Vidhen brenda natës dy kisha, mister autorët
KORçE - Vidhen brenda një nate dy objekte të kultit ortodoks në qarkun e Korçës. Sipas policisë, gjatë natës, duke gdhirë dita e diel, në fshatin Tushemisht të Pogradecit dhe në Leskovik janë vjedhur dy kisha. Autorët janë futur në të dy këto objekte kulti me thyerje. Në kishën e fshatit Tushemisht, autorët nuk e kanë pasur të vështirë të futen në ambientet e brendshme për shkak se ky objekt nuk ka shumë elementë të sigurisë. "Kishat e Shën Mërisë në qytetin e Leskovikut, dhe ajo e Shën Pandelimonit në Tushemisht, janë vjedhur nga persona ende të pa identifikuar" bëri të ditur policia. Burime që po kryejnë hetimin për vjedhjen e këtyre dy kishave, bënë të ditur se kisha e Shën Mërisë e ngritur në periferi të qytetit të Leskovikut në rrugën drejt Përmetit është grabitur dhe dëmtuar. Vetëm në mëngjes, kujdestari i saj ka konstatuar mungesa e ikonave dhe dy dyerve të vjetra. Policia shtoi se gjatë viteve të fundit në këtë objekt kulti janë vjedhur pesë ikona, ndërsa vjedhja e dyerve mendohet se është kryer për drurin e tyre të çmuar. Ndërsa në kishën e Shën Pandelimonit, janë grabitur vlera monetare të dhuruara nga besimtarët. g.a