Benitez: Do detyrohem që të shes Torresin
Trajneri i Liverpulit, Rafael Beniez, ka pohuar ditën e djeshme se do të ishte i pafuqishëm të evitonte shitjen e yjeve të skuadrës, në rast se ofrohen shuma të madhe. Për herë të parë, tekniku spanjoll ka thënë në intervistën e dhënë për “Mirror” se nëse klubet e mëdha i kërkojnë me ngulm Fernando Torresin, Stiven Xherrardin, Havier Maskeranon dhe Pepe Reinën, atëherë ai nuk mund t’i ndalojë krerët e klubit që t’i shesin. “Nëse një klub afrohet dhe ofron shumë para për një futbollist, atëherë do të bëhet gjëja që është më e mirë për klubin. Nuk dua që t’i shes yjet e skuadrës sime, aq më tepër që kemi punuar për zgjatjen e kontratave të tyre, mirëpo nëse bëhet fjalë për shumë të madhe parash, është e padiskutueshme që do të bisedohet me klubin përpara se të merret vendimi. Klubet nuk kanë bërë oferta konkrete deri tani, ndaj mund të them se synimi im është që t’i mbaj në skuadër lojtarët më të mirë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojmë mes katër më të mirëve të Premier Ligës”, tha Benitez.