Benitez: Interi im, shume i forte
Rafa Benitez duket se ka gjetur qetësinë. Ndoshta prej deklaratave mbështetëse nga Morati (“Trajneri largohet edhe nëse fiton? Mos bëni shaka!”), ose ndoshta sepse tashmë ka në dispozicion pjesën më të madhe të lojtarëve. Jo se tekniku spanjoll është shfaqur më nervoz se zakonisht, apo ka bërë skena si Zhoze Murinjo, por fakti qëndron se në prag të gjysmëfinales së Botërorit për Klube me koreanët e Seongnam, ai ka shprehur besim të plotë te skuadra që drejton. “Kundërshtarët? Seongnam është një ekip i vështirë, ata janë të mirorganizuar, kanë kualitet dhe rreshtohen mirë në fushë. Por, nëse Interi paraqitet ashtu si di, nuk ka dyshime që mund të fitojë”, tha drejtuesi i stolit zikaltër. Kampionët e Europës në fuqi nisen si favoritë, megjithatë ekzistojnë pikëpyetjet e menaxhimit të skuadrës për ndeshjet gjysmëfinale dhe finale. Të luash me formacionin më të mirë, pa menduar për ndeshjen e ardhshme, apo të ruash pak energji për finalen? Benitez nuk ka asnjë dyshim: “Për ne, e para është sfida më e rëndësishme. Nesër (sot) do të hedhim në fushë ekipin më të mirë të mundshëm, për të fituar. Më pas, nëse kalojmë, do të mendojmë për takimin e radhës”.
Ndryshe nga javët e mëparshme, në radhët e Interit klima duket optimiste. Kjo edhe për faktin se kontingjenti i skuadrës po plotësohet, pas rikthimit të lojtarëve të dëmtuar: “Jam shumë i lumtur që do t’i kem të gjithë në dispozicion, pasi në këtë mënyrë kam mundësi, nëse do të dëshiroj, të bëj një zgjedhje ndryshe. Futbollistët po japin 100 për qind gjatë seancave stërvitore; deri më tani përgatitjet kanë qenë mjaft pozitive”. Edhe pse ka mundësi për të zgjedhur, trajneri pritet të mos e ndryshojë taktikën 4-2-3-1. Garanci jep edhe sulmi: “Pasi kam parë Militon që shënon gola në stërvitje, jam i bindur se jemi shumë të fortë”. Trajneri nuk ka pranuar që kjo ndeshje të nxitë paralelizmat e sfidës mes dy përfaqësueseve, Itali-Kore e Jugut. “Krahasimi me ndeshjen Itali-Kore nuk ekziston. Ne flasim vetëm për Interin dhe jemi të bindur se mund të fitojmë”, tha në mënyrë të prerë 50-vjeçari. “Ecuria e fundit e skuadrës nuk është e kënaqshme? Në të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar, skuadra ka hyrë në fushë për të fituar. Gjithsesi, Botërori për klube është një aktivitet që të ngulitet në mendje dhe të gjithë duam të jemi të suksesshëm”.