Benitez-Liverpul, mungon marrëveshja: Juve në pritje
E ardhmja e Rafa Benitez te Liverpuli duket gjithmonë e më shumë në dyshim. Në fakt, drejtuesi i stolit të "Reds" ka refuzuar ofertën e parë të klubit për rinovimin e kontratës. Shifra prej 12 milionë sterlinash (afro 15 milionë euro) nuk i pëlqen teknikut spanjoll, që tashmë po mendon largimin nga "Anfilld". Sipas "NeëW of the World", pronarët amerikanë të Liverpulit vendosën në tavolinë një kontratë deri në vitin 2012: fillimisht Benitez do të përfitonte 3,5 milionë sterlina në sezon, ndërsa më pas rroga do t‘i rritej deri në 4 milionë sterlina. Përfaqësuesit e trajnerit spanjoll kanë mbetur të pakënaqur nga oferta e kryesuesve të Premiershipit, pasi ata pretendojnë që paga të jetë në nivelin e kolegëve të klubeve të tjera elitare në Angli. Momentalisht, Arsen Venger tek Arsenali dhe Sër Aleks Ferguson te Mançester Junajted, përfitojnë nga 4,5 milionë sterlina në vit. Edhe pse diferenca ndërmjet Benitez dhe dy teknikëve të tjerë është vetëm një milion, ajo krijon probleme, mbi të gjitha në këto momente krize të ekonomisë botërore. Në favor tt Benitez, për të pretenduar një rrogë më të lartë, vihet edhe interesimi i shumë klubeve evropiane për trajnerin. Reali i Madridit dhe Juventusi janë dy prej skuadrave që e cilësojnë si një alternativë për të ardhmen, mbi të gjitha për të arritur suksesin në aktivitetet ndërkombëtare. Të dy klubet janë në pritje të zhvillimeve dhe nëse oferta nuk rritet në mënyrë të ndjeshme, atëherë do të fillojë gara për shërbimet e teknikut.