Maradona, kundër Peles dhe politikës së jashtme amerikane
Trajneri i Argjentinës, Diego Armando Maradona, shfrytëzoi udhëtimin e tij në Indi për të rihapur luftën me rivalin e tij, Pele dhe për të kritikuar politikën e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga administrata "Bush". Prej kohësh, marrëdhënia ndërmjet Maradonës dhe Peles është e tensionuar, mbi të gjitha për faktin se cili ka qenë lojtari më i madh. Për disa specialistë, braziliani është legjenda e futbollit të bukur, ndërsa të tjerët mendojnë se "El Pibe d‘Oro" qëndron i vetëm në shkallën më të lartë të këtij sporti. Zgjedhja ka qenë e vështirë edhe për FIFA-n, që gjatë dhënies së çmimit "Lojtari më i Mirë i Shekullit XX" nuk arriti të nxirrte një fitues. Përkundrazi, "qeveria" botërore e futbollit u ofroi dy yjeve amerikano-latine që të ndanin së bashku trofeun. Maradona i është rikthyer sërish polemikës dhe në Kalkuta deklaroi se futbollistët nuk e respektojnë tri herë fituesin e Kupës së Botës. Ai tha: "Diferenca më e madhe ndërmjet meje dhe Peles është se unë gëzoj respektin e futbollistëve, gjë të cilën nuk mund ta them për të. Pele ka miqësi me njerëzit që drejtojnë futbollin, ndërsa unë jo. Nuk kam asgjë kundër Peles, por është ai që e ka inatin me mua. Shkaku është i thjeshtë: në Brazil renditej i dyti mes sportistëve më të mirë, pas Airton Senës (tri herë kampionit të Formula 1), ndërsa në futboll qëndron pas meje". Më tej, Maradona përmendi miqësinë me Fidel Kastron, ish-presidentin e Kubës komuniste: "Në çdo moment që kalon me të, pasurohesh. Madje, edhe kur thjesht të përshëndet. Flasim rreth futbollit, politikës, bejsbollit. Kemi biseduar edhe rreth SHBA-së dhe anës së errët të imperializmit. Mendoj se problemet madhore janë shkaktuar nga Amerika. Ata vendosnin për fatet e të gjithëve, por tashmë (pas krizës ekonomike), ka ardhur koha që secili të vendosë për veten e tij".