E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuster, nga shiu në breshër: "Barça, e pathyeshme për ne"

Mënyrë e bukur për të përgatitur "el Clasico"-n e Kamp Nout, e programuar për të shtunën në mbrëmje. Në atë që u ka dhënë të gjithëve ndjesinë e një të diele "të çmendur", Reali i Madridit në fillim është tronditur nga sherri dhe polemikat e asamblesë, pastaj është dorëzuar në "Bernabeu" përballë Seviljes (3-4), duke rrëshqitur në vendin e pestë, -9 pikë nga Barcelona.

BERNARDO SHOU - E diela e mallkuar është mbyllur me një leksion të mirë për Shusterin. "Jo, nuk kam menduar të jap dorëheqjen, sepse kam parë skuadrën të luftonte, të jepte gjithçka. Por mendoj se ky klub për momentin ka nevojë për goditjen e duhur, për diçka që ta ndihmojë të gjejë fatin e humbur". Si fillim nuk është e qartë, nëse kjo goditje do të vijë me blerjet e reja (i pari Huntelar), dorëheqjen e presidentit, apo me largimin e trajnerit. Në mbyllje të konferencës vjen ndonjë detaj më shumë. Pyetja, nëse ndihet i detyruar të shkojë e të fitojë në Kamp Nou sjell një përgjigje polemizuese: "Kjo është ndeshja që më shqetëson më pak. Për momentin nuk është e mundur të fitosh në Kamp Nou, Barcelona është shkatërruese, dhe ky është viti i saj. Ne mund të kërkojmë vetëm të japim më të mirën tonë".

ATMOSFERA ELEKTRIZUESE - Atmosfera përreth klubit madrilen është elektrizuese. Përshtypja është se Bernardo kërkon që ta shkelmojnë. Me skuadrën e cunguar nga dëmtimet dhe kualifikimet (në Kamp Nou 8 mungesa të sigurta, ndoshta 9, gjithmonë nëse nuk dëmtohet ndokush të mërkurën ndaj Zenitit...), por të aftë të gjejë minimumin e krenarisë në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Seviljes, duket se gjërat po shkojnë vërtet shumë keq për gjermanin. Por edhe vetë ai për momentin nuk di si të reagojë.

SHPJEGIMET - Në valët e "Cadena Ser", radios më popullore gjatë natës, flet Ramon Kalderon. Drejtuesi i emisionit i vë të dëgjojë tri herë përgjigjen e Shusterit për pamundësinë për të fituar në Kamp Nou. Durimi ka arritur kufirin, presidenti nuk di ç‘të thotë, por nuk shpërthen, ashtu siç shpresonte "guru"-ja i netëve futbollistike spanjolle. "Don" Ramon duron akoma, dhe limitizohet te një fjali: "Do t‘i kërkoj shpjegim për këtë". A është e mundur të shkarkosh një trajner para ndeshjes me Barcelonën, Valencian e Vijarealin?

ULTRAS DHE CENSURË - Nuk është problemi i vetëm për Kalederonin. Asambleja e të dielës është mbyllur në mënyrë pozitive, edhe pse janë të pakta pikat e aprovuara për të cilat u votua, por la pas vetes skorje radioaktive. Shtypit nuk i pëlqeu që presidenti ka futur (të paautorizuar, dhe të munguarit e asamblesë së 6 viteve më parë) "Ultras Sur"-ët, sepse do ta mbështesin me prezencën e zhurmës kërcënuese të tyre. Po ashtu, shtypi nuk e ka përtypur faktin e censurimit të zërit të opozitarëve nga "Real Madrid tv", i cili transmetonte direkt evenimentin. Presidenti ka shpëtuar bilancin dhe veten e tij. Por më pas ka pranuar se ajo e djeshmja ishte një nga spektaklet vërtet më të shëmtuara, që mund të prodhonte ky klub i madh e me famë në Evropë dhe botë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›