistë të shkurtër për “Korrierin”, ajo dëshmoi dje sesi kishte mësuar rreth tragjedisë së sapondodhur. -Si e mësuat vdekjen e burrit tuaj? “E kam mësuar nga kushëriri i burrit tim, i cili është lajmëruar nga policia. Kanë kërkuar në listën e emrave tek celulari i Linit, e duke qenë se telefoni im u ka dalë i fikur, kanë lajmëruar djalin e xhaxhait të burrit, i cili ishte shënuar me mbiemër në telefonin personal. Pastaj ai më vuri mua në dijeni e më thanë që Linin e kanë çuar në spital, e aty ka vdekur nga rënia nga lartësia”. -Prej sa kohësh punonte burri juaj me këtë firmë? “Ne jemi shpërngulur nga Puka rreth 12 vjet më parë e kemi ndërtuar këtë shtëpi. Ndërsa Lini ka punuar prej 10 vjetësh në skela”. -Ka qenë i siguruar në punë ose ka pasur ndonjë kontratë? “Po, çdo gjë ka qenë e rregullt. Ka qenë i siguruar dhe ka pasur një kontratë me firmën në të cilën punonte prej vitesh”. I thërrmohet shtylla kurrizoreDëshmia e motrës së të plagosurit Isa Lama I rrinë të gjithë të afërmit Isa Lamës mbi kokë. Por askush nuk pati dje kurajën t’i thoshte se Lini kishte vdekur, a se dhe ai vetë nuk i ka “punët kurrë fort mirë”. Familja me origjinë nga Kukësi mundohet të mbahet dhe të shpresojë ende se njeriu i tyre i afërm shumë shpejt do të mund të ngrihet në këmbë dhe se frika për një paralizë të mundshme të mbetet thjesht e tillë: frikë... Motra e punëtorit të aksidentuar dje dëshmoi për “Korrierin” fatkeqësinë e rënë në shtëpinë e tyre dhe gjithçka dinte rreth ngjarjes së rëndë. -Kush ju lajmëroi rreth ngjarjes? “Ka lajmëruar policia djalin e xhaxhait”. -Prej sa kohësh punonte Isai me skela dhe a ka qenë i siguruar në punë? “Prej afro tetë muajsh. Me thënë të drejtën, nuk e kam pyetur kurrë nëse ka qenë i siguruar”. -Po mjekët çfarë thonë në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore? “I kanë bërë deri tani grafi dhe e kanë vizituar. Skaner nuk i bënë. Ndërsa këmbën e djathtë ia kanë futur në allçi. Grafia i ka dalë shumë keq. Ka dëmtime në shtyllën kurrizore dhe mund të mos ecë më”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›